Kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk beson se kancelarja gjermane Angela Merkel do ta përfundojë mandatin e saj pa zgjidhur çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka bërë të ditur se gjatë periudhës së pandemisë ka qenë në Berlin tre herë, por se nuk ka bërë deklarime.
“Nuk pres që kancelarja Merkel do të shkojë në shtator – nuk do të shkojë prej zyrës pa e kryer liberalizimin e vizave”.
“Kam qenë tre herë në Berlin në kohët e pandemisë, por s’kam bërë deklarime. I kam lutur që këtë çështje ta kryejë kancelarja Merkel – I kam lutur që ajo të ndërmjetësojë edhe në dialogun Kosovë-Serbi”.
“E kam të vështirë të premtoj pas gjithë asaj që ka ndodhur, por e kam një shpresë që Merkel nuk do ta kryejë mandatin pa e përfunduar çështjen e liberalizimit të vizave”.
Qeveria AAK-Vetëvendosje është e mundshme
Kryetari në detyrë i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë që një qeveri me Lëvizjen Vetëvendosje do të ishte e mundshme, pas zgjedhjeve.
“AAK-ja është e vetëdijshme se cka na pret pas zgjedhjeve. Sa na përket neve një qeveri AAK-Vetëvendosje është e mundshme. Varet nga vullneti i VV-së, ata e vlerësojnë a kanë nevojë apo jo, nëse i fitojnë zgjedhjet, por është e mundshme dhe është opsionale”.
Haradinaj ka thënë që vijat e kuqe sipas tij, nuk i konvenojnë asnjë partie politike.
“Ne si AAK, shkojmë në koalicion me qytetarin, me votuesin s’kemi dhënë preferenca se me kë do të bashkëqeverisim. Do të ishte një pozicion i gabuar i secilit nga ne për vijat e kuqe, për shkak se janë 2/3”.
“Sikur të ishte vetëm qeveria në pyetje, është e logjikshme të bënim ndarjen”.
Haradinaj megjithatë vlerëson që është e vështirë që një subjekt tjetër politik, t’i bëjë punët që i ka kryer AAK-ja.


