Goditja e kreut të PD-së, Sali Berisha është dënuar edhe nga ambasada britanike në Tiranë. Në faqen e saj zyrtare në Twitter ajo i përmend edhe emrin Berishës, ndryshe nga SHBA, por nuk jep statusin e saj si kryetar i PD-së.
“Dhuna nuk ka vend në demokraci. Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë gjithmonë të drejtën për protestë paqësore. Sulmi ndaj Sali Berishës është një sulm i papranueshëm ndaj fjalës së lirë. Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria qëndrojnë krah për krah në mbështetjen tonë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës” – shkruan ambasada britanike.
Më herët një deklaratë bëri edhe ambasada e SHBA nëpërmjet një zëdhënësi.
“U skandalizuam nga sulmi fizik sot ndaj një anëtari të parlamentit dhe presim që autoritetet ta hetojnë plotësisht incidentin. Askush nuk duhet sulmuar sepse ushtron lirinë e fjalës ne përputhje me ligjin” – thuhej në reagim.
Kujtojmë se Berisha është shpallur non grata si nga SHBA ashtu edhe nga Britania e Madhe. Sulmi është dënuar edhe nga OSBE që bën thirrje që të shmangen spekulimet dhe të vijojnë hetimet. ©LAPSI.al