in

Gjakova çerdhe e komunizmit (1)

 

Shkruan av. Zanfir Kryeziu 

 

Komunistët gjakovarë me sllavët (bulgarët) e Shqipërisë e formuan Partinë Komuniste të Shqipërisë, nën tutelën e Miladinit e Mugoshës.

 

Opinionisti i mirënjohur shqiptar, Kastriot Myftaraj, në artikullin e publikuar me 27.03.2015” Gjakovarët në themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë në mes tjerash thekson: Asnjë qytet i Shqipërisë nuk ka pasur aq peshë sa Gjakova në ngjarjen e cila përcaktoi një kthesë afatgjatë në historinë e Shqipërisë, që është themelimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë (PKSH) në nëntor 1941. 

Në mbledhjen themeluese të partisë morën pjesë 15 përfaqësues nga të tre grupet komuniste që ekzistonin në atë kohë në Shqipëri (nga pesë vetë për çdo grup), Grupi i Korçës, Grupi Komunist i Shkodrës, Grupi i të Rinjve. Përveç këtyre të pesëmbëdhjetëve në mbledhje ishte i pranishëm edhe Koço Tashko, si i dërguari i mëparshëm i Kominternit, por që i përkiste Grupit të Korçës dhe dy të dërguarit komunistë jugosllavë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha të cilët kishin ardhur tani me detyrën e arbitrit të plotfuqishëm. 

Nga të gjashtëmbëdhjetë anëtarët e tre grupeve komuniste të Shqipërisë, të pranishëm në mbledhje, dy qenë sllavë: Vasil Shanto dhe Kristo Themelko. Katër qenë shqiptarë të lindur në Jugosllavi dhe që kishin ardhur në Shqipëri për t’ u shkolluar: Sadik Bekteshi, Ramadan Çitaku, Elhami Nimani, Sadik Stavileci. Dy qenë shqiptarë të lindur në trojet shqiptare në Greqi, që kishin ardhur me familjen në qytetin e Korçës: Koçi Xoxe dhe Pilo Peristeri. 

Nga pesë përfaqësuesit e Grupit Komunist të Korçës, vetëm një kishte lindur në qytetin e Korçës, Sotir Vullkani. Nga ky grup, përveç tre të përmendurve më lart, një ishte gjirokastrit, Enver Hoxha, ndërsa tjetri ishte nga fshati Lubonjë i Korçës, Sotir Lubonja. Nga pesë përfaqësuesit e Grupit të Korçës, në qytetin e Shkodrës kishin lindur vetëm dy: Sllavi Vasil Shanto dhe Tuk Jakova, shqiptar katolik me origjinë nga Gjakova, çka e tregon dhe mbiemri i tij. 

Qemal Stafa kishte lindur në Elbasan, në një familje me origjinë gollobordase, Sadik Bekteshi në Vuthaj të Plavës, Kristo Themelko në Vernik te Korçës, në zonën minoritare sllave, që në atë kohë kishte kombësi bullgare, jo maqedone. Nga pesë përfaqësuesit e Grupit të të Rinjve, tre qenë shqiptarë të Kosovës së sotme: Ramadan Çitaku (Drenicë), Elhami Nimani  (Gjakovë),  Sadik Stavileci (Gjakovë). Dy të tjerët qenë Anastas Lula nga Kolonja dhe Sadik Premte nga Gjormi i Vlorës. I gjashtëmbëdhjeti, Koço Tashko ishte me origjinë nga Frashëri i Përmetit, por kishte lindur në Egjipt ku kishte emigruar i ati. 

Qyteti që kishte më shumë përfaqësues në mbledhje ishte Gjakova, me dy: Elhami Nimani dhe Sadik Stavileci. Ndonëse edhe qyteti i Shkodrës kishte dy përfaqësues, por njëri prej tyre Vasil Shanto ishte sllav. Gjirokastra kishte një përfaqësues, Korça gjithashtu një. 

Të tjerët qenë me origjinë fshatare. Duke llogaritur edhe Tuk Jakovën, katolik me origjinë gjakovare, i lindur në Shkodër,del se Gjakova përfaqësohej në mbledhje me tre vetë, duke qenë qyteti prej nga ku kishte më shumë të pranishëm. Ky përfaqësim nuk ishte rastësor. Nga 200 anëtarët e parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, të themeluar në atë kohë, një e treta nuk qenë shqiptarë, por iu përkisnin minoriteteve të vendit, atij serb, grek dhe maqedon (para vitit 1945 quheshin “bullgarë”). 

