Drejtori i Gazeta Metro dhe gazetari, Valon Syla është sulmuar mbrëmë nga tre presona në lagjen ‘Bregu i Diellit’ në Prishtinë.
Personat që e sulmuan atë, sipas vet gazetarit janë ‘islamik fanatikë’.
“Tre islamikë fanatikë më kanë sulmu, shpejt e shpejtë ka ndodhë edhe kanë ikë” – ka thënë ai për RTV.
Sylën e ka pyeturur gazetari se pse mendon se ka ndodhur ky sulm, mirëpo kësaj pyetje nuk iu është dhënë përgjigje, meqë forcat e rendit ndaluan gazetarin Bekim Ibishi për të vazhduar intervistën, nën pretekstin se nuk lejohet xhirimi brenda emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Siç edhe mund të shihet në videon e publikuar, gazetari i sulmuar kishte pranuar që të prononcohej për RTV Dukagjinin.
Puna e gazetarit të këtij mediumi fillimisht ishte ndaluar nga sigurimi i QKUK-së e më pas edhe nga zyrtarët policorë që ishin në krye të detyrës.
Atij iu ishte kërkuar që të ndalonte xhirimin dhe i njëjti më pas ishte urdhëruar që të dilte jashtë objektit të emergjencës, gjatë kohës sa i njëjti kërkonte që t’i lejohej vazhdimi i marrjes së prononcimit të gazetarit të sulmuar.
Ibishi më pas ishte futur në zyrën e rojeve dhe të zyrtarëve policorë që gjendet pranë emergjencës në QKUK.
KALLXO.com ka kontaktuar me gazetarin, ndërsa ai ka thënë se aty iu është marrë një deklaratë se pse është futur në objekt pa autorizim.
“Rast nuk më kanë hapur dhe më kanë liruar pas 15 minutave” – ka thënë ai.
Në anën tjetër, raportimi i Gazetës Metro tregon se gazetari Syla është sulmuar pas përfundimit të emisionit “Pressing” në Televizionin 7 ku ai kishte qenë i ftuar nga disa persona para lokalit të quajtur ‘Image’. Syla ka pësuar lëndime të lehta trupore” – thuhet në raportimin e Gazeta Metro.
Gazeta Metro shprehet e shqetësuar me sulmin ndaj kolegut Syla dhe akte të tilla cenojnë shprehjen e lirë.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e dënuar ashpër sulmin fizik ndaj Sylës, derisa ka kërkuar hetime urgjente për zbardhjen e rastit.