Ka filluar procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Votën e parë e ka hedhur kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka.
Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e pandemisë COVID-19.
Daka ka kërkuar edhe nga subjektet politike që të respektojnë rregullat e KQZ-së dhe ligjet për zgjedhjet.
“Sapo përfundova obligimin kushtetuese. Si kryetar e KQZ konfirmoj që KQZ ka përfunduar të gjitha përgatitjet dhe obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore. Sot ne ua dorëzojmë gjithë procesin subjekteve politike dhe votuesve. KQZ sot do të bëjë vetëm monitorimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve. I ftoj qytetarët t’i respektojnë të gjitha rregullat e pandemisë. I ftojë edhe subjektet politike që të respektojnë të gjitha rregullat e KQZ të respektojnë dhe ligjin për zgjedhjet”, tha Daka pas votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, sipas të cilës janë 1 milion e 794 mijë e 862 votues.
Numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje, që do të votojnë për herë të parë pasi kanë mbushur 18 vjeç pas zgjedhjeve të vitit 2019 është 49 mijë e 198 votues.
Ndërsa numri i atyre që nuk kanë qenë në listën votuese të atyre zgjedhjeve, e të cilët konsiderohen të regjistruar për herë të parë në regjistrim qendror civil mes dy palë zgjedhjesh është 10 mijë e 433 votues.