Prokurorët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë kanë hedhur poshtë thirrjet e Ujgurëve refugjat për të hetuar Kinën për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, tha zyra e kryeprokurorit në një raport të hënën.
Ujgurët i dhanë një dosje të madhe provash gjykatës në korrik duke akuzuar Kinën për mbylljen në kampe të riedukimit të më shumë se një milion Ujgurëve dhe të pakicave të tjera kryesisht myslimane, si dhe për sterilizimin e dhunshëm të grave. Por zyra e prokurorit Fatou Bensouda tha se nuk ishte në gjendje të vepronte sepse veprimet e pretenduara ndodhën në territorin e Kinës, e cila nuk është nënshkruese e GJPN-së (Gjykatës Penale Ndërkombëtare) me bazë në Hagë.
Në raportin e saj vjetor zyra e Bensouda tha “ky parakusht për ushtrimin e juridiksionit territorial të gjykatës nuk duket se është përmbushur në gati shumicën e krimeve të akuzës.”
Gjithashtu në raport thuhej se nuk kishte “baza për të vazhduar në këtë kohë” me hetimin e pretendimeve të veçuara të dëbimeve me forcë të Ujgurëve përsëri në Kinë nga Taxhikistani dhe Kamboxhia, tha raporti i GJPN-së.
Ujgurët kishin argumentuar se edhe pse dëbimet e pretenduara nuk ndodhën në tokën kineze, GJPN mund të veprojë sepse ato ndodhën në territorin Taxhik dhe Kamboxhian dhe të dy ata janë anëtarë të GJPN-së. Avokatët e Ujgurëve kanë kërkuar që gjykata ta rishikojë këtë çështje “në bazë të fakteve ose provave të reja”, tha raporti i prokurorit të GJPN-së.
Kina i ka quajtur akuzat të pabaza dhe thotë se objektet në rajonin veriperëndimor të Xinjiang janë qendra trajnimi për punë që synojnë largimin e njerëzve nga terrorizmi. GJPN nuk ka asnjë detyrim të marrë në konsideratë ankesat që i paraqiten prokurorit, i cili mund të vendosë në mënyrë të pavarur se cilat çështje t’u paraqiten gjykatësve në GJPN, të ngritur më 2002 për të vënë drejtësi për krimet më të rënda në botë. France 24
Përktheu e përgatiti Valmir Mehmetaj