Një çarje e madhe në tokë është hapur pranë Spitalit Ponticelli në Napoli pas një zhurme të fortë që fillimisht mendohej se ishte një shpërthim. Qendra ku po trajtoheshin pacientët për Kovid 19 në këtë institucion është evakuuar menjëherë. Zjarrfikësit dhe njësitë e qenve nuhatës ende po kërkojnë për viktima të mundshme
Ende nuk ka raporte për lëndime apo vdekje në këtë incident, megjithatë zjarrfikësit ende janë duke punuar në vendin e ngjarjes, ku gjithashtu po zhvillohen hetime për të ditur shkakun e kësaj dukurie.Vrima masive që llogaritet të jetë rreth 50 metra e gjërë dhe rreth 15 metra e thellë u hap në parkingun e këtij spitali, duke përpirë disa automjete që gjendeshin aty.
Incidenti ndodhi midis orës 6:30 dhe 6:45 me kohën lokale dhe megjithëse u raportua fillimisht se ishte një shpërthim, autoritetet tani dyshojnë se ishte një shembje e nëntokës duke shtuar se “Për momentin nuk ka asnjë element që të çojë në dyshimin se mund të ketë pasur një veprim dashakeqës”.
Raportet fillestare treguan se tubacionet nëntokësore të oksigjenit të spitalit mund të kenë shpërthyer ose se një rrjedhje mund të ketë shkaktuar grumbullimin e gazit dhe si pasojë shpërthimin pasues.Njësitë e qenve janë vendosur në vendngjarje për të kërkuar këdo që mund të jetë mbuluar nga mbeturinat apo të kenë qenë të bllokuar në makinat e tyre.