in

Hapet ekspozita “Kujtesa e Kosovës: FAMILJA JASHARI – në dritën e betejës për liri”

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, sot, për nder të 23-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kujtim të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri, hapi ekspozitën: “Kujtesa e Kosovës: FAMILJA JASHARI – në dritën e betejës për liri”.

U ekspozuan për herë të parë artikuj të gazetave dhe të revistave të Kosovës, pjesë e koleksioneve të BKK-së, që pasqyrojnë ngjarjet që përkojnë me familjen Jashari dhe Kryekomandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe përfshijnë periudhën nga fundi i dhjetorit të vitit 1991 deri në mars 1998.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Znj.Vlora Dumoshi, tha se shëmbëlltyra e familjes Jashari është unike dhe se me rënien e kësaj familjeje për Kosovën po fillonte një epokë e re – siç u shpreh ajo “epoka drejt çlirimit të Kosovës”. Znj.Dumoshi shtoi se ideali për të cilin luftoi komandanti Adem Jashari me familjen e tij dhe bashkëluftëtarët e tjerë në Kosovë, u realizua me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Drejtori i Bibliotekës, Z. Fazli Gajraku, tha se kjo ekspozitë është një hap i bibliotekës në idenë konkrete për të arritur deri te krijimi i një arkivi me materiale për Familjen Jashari, me libra, artikuj, fotografi, dorëshkrime, video dhe audio-incizime – një rrjedhë e vijueshme e informacionit, duke përfshirë edhe mendimet e kujtimet e të tjerëve dedikuar Familjes Jashari. Z.Gajraku shtoi se, nëse kështu po ndërtohet koleksioni për Adem Jasharin dhe Familjen Jashari, në thelb po ndërtohet në fundament koleksioni i Bibliotekës Kombëtare të Republikës së Kosovës, të shtetit për lirinë dhe pavarësinë e të cilit u flijua kjo familje.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Z. Bekim Jashari, i familjes së Jasharëve, njëherit edhe kryetar i Komunës së Skenderajt. Z. Jashari tha: “Ai popull që nderon dhe respekton të kaluarën, të ardhmen e ka të sigurt”.

Ekspozita “Kujtesa e Kosovës: FAMILJA JASHARI – në dritën e betejës për liri” do të qëndrojë e hapur deri më 19 mars 2021.

Lini një Përgjigje

Vajza e Adem Jasharit, Shqipja, kishte mbajtur fjalim në vitin 1998 para UÇK-së

Lansohet fushata “Bashkë kundër COVID-19”