in

Gërvalla: Bisedojmë për mundësinë e integrimit të rajonit në BE

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, deklaroi sonte para darkës joformale në Bruksel, me shefin për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borell dhe me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, se pret që me partnerët e rajonit të bisedojnë rreth mundësive për një integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian.

“Kemi ardhur sot nga Kosova në darkën e organizuar nga përfaqësuesi i lartë i Politikës së Jashtme të BE-së z. Josep Borell. Në këtë darkë presim të bisedojmë shtruar, gjerë e gjatë, rreth mundësive për një integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian. Mendoj se kjo është arsyeja në vija të trasha për çka do të takohemi sonte”, tha Gërvalla.

Ajo foli edhe për dialogun që do të zhvillohet në Bruksel për targat në mes palës kosovare dhe serbe.

“Zëvendëskryeministri Bislimi do të vijë këtu pikërisht për të arritur një marrëveshje dhe jo  vetëm takime të shpeshta pa rezultate, prandaj diten ë premte do të vijë zëvendëskryeministri Bislimi dhe pastaj të shohim çfarë rezultati do të kemi. Delegacioni ynë është shumë i gatshëm për të sjellë rezultate në këtë pjesë të dialogut”, ka thënë Gërvalla.

Të pranishëm në darkën jo formale përveç ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla janë edhe kryeministri Edi Rama, presidenti malazez Milo Gjukanoviq, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.

Tradita e organizimit të darkave me liderë nga Ballkani Perëndimor është iniciuar nga ish-shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, si një mënyrë për të inkurajuar dhe përmirësuar bashkëpunimin brenda rajonit me BE-në.

Kosova u përfaqësua në këtë darkë joformale me kryediplomaten Gërvalla, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, gjenden për vizitë në Shtetet e Bashkuara.

RTKlive

Lini një Përgjigje

Ishulli i Gjarpërinjve pikë kyçe e luftës në Ukrainë

Fotografia e paradarkës ballkanike