Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, takoi të hënën ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, me të cilët diskutoi për bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, me theks të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, njofton Qeveria e Kosovës.
Sipas komunikatës së lëshuar për media, Hoti u shpreh i vendosur “për të fuqizuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, si dhe shprehu “gatishmërinë e tij për të punuar së bashku në këtë drejtim me qeveritë e vendeve anëtare të QUINT-it”.
Në grupin e QUINT-it bëjnë pjesë ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Takimi i së hënës u zhvillua pas një sërë kritikash në adresë të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task-Forcës Antikorrupsion.
Më 19 tetor, Qeveria e Kosovës ka vendosur ta mbyllë këtë task-forcë, që ishte pjesë e Policisë së Kosovës, duke vlerësuar se çështjet me të cilat merrej ajo, tani duhet të rregullohen me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial./Evropa e Lirë