Rreth 50 centimetra borë ra në kryeqytetin spanjoll, Madrid, një nga zonat e goditura më rëndë, të premten dhe të shtunën. Të paktën katër persona humbën jetën dhe mijëra udhëtarë mbetën të bllokuar.
Gjatë natës, temperaturat shkuan në -8 gradë celcius në disa pjesë të Spanjës, në mes të paralajmërimeve të meteorologëve se bora do të shndërrohej në akull të rrezikshëm. I ftohti i pazakontë në gadishullin Iberik, pritet të zgjasë deri të enjten. Qeveria spanjolle tha se ka marrë masa shtesë, përfshirë autokolonat e shoqëruara nga policia, për të shpërndarë një ngarkesë prej rreth 300 mijë vaksinash të koronavirusit, në mënyrë që ato të mbërrijnë siç ishte planifikuar tek autoritetet shëndetësore rajonale.
Ushtarët janë angazhuar për të pastruar rreth 700 rrugë. Mbi 3500 tonë kripë janë sjellë me kamionë në kryeqytet. Aeroporti ndërkombëtar i Madridit ka rifilluar punënnë mënyrë graduale, të dielën pasdite, pasi kishte anuluar të gjitha fluturimet që nga e premtja. Rreth 500 persona në rajonin e Madridit u detyruan të kalonin natën në strehime të përkohshme pasi kanë mbetur të bllokuar nga bora.
Spanjollët në shumë pjesë të vendit ndërkohë, janë paralajmëruar të tregojnë kujdes për ditët në vijim pasi temperaturat mund të arrijnë -12 gradë celcius në shumë zona, deri të enjten.