Massimo Giletti edhe një herë është i vetëm në kërkim të lirisë së tij. Ai nuk ka dy ora nga 30 mije euro. Nuk ka bërë kurrë reportazhe turistike në favor të atyre që paguajnë. Ai nuk jeton në paradhomën e kryeministrit. Nuk dihet a voton majtas apo djathtas. Një gjë është e sigurtë: Massimo Giletti vlen 1000 herë më shumë se Fontamaset, fundërrina të veshur me “Armani”!
Tmerr!!! Unë kam neveri për gazetarët me dy ora! Kam neveri për shkëlqimin e tyre të rremë prej 30 mijë eurosh! Unë kam neveri për gazetarët që si mision kanë paradhomën e deputetit, ministrit, kryeministrit apo kryetarit te bashkisë. Kam neveri edhe për ata gazetarë që profesionin e kanë kthyer në opinionisto-analisto-gjithollogë, ku e vërteta përdridhet sipas interesit momental. Kam neveri edhe për ata që bëjnë gjoja si të pavarur, duke bërë intelektualin “par excellence” nëpërmjet populizmit fals, gjoja me një shqetësim të thellë intelektual në “momentum”.
O pika!!! Që para viteve 90 kam qenë një ndjekës i thekur i televizioneve italiane. I përkas brezit që u rrit me përpjekje të përditshme për ta ngritur sa më lart antenën e tv sepse në këtë mënyrë para dhe pas programeve te TVSH dilte ‘Rai Uno’. Aty pashë për herë të parë Sanremon, pashë për herë të parë Çelentanon dhe Battistin, aty mësova italishten. Aty njoha Maurizio Costanzon dhe Giovanni Minolin, e më pas Michele Santoron dhe Gad Larnerin. Pas viteve 90-të, kur antena nuk hynte më në punë, pashë për herë të parë Massimo Giletti. Massimo Giletti është gazetar prej 35 vitesh. Giletti nuk ka dy ora nga 30 mijë euro. Ai vesh të njëjtin kostum para kamerave, herë-herë harron të verë kollaren; jeton i vetëm, në një shtëpi normale, pa salltanete. Giletti është një nga ata gazetarë që ia dedikoi jetën luftës kundër Cosa Nostra-s. Reportazhet e tij në skutat më të errëta të malavitës janë emblema të gazetarisë italiane. Ai ja dedikoi jetën demaskimit të krimit dhe korrupsionit; nuk bëri kurrë kompromis me të vërtetën. Për këtë arsye, Massimo Giletti, një ditë të bukur rreth 10 vite më parë u përzu nga RAI, si një “zevzek” që nuk duhej pasur nëpër këmbë. Që prej asaj kohe, Giletti e ndërtoi emisionin e tij “Non e l’arena” pranë një televizioni privat, LA7. Pronari, Urbano Cairo, biznesmen i madh, president i klubit futbollit Torino, parashikoi ndershëm në kontratën e Gilettit lirinë e tij absolute në kërkim të së vërtetës. Sot, në Itali, ky emision përfaqëson një prej dritareve më të ndjekura dhe më të guximshme. Për 6 vjet, ky gazetar zhbiriloi deri tek skutat më të errëta të lidhjeve të mafias me shtetin. Ai duke pasur si udhërrfyes Giovanni Falconen dhe Paolo Borsellinon, ndërtoi një mori emisionesh deri në zemër të mafias. “Abbattiamoli”, një emision-reportazh rreth tre orë e gjysëm mbi arrestimin e Toto Riines dhe Bernardo Provenzanos, tronditi rëndë publikun italian me dyshimet e mëdha të bashkëpunimit të politikës, mafias dhe shërbimeve sekrete. Ai arriti të rihapë disa çështje shumë delikate që përfshinin “mendjet e rafinuara”, si i quante Giovani Falcone politikanët që ishin bashkëpunëtorët e padukshëm të Cosa Nostra-s.
Massimo Gilleti ka disa vite që jeton nën eskortë sepse është i kërcënuar me jetë nga mafia. Këto ditë ai në emision po zbërthente rastin e arrestimit të padrinos së fundit të Cosa Nostras, Matteo Messina Denaro, të arrestuar disa javë më parë. Të dielën tjetër Giletti lajmëroi spektatorët që së shpejti do bënte publike një foto të Silvio Berlusconit me vëllezërit Graviano, “pupilot”(vogëlushët) e Toto Riinas. Të gjithë në pritje!… Por emisioni i radhës, me urdhër të pronarit të LA7, Urbano Cairo, ndërpritet menjëherë. Arsyet ende nuk dihen!!!…
Massimo Giletti edhe një herë është i vetëm në kërkim të lirisë së tij. Ai nuk ka dy ora nga 30 mije euro. Nuk ka bërë kurrë reportazhe turistike në favor të atyre që paguajnë. Ai nuk jeton në paradhomën e kryeministrit. Nuk dihet a voton majtas apo djathtas. Një gjë është e sigurtë: Massimo Giletti vlen 1000 herë më shumë se Fontamaset, fundërrina të veshur me “Armani”!
shkodra news