Nga pjesa shqiptare e anëtarësisë, 40% qenë gjakovarë, 99% e të cilëve kishin lindur në Gjakovë. Gjakovarët përbënin gjithashtu numrin më të madh të komunistëve të PKSH si komunitet. Në atë kohë në Shqipëri kishte shumë shqiptarë nga Kosova e sotme dhe nga trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi të cilët kishin ardhur për studime, për t’ i ikur dhunës serbe etj. Ndër ta kishte shumë gjakovarë. Gjakovarët në atë kohë kanë qenë ndër kuadrot më të rëndësishëm të partisë së re. 

Më pas për pjesën më të madhe të tyre, historiografia komuniste jugosllave sajoi fabulën kinse ata me nisjen e luftës nacional-çlirimtare në Jugosllavi shkuan të kryejnë veprimtari komuniste në Kosovë, gjë që është pjesërisht e vërtetë. Me pushtimin e Jugosllavisë, ra kufiri ndërshqiptar dhe një pjesë e madhe e trojeve shqiptare të Jugosllavisë iu bashkua shtetit shqiptar, ndër to edhe Gjakova. Kështu që tashmë këta njerëz udhëtonin lirisht në këto territore që në përfundim të luftës do të ndaheshin përsëri nga kufiri shtetëror. Shembull për këtë janë disa komunistë të njohur gjakovarë si Elhami Nimani, Hajdar Dushi dhe Emin Duraku. 

 

Elhami Nimani, i lindur në qytetin e Gjakovës, erdhi në Shqipëri për t’ u shkolluar dhe u bë komunist. Në 1941, pas pushtimit të Jugosllavisë shkoi në Kosovë ku u bë anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Por çuditërisht dërgohet përsëri në Shqipëri për të marrë pjesë në mbledhjen themeluese të PKSH si përfaqësues i Grupit Komunist të Shkodrës?! Në 1942 shkon përsëri në Kosovë ku bëhet komisar politik i aradhes partizane “Zenel Hajdini”. Më pas arrestohet nga italianët dhe dërgohet në burgun e Tiranës nga ku arratiset në prill 1943 dhe iu bashkohet njësive partizane të Shqipërisë, nga ku më pas kaloi përsëri në Kosovë.  

Hajdar Dushi, i lindur në qytetin e Gjakovës, emri i të cilit pas luftës iu dha një gjimnazi në Gjakovë, erdhi në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore, u shkollua, ishte anëtar themelues i PKSH në 1941 dhe numër dy i saj për Qarkun e Durrësit. Prej vitit 1941 veproi mes Durrësit, Tiranës dhe Gjakovës. Në 1944 u vra nga gjermanët në Kala të Dodës, në Lumë e pas vitit 1945 u shpall Hero i Popujve të Jugosllavisë.

Emin Duraku, i lindur në qytetin e Gjakovës, erdhi në Shqipëri për t’u shkolluar, dhe në 1942 u largua nga Shqipëria për në Kosovë, për të kryer veprimtari komuniste atje, dhe u vra në përpjekje me Policinë. Por atij iu dha titulli i lartë Hero i Popullit në Shqipërinë komuniste për shkak të kontributit të tij në themelimin dhe rritjen e PKSH. 

Një pjesë e madhe e komunistëve gjakovarë u përdorën nga udhëheqësia komuniste jugosllave në drejtim të lëvizjes komuniste në Shqipëri, çka kuptohet nga kujtimet e Fadil Hoxhës, Ismet Shaqirit etj. Historiografia zyrtare komuniste e Shqipërisë nuk i dha kurrë emrat e 200 komunistëve të parë, anëtarëve themelues të PKSH. Arsyeja kryesore nuk ishte se shumë prej tyre u shpallën tradhtarë më pas nga Enver Hoxha, se ky nuk e kishte problem që t’i përmendte si tradhtarë, madje këtë gjë e bënte me kënaqësi. Arsyeja kryesore ishte se nëse do të publikohej lista me emrat e 200 komunistëve të parë, do të dilte e vërteta se çereku i tyre qenë gjakovarë. Anëtarët themelues të Partisë Komuniste të Shqipërisë nga Gjakova siç theksuam qenë këta: 

Nesër: Kush ishin komunistët jugosllavo-shqiptarë:  E. Nimani,  S. Stavileci, H. Dushi, E. Duraku, F. Hoxha etj

Lini një Përgjigje

Protesta të dhunshme në Dublin pas sulmit me thikë në afërsi të shkollës

Shenjtja Mari, Nëna e Hyjit, lutu për ne, burrat vrasës!