in

Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik(6)

Ribotim: Kuvendi i Françeskanëve dhe togeri Hans Valdhajm

Me gjithë lëvizjet në ethe të legatave, rrjetit të spiunëve e grupeve për organizimin e  turbullirave, që nga mëngjesi pritej hyrja e trupave të freskëta të ushtrisë austro-hungareze. Edhe sa ushtri do të futeshin e do t’ia mbathnin? Lusja Zotin që kjo të ishte ushtria e fundit. Por Zoti bënte punën e vet, na ndëshkonte për mëkatet që nuk i dinim, më mbushej mendja se na ndëshkonte pa të drejtë. Sa herë e mendoja këtë blasfemi bëja kryqin dhe i kërkoja të falur Hyut. 

Trupat u futën në Shkodër nga Ulqini, duke vazhduar tutje drejtë Jugut. Parakalonin nëpër kalldrëmin e vjetër, në formacion solemn me ushtarë, armatim, kuaj e mushka. Zejtarë e çirakë i prisnin para dyqaneve, si t’i kishte urdhëruar dikush. Kalimtarët e rastit ngjisheshin për muret e ulëta që t’ua lëshonin rrugën. 

Ushtarët e kapardisur e shtatgjatë nuk e shikonin askënd. Ndryshe nga ushtritë e shumta që parakaluan viteve të fundit, secila më rrjepacake se tjetra, austriakët dukeshin të ushqyer e të mbajtur mirë. Lodhja e pluhuri ua mbulonte fytyrat e ashpra, të ashpërsuara edhe më nga dielli e era. 

Ndërkaq, në qytetin buzë liqenit lodhja nga lufta ndihej kudo: në fytyrat e hutuara të shkodranëve, në rrugicat e kalldrëmit të ciflosur nga gjylet e topit, në magazinat e ringritura, ku prapë nuk hiqej bloza e djegieve e zbrazësia e depove të plaçkitura. Ushtrinë që u fut në qytet e udhëhiqte majori me mustaqet spicë e fytyrë të rreptë, i zymtë e i zemëruar, sikur donte të grindej me retë që notonin të holluara në qiell.  

Për habinë e të gjithëve një grup ushtarësh u shkëput nga kolona dhe u drejtua nga Kuvendi i Françeskanëve. Më vonë mora vesh se ushtaraku quhej Hans Valdhajm, toger. Tetari që e shoqëronte, kur m’u prezantua ma tha emrin Stipe Kramariq, vinte nga Kroacia.  Nga biseda e përzemërt, sepse nuk ishim mësuar që ushtarakët të silleshin me korrektësi ndaj nesh, kuptuam se ai erdhi me një mision të veçantë, të shenjtë sikurse thoshte: do të bënte hulumtime arkeologjike. Donte të nxirrte në sipërfaqe të kaluarën e lavdishme të shqiptarëve nga antika deri në mesjetë, vazhdonte të parashtronte misionin e tij. 

Ai fliste i entuziazmuar e me pasion, gjë që na bëri përshtypje, sepse dukej e pazakonshme që ushtarakët të na flisnin për arkeologji. 

Nuk kishte shumë kohë që nëpër Shkodër e Lezhë kaluan dy arkeologët e njohur austro-hungarezë, të cilët bënë hulumtime në një terren të gjerë, duke nisur nga Mali i Zi, Kosova e Shqipëria Nga informacionet që kishim, hulumtimet e tyre u përqendruan në antikën ilire, pa e paragjykuar vetëm një qytet. Megjithatë, dy arkeologët hulumtuan e nxorën objekte të shumta antike në Lezhë, pastaj kaluan në Durrës, duke u kthyer rrugës së vjetër në Prizren, Pejë e Istog. 

Oficeri austriak ndryshonte nga ta. E shquante oratoria, fjalori paksa i ngarkuar me zhargonin ushtarak, por nuk i mungonin njohuritë e thelluara për Shqipërinë e shqiptarët.    

