Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, rreth orës 14:30, në rrugën Prishtinë – Podujevë, në fshatin Lluzhan, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar nga arma e zjarrit.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës Agron Borovci.
“Sot rreth orës 14:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën Prishtinë – Podujevë. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se nga një veturë e tipit Passat, një person i dyshuar ka shtënë në drejtim të një veture Golf, ku ndodheshin katër persona, nuk raportohet për persona të lënduar. “Lidhur me këtë rast i cili është cilësuar si vrasje në tentativë, policia ka identifikuar një person të dyshuar dhe është në kërkim të tij”, është shprehur Borovci.