Një gazetar disident iranian, që u zhduk në Turqi në muajin maj, tani është i arrestuar nga Garda e fuqishme Revolucionare Islamike e Iranit, bënë të ditur për Radion Evropa e Lirë (REL) burime që kanë njohuri për këtë çështje.
Mohammad Bagher Moradi ishte dëbuar nga Irani në nëntorin e vitit të kaluar, pasi ishte arrestuar “jashtëligjshëm” në Turqi për pesë muaj, tha për REL-in, Salih Efe, avokat turk që përfaqëson familjen e gazetarit.
Familja e Moradit tha se ai ishte larguar nga shtëpia e tij në kryeqytetin turk, Ankara, më 30 maj për të blerë bukë dhe nuk ishte kthyer më. Një ditë më vonë, vetura e tij u gjet e braktisur afër shtëpisë së tij, raportuan mediat turke.
Mediat turke raportuan se familja e Moradit, që kishin shkuar për vizitë nga Teherani, raportuan zhdukjen e djalit të tyre dhe i thanë zyrës së prokurorit lokal se dyshonin se ai ishte rrëmbyer. Pavarësisht se u krye një hetim, Moradi nuk u gjet.
Në qershor, mediat turke cituan babanë e gazetarit, Mohsen Moradi, të ketë thënë se djali i tij ishte “rrëmbyer” nga “inteligjenca iraniane”.
Pas disa muajsh heshtjeje, Moradi më 4 nëntor realizojë një bisedë të shkurtër telefonike me familje e tij dhe i informoi se ai ishte në Iran, në paraburgim nga “trupat e inteligjencës”, thanë për REL-in burimet që kanë njohuri për këtë rast. Moradi i tha familjes së tij se ai ishte dërguar në Iran disa ditë para se t’i telefononte ata, thanë burimet, duke shtuar se gazetari që nga ajo kohë ka realizuar edhe dy telefonata me familjen e tij.
Burimet thanë se Moradi po mbahet nga dega e inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike, që qëndron pas arrestimeve të disa gazetarëve, aktivistëve, ambientalistëve dhe qytetarë me shtetësi të dyfishtë në vitet e fundit.
Javën e kaluar, babai i Moradit u mor në pyetje nga Garda Revolucionare lidhur me aktivitetet e djalit të tij në Turqi, thanë burimet. Burimet shtuan se Garda i tha atij që ta këshillojë të birin që të bëjë një pranim të fajësisë, që do të transmetohej në televizion.
Irani detyron të burgosurit politikë që të pranojnë krimet dhe shpesh rrëfimet e tyre diktohen nga hetuesit. Shumë ish të burgosur kanë treguar se janë detyruar që të bëjë deklarime të tilla.
“Dëbimi sekret”
Moradi, 34 vjeç, u largua për në Turqi më 2014 pasi u dënua me pesë vjet burgim në Iran nën akuza për konspiracion kundër shtetit.
Efe, avokati turk që përfaqëson familjen e Moradit, tha për REL-in se gazetari opozitar kishte fituar azil në Turqi. Ai tha se dëbimi sekret i Moradit për në Iran ishte shkelje flagrante e ligjit të Turqisë dhe ligjit ndërkombëtar, përfshirë edhe Konventën për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara.
Efe tha se Moradi i ka thënë familjes së tij se është rrëmbyer nga zyrtarët e inteligjencës së Turqisë dhe është mbajtur në një lokacion të panjohur deri në momentin kur është dëbuar nga shteti. Avokati tha se Moradi është marrë në pyetje dhe është torturuar gjatë mbajtjes në Turqi.
“Ky mund të jetë dëbimi i katërt apo i pestë joligjor dhe sekret i një të strehuari politik iranian nga Turqia për në Iran”, tha Efe. “Mendoj se Turqia nuk mund të konsiderohet një shtet i sigurt për refugjatët iranianë”.
Turqia, që gjendet në kufirin perëndimor të Iranit, është një prej destiancioneve kryesore për disidentët iranianë dhe aktivistët që largohen nga shteti. Por, po ashtu është shndërruar në vendin kryesor ku disidentët po ndiqen nga inteligjenca iraniane, apo ata që punojnë për agjencitë e sigurisë së Teheranit. Kjo ka ngritur shqetësime lidhur me sigurinë e shtetasve iranianë. Fati i Moradit ka të ngjarë që të rrisë këto shqetësime.
Aktivisti iranian, me bazë në Londër, Peyman Aref, ish-refugjat në Turqi, i tha REL-it se Moradi kishte thënë një vit para se të rrëmbehej se ndihej i kërcënuar nga agjentët e inteligjencës së Turqisë.