in

“Gjylja e madhe plasi”, mos u mëzit “tre ditë dhe harrohet”

Në 30 vite në këtë vend kanë ndodhur gjëmat nga më të mëdhatë dhe sërish nuk mban përgjegjësi njeri.

Nga Laert Miraku

Prej 24 orësh në media flitet se afera e inceneratorëve është skandali më i madh që ka ndodhur deri tani në tre dekadat e tranzicionit shqiptar. Një çift të moshuarish, saktësisht të moshës 94 dhe 95 vjeç janë përfshirë në skemën e inceneratorëve. Në dokumente ata janë të bërë përfitues të 30 milionë eurove. Përflitet për një evazion fiskal deri 189 milionë dollarë me fatura false, të marra nga buxheti i shtetit dhe të përvetësuara nga skema korruptive me pjesëmarrje të zyrtarëve dhe privatëve. Sigurisht, është ngjarja e ditës, por skandali më i madh? Edhe kjo si gjithë të tjerat, tre ditë dhe do të harrohet. Të huajt na thonë gjithmonë se ne shqiptarët nuk kemi memorie historike. “Pa e ditur se nga vjen nuk e di se nga po shkon”, thotë populli ynë.

Një pjesë e atyre që besojnë te drejtësia e re do më quajnë pesimist dhe dashakeq, por faktet flasin ndryshe. Në historinë e shtetit shqiptar do përmend përciptazi vetëm Ahmet Zogun që u arratis me floririn e shteti shqiptar dhe i la rrugë të lirë Italisë Fashiste për të pushtuar vendin. Dhe Enver Hoxha i cili ndryshoi humanitetin e shqiptarëve duke i kthyer qenie të rrezikshme, kur vëllai spiunonte vëllanë, kur gruaja fuste në burg burrin, kur nëna përgjonte djalin, e kur babi demaskonte për sjellje të huaja vajzën. Edhe në “demokraci” nuk është se ndryshuan shumë gjërat.

Në 30 vite në këtë vend kanë ndodhur gjëmat nga më të mëdhatë dhe sërish nuk mban përgjegjësi njeri. Ngjarjet janë të rënda dhe të shumta në numër. Unë do përpiqem të kujtoj disa për të cilat sot flitet pak ose aspak. Në rend kronologjik do përmend vetëm disa.

