Një i dyshuar është intervistuar lidhur me lëshimin për qarkullim të urës së Badocit pa u kryer testimi final, ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.
Sipas njoftimit, pas intervistimit, rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt teksa hetimet po zhvillohen në drejtim të veprës penale “Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik”.
“Policia e Kosovës pas pranimit të autorizimit nga gjykata dhe pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore ka konfirmuar se një urë është lëshuar për qarkullim pa përfunduar testimi final. Në koordinim me prokurorin është intervistuar një i dyshuar mashkull kosovar. Në konsultim me prokurorin rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thekson policia.
Ura e Badocit u lëshua për qarkullim në ditët e para të këtij viti.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një reagim në Facebook pati thënë se testimi është vetëm formal sepse ura është stabile.
“Ura e Badocit ështe projektuar e ndertuar me standardet më te larta të projektimit e ndertimit. Gjatë të gjitha fazave janë kryer inspektimet profesionale, përfshirë ketu atestet parakrake të materialeve, testimet të vazhdueshme të betonit e armaturës deri në finalizimin e saj. Prandaj me përgjegjësi të lartë profesionale deklaroj se ura e Badocit është shumë stabile:, kishte thënë ai.