in

"Huligani" dhe Milo, opozitari i përgjegjshëm

Shkruan: Dush Gashi

“Huligan”, e pat quajtur para do vitesh Milo Gjukanoviqi Dritan Abazoviqin në një senacë të Kuvendit të Malit të Zi.Që Milo Gjukanoviqit, dikur njeriu më i pushtetshëm për disa dekada në Mal të Zi, t’i shpëtojë kjo fjalë duhej të ndodhte diçka tepër tronditëse.

Dhe, në Mal të Zi vërtet ndodhën e po ndodhin gjëra dramatike. “Huligani” i dikurshëm, shqiptar nga Ulqini, tash është njeriu kyç i pushtetit në Mal të Zi, me shumë gjasa që të bëhet edhe kryeministër.Dritan Abazoviqi, politikani më interesant në rajon, po edhe më i guximshmi e më parimori, erdhi në pushtet me partitë proserbe në Mal të Zi, por duke i tërhequr disa vija të kuqe: për shembull, se s’bëhet fjalë për përcaktimin proevropian të Malit të Zi dhe se s’ka tërheqje të njohjes së Kosovës. 

Kjo nuk do të ndodhte, sikur Milo Gjukanoviqi, i cili ka merita për ndarje nga Serbia dhe anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, të mos ishte, nga ana tjetër, i përfolur edhe për shumë afera korruptive në Malin e Zi.Por, Milo Gjukanoviqi, sado ta ketë përjetuar hidhur rrëzimin nga pushteti, ai tash po tregohet opozitar shumë i përgjegjshëm dhe është i gatshëm të pranojë një qeveri të pakicës, me shumë gjasa me “Huliganin” në krye, se sa vendi i tij të rrëdhqasë në “botën serbe”, apo të vazhdojë të jetë në jostabilitet të përhershëm.

“Ne do të mbështesim çdo qeveri që do të ruajë karakterin qytetar dhe laik të Malit të Zi, do të promovojë demokracinë multietnike dhe do të kontribuojë në zhvillimin dinamik ekonomik, në mënyrë që Mali i Zi, si një vend i zhvilluar demokratikisht dhe ekonomikisht, të jetë pjesë e Bashkimit Evropian në të ardhmen e afërt”, thotë ai në një intervistë për Dë-në.Sipas tij, “do të jetë shumë e rrezikshme për Malin e Zi, nëse koalicioni qeverisës bëhet kaq i varur nga nacionalizmi serbomadh”.Gjasat janë, pra, që Dritan Abazoviqi të jetë kryeministër i Malit të Zi.Por, Milo Gjukanoviqi e ka mësuar edhe një mësim tjetër: se nuk mund të vazhdojë të qeverisë edhe më tej Malin e Zi si shtet privat, prandaj flet për ndryshimet dhe reformat në partinë e tij.

Do të ishte mirë që këtë mësim ta mësojnë edhe disa opozitarë tanë, të cilët edhe sot e kësaj dite, pasi që tërë bota e ka hedhur poshtë, ofrohen me idenë për ndarjen e Kosovës! Ndërsa kemi edhe media, të cilat i promovojnë njerëzit e tillë!

Lini një Përgjigje

Serbia i kërkon BE-së e UNDP-së të mos e rinovojnë shtëpinë e Xhafer Devës

Xhafer Deva i shpëtoi hebrenjtë