Të martën në Gjykatën e Posaçme të Kosovës në Hagë u hap procesi gjyqësor ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte.
I arrestuar më 16 mars të vitit 2021 në Belgjikë, Pjetër Shala i njohur gjatë luftës në Kosovë me nofkën “komandant Ujku”, akuzohet për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Sipas akuzës që është ngritur më 12 qershor të vitit 2020 dhe konfirmuar në nëntor të vitit 2021, “krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit të vitit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Prokurorët thanë se zoti Shala ishte pjesë e një grupi kriminal që arrestoi dhe keqtrajtoi rëndë të paktën 18 persona që konsideroheshin si spiunë ose bashkëpunëtorë të serbëve.
Prokurori Alex Whiting tha se Pjetër Shala kishte kryer një vrasje duke marrë pjesë në rrahjen e një burri dhe duke e qëlluar atë në këmbë, që i kishte shkaktuar gjakderdhje viktimës për disa orë.
Zoti Shala tha sot se ndjehet i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave të ngritura kundër tij. “Unë nuk pranoj asgjë, është e gjitha e sajuar”, tha ai.
Prokuroria tha se deri më tani janë paraqitur tetë persona në cilësinë e viktimave në procesin ndaj Pjetër Shalës.
Ky është procesi i dytë gjyqësor në Gjykatën së Posaçme në Hagë ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me 26 vjet heqje lirie Sali Mustafën një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte.