in

Gjysma e punëtorëve të Postës nuk i kanë marrë rrogat e dhjetorit

Ndërmarrja Publike Posta e Kosovës më datë 18 janar të këtij viti ka shpallur konkurs për 35 pozita të lira, edhe pse gjysma e punëtorëve nuk i kanë marrë rrogat e dhjetorit.

Në ndërkohë, gjysma e punëtorëve të kësaj ndërmarrje publike ende nuk i kanë marrë pagat e muajit dhjetor të vitit të kaluar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, kryesuesi i bordit të drejtorëve të Postës, Leonard Shabanaj, tregoi se cilët punëtorë ende nuk i kanë marrë pagat e muajit dhjetor 2020.

“Pagat e dhjetorit prej gradës 1 deri në 7 i kanë marrë. Prej gradës 7 deri në 17 nuk i kanë marrë. Deri të premten pritet t’i marrin, kështu ma ka prezantu kryeshefi, pasi këto janë punë të menaxhmentit, nuk janë të bordit”, ka thënë Shabanaj.

Gradat e përmendura nga Shabanaj janë koeficentët e pagës të përcaktuara nga ligji, varësisht prej pozitës.

Ndërsa ai ka bërë të ditur se vetëm Telekomi i Kosovës ka borxh ndaj Postës rreth 2 milionë euro.

“Arsyeja është se kemi borxhli të mëdhenj që nuk po munden me na u përgjigj. Domethënë Telekomi i Kosovës na ka borxh rreth 2 milionë euro, nuk ka mund me u përgjigj për qira. 500 mijë të tjera janë nga institucionet shtetërore, kjo është arsyeja e vonesës”, ka thënë Shabanaj përmes telefonit.

Kurse sipas konkursit të publikuar, pozitat e hapura për konkurs janë për zhvillues të softuerëve, administrator në përkrahjen e rrjetit, zyrtar për mjete themelore, punëtorë sporteli, postier dhe shtëpiak.

Në njoftim thuhet se Posta është duke bërë përpjekje për të zhvilluar biznesin sipas përvojave të shërbimeve postare dhe komerciale, për t’i arritur standardet ndërkombëtare në ofrimin e shërbimeve postare dhe komerciale.

“Në këtë aspekt, Posta e Kosovës Sh.A. ofron mundësi të barabartë punësimi të profesionistëve që synojnë të jenë pjesë e zhvillimit të biznesit dhe kompetencave të Korporatës, në përputhje me metodat dhe praktikat moderne”, thuhet në njoftim.

Konkursi është hapur më 18 janar 2021 dhe afati për aplikim është deri më 30 janar.

Në këtë konkurs janë hapur 2 pozita për zhvillues të softuerëve, 1 pozitë për administrator në përkrahjen e rrjetit, 1 pozitë për zyrtar të mjeteve themelore, 10 pozita për punëtorë sporteli, 20 pozita për postierë dhe 1 pozitë për shtëpiak.

Përveç këtij konkursi, Posta e Kosovës ka hapur konkurs edhe për pozita të larta si Kryeshef Ekzekutiv, apo Zyrtar Kryesor të Financave.

Lini një Përgjigje

Marrëveshja e Uashingtonit do të konkretizohet dhe Brezovica do të kthehet në qendër ndërkombëtare të skijimit!

Evropa dhe NATO-ja i gëzohen inaugurimit të Bidenit