Superiori ynë e shihte me interesim gjatë tërë kohës, ndonjëherë ia tumirte fjalët, kur duhej ia plotësonte informacionin. Togeri austriak ndiente simpati për shqiptarët, e njihte jetën e bëmat e heroit tonë, Gjergj Kastrioti, si pakkush tjetër. Kjo na e përkëdhelte sedrën, na bënte të ndienim simpati ndaj tij. Por, kur e përmendi Lezhën, mbetëm gojëhapur. Shikuam njëri-tjetrin: e tha vërtet se gërmimet do t’i  niste në Lezhë apo e dëgjuam gabim? Ai si për të na e hequr çdo dyshim e përsëriti edhe një herë: qytetin Luisus. Mbetëm gojëhapur.   

Nuk e prisnim që dikush të anashkalonte Shkodrën për Lezhën. Për herë të parë dëgjohej kjo gjë. Superiori ynë nuk ndërhyri, ne të tjerët vetëm dëgjonim. Me gjithë përpjekjet e të parit tonë të mësonte diçka më shumë, kur nisi parashtrimi i pjesës praktike, toger Hansi nuk e thoshte se ku do të përfundonin objektet e gjetura: në Shkodër, Lezhë apo në Vjenë. Vazhdimisht e thoshte se do të hapnin një muze, vendin e muzeut e ngatërronte. Herë e përmendte Lezhën, herë Shkodrën, përnjëherësh bënte aluzione për Muzeun perandorak në Vjenë.     

-Gjetjet arkeologjike nga Lezha do të zënë vend të denjë në Muze, – e vinte në pah, thuajse me këtë na bënte nder. Për ta davaritur atmosferën e pakëndshme me përgjigjet e munguara, ai fliste me entuziazëm.  

-Më kanë mrekulluar armët e mbretit tuaj- na thoshte, duke e ndjekur reagimin tonë.

 – I kam shikuar shumë herë dhe i kam studiuar me interesim të veçantë.

Superiori ynë e ndiqte në heshtje. Ushtaraku austriak përpiqej të na bindte në përkushtimin ndaj Skënderbeut. Dikur superiori ynë nisi të tregohej më i matur e më fjalëpakë. I tha që unë shërbeja në famullinë e qytetit, në kufi me katundet përreth, ku do të kthehesha pas disa ditësh, kështu që sa herë të haste në ndonjë vështirësi apo paqartësi mund të më konsultonte. 

-Ne nuk përziheshim në punët politike e as në ato ushtarake, – i tha përgjegjësi ynë. 

Mbase të bënte përshtypje, a të fitonte simpatinë tonë, e tha se ishte pinjoll i një familjeje të njohur vjeneze, si të donte të thoshte se edhe ai rridhte nga një familje në zë, duke e njohur psikologjinë tonë të familjeve të fisme, që po pakësoheshin gjithnjë e më shumë. 

Togerit austriak i tregova se në Lezhë hulumtuan edhe më parë ushtri e aventurierë nga Perëndimi e Lindja. Nuk e dinim çfarë kërkonin e çka gjetën. Asnjëherë nuk u dhamë zemër, as nuk patëm  mundësi t’i zbythnin.  Prandaj, nuk e dinim çka zbuluan e çka mbetën pa zbuluar, përderisa kërkonin me ngulm. 

Dita po jepte shpirt. E ftuam në darkë pas mbrëmësores, por togeri na tha se nxitonte të sistemohej. Nesër në mëngjes do të shihte terrenin e gërmimeve. Ne iu kthyem obligimeve tona, ai u nis me nxitim.  

Hapat nëpër kalldrëmin e vjetër paralajmëronin një rregull të ri, të paparë deri atëherë. Arkeologu ushtarak do të hapte barkun e qytetit të vjetër të Lezhës, do të nxirrte nga toka e nuk do të fuste asgjë në të, ashtu sikurse bënin zakonisht ushtritë në kohë lufte. Ai do të fillonte nga varret antike.   

Nesër: Gërmimet në hijen e luftës

Lini një Përgjigje

Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik(6)

Një ekip “misterioz” menaxhues do të paraqesë statutin e Asociacionit