  1. Privatizimi i minierave, “falja” e tyre te të huajt. Nga këto privatizime shqiptarët nuk fituan asgjë, të huajt u bënë milionerë duke vjedhur nëntokën e shqiptarëve.
  2. Ligji 7501, ndarja e tokave për shqiptarët pa asnjë studim, efektet e vëllavrasjes për tokën do na shoqërojë edhe për një kohë të gjatë.
  3. Shembja e të gjitha uzinave, fabrikave dhe kantiereve për llogari të fqinjëve, qëllimi i qartë, Shqipëria të jetë vetëm vend konsumator dhe jo prodhues.
  4. Firmat Piramidale, vjedhja e parave të shqiptarëve dhe kaosi në vend. Pjesa më ë madhe e parave u depozituan në bankat greke. U arrestuan vetëm ushtarët, paratë nuk u kthyen kurrë.
  5. Zhdukja e nëndetëseve, avionëve luftarakë dhe e helikopterëve. Pa përmendur këtu municionet.
  6. Hapja e depove ushtarake në vitin 1997, pasoi me vëllavrasje. Hapja u inskenua nga qeveria e kohës për të mbuluar vjedhjet dhe skandalet deri në atë pikë.
  7. Dërgimi i tankeve për të shtypur revoltat dhe për të vrarë shqiptarët në jug. I kujtoni ato vite kur tanket u dogjën bashkë me të “dërguarit” e shtetit për të vrarë.
  8. Heshtja në vitin 1997 kur grekët filluan të pushtojnë Shqipërinë. Politikanët tanë fshehën kokën si struci, por në atë rast na shpëtoi Turqia. Kryeministrja turke i dha ultimatum Greqisë se “nëse brenda 24 orëve nuk tërhiqen trupat greke, atëherë do ta pushtojmë brenda një ore Greqinë.”
  9. Privatizimet, shitja e telekomunikacionit, superafera CEZ-DIA, privatizimi i pronave shtetërore të cilat u shitën me çmime qesharake.
  10. Marrëveshja politike e vitit 2008 që legalizoi partitë e kryetarëve. Që prej asaj kohe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk përfaqësojnë më popullin por interesat e kryetarëve. Ka humbur sovraniteti.
  11. Skandali për rrugën e Kombit, rrugën e Arbrit, Tiranë-Elbasan, Kardhiq-Delvinë, Tiranë-Durrës, etj.
  12. Vjedhja e floririt në Krrabë, vlera ishte shumë herë më e madhe se ajo që flitet sot.
  13. Mega skandali i Gërdecit ku humbën jetën 26 persona. Bosët e vërtetë ende nuk kanë bërë asnjë ditë burg për këtë.
  14. Privatizimi i rafinerive të naftës. Privatët gjithmonë dilnin me “humbje”, derisa u shkatërruan të gjitha.
  15. Betonizimi i bregdetit të Shqipërisë pa asnjë kriter dhe studim. Shkatërrimi me pasoja të renda i një bregdeti të virgjër.
  16. 21 Janari dhe shkaku përse shqiptarët dolën në protesta. Shteti vrau 4 të pafajshëm në kushte flagrante.
  17. Shitja e detit Greqisë. Vendi fqinj nuk kërkon thjesht ujë. Zonat që ajo tashmë i mori Shqipërisë janë të pasura me naftë. Politika shiti një tjetër pasuri të shqiptarëve. Për ata që se besojnë, prisni dhe pak sa ta legalizojnë ndërkombëtarët.
  18. Betonizimi i Tiranës pa studime dhe strategji zhvillimi.
  19. Shkatërrimi i monumenteve kulturore dhe historike. Vjedhje e objekteve me rëndësi të jashtëzakonshme historike dhe kulturore dhe shqitja e tyre jashtë vendit në tregun e zi.
  20. Shitja e çështjes Çame. Paaftësia për të folur dhe për të kërkuar drejtësi ndërkombëtarë për gjenocidin e bërë ndaj shqiptarëve në Greqi, Kosovë, Serbi, Maqedoninë e Veriut në Malin e Zi.
  21. Françesko Beketit, shteti shqiptar duhet t’i paguajë 140 milionë euro. Nëse nuk paguajmë sekuestrohen asetet e Shqipërisë jashtë vendit.
  22. Borxhet e marra për tërmetin dhe pandeminë. Për gati 500 milionë euro, qeveria nuk ka një përgjigje konkrete të dokumentuar se ku shkuan.
  23. PPP-të, Partneriteti Publik Privat, skema ideale për të vjedhur nga buxheti i shtetit.
  24. Mijëra denoncime nga KLSH, demaskime të medias për vjedhje flagrante dhe sërish asgjë nuk është bërë.
  25. Marrëveshja e politikanëve shqiptarë për ta mbajtur Shqipërinë jashtë dyerve të BE-së sepse nëse bëhemi pjesë e Unionit ata nuk mund të bëjnë dot kërdinë në vjedhje si po bëjnë tani. Besoj e keni dëgjuar se sa herë që nuk hapen negociatat me BE-në, në Tiranë politikanët shqiptarë hapin shampanjë për fitoren e radhës.

Ka shumë ngjarje të tjera të rëndësishme që kanë ndodhur në vendin tonë përgjatë 30 viteve të fundit. Unë zgjodha të përmend vetëm disa. Secili prej jush mund të shtojë shumë e shumë të tjera. Në shqiptarëve tashmë na është bëre zakon se çudia me e madhe vetëm tre ditë zgjat dhe më pas harrohet.

Sigurisht, afera e incineratorëve është e madhe, por jo vjedhja më e madhe e këtyre 30 viteve. Kjo ngjarje mund të futet në histori vetëm nëse arrestohen dhe dënohen aq sa parashikon ligji të gjithë strategët e kësaj vjedhje të madhe. Sigurisht edhe nëse iu merren paratë. Por gjithkush që po lexon këtë shkrim e di mirë se kjo gjë nuk mund të ndodhë.  E vërteta tashmë dihet, mos u mëzit, “tre ditë dhe harrohet”. /Liberale.al/

Lini një Përgjigje

Kamberi: Reciprocitet mes Luginës dhe serbëve të Kosovës

“Kosovarizmi islamik”