in

Gani Mehmetaj, “Zogjtë e Qyqes” thyen kufijtë mes nesh

Në një bisedë të posatshme për Suplementin Leteratura, fituesi i Çmimit “Kadare” 2021, shkrimtari nga Kosova Gani Mehmetaj, rrëfen ngasjen e tij për të shkruar romanin “Zogjtë e qyqes”, tashmë në duart e lexuesit shqiptar.

“Në romanin “Zogjtë e qyqes” jam përpjekur të shpaloj  një botë që kanë nis ta harrojnë edhe tek ne; marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe të serbëve, botën e tyre të brendshme, përpjekjet dhe luftën e heshtur, që kurrë nuk doli në sipërfaqe”, thotë autori, i lumtur që kjo vepër botohet nga UETPress dhe pret lexuesin për ta zbuluar.

Ai vlerëson se “njëra nga të mirat e këtij Çmimi është se i “thyen” kufijtë, i kërkon dhe i gjen vlerat edhe në Prishtinë, në Diasporë e kudo që shkruajnë letërsi të mirë”. Çfarë gjakon letërsia, autorët dhe lexuesit shqiptarë sot? Pse është i rëndësishëm ndërveprimi i tyre në mjedisin e gjerë kombëtar?  Ai ndalet në veçansitë e letërsisë që shkruhet andej dhe këtej kufirit, sa edhe në arsyet e kësaj dasie të përcaktuar në kohë historike.

Kujtesa si vlerë dhe dëshmi, një roman ndryshe nga sa jemi mësuar të lexojmë, një pikëvështrim i ri i botës sonë të trazuar…

 Bisedoi Suela Mino

 1- Çfarë do të thotë për ju ky Çmim që fituat në Tiranë?

Për mua Çmimi “Kadare” është shumë i rëndësishëm, mirënjohje prestigjioze për punën time . Është Çmim me emrin e shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Është mundësi që të më njohin lexuesit e dy arealeve shqiptare. Dikush tha se çmimet nuk të bëjnë shkrimtar, por çmimet ta afrojnë lexuesin, të japin mundësi të tregosh hiret e tua letrare.

Unë shkruaj prej një kohe të gjatë, më shumë se dyzet vjet. Shtresa intelektuale dhe e artistëve, por edhe opinioni i gjerë më njohin në Kosovë. Por në  Shqipëri mund të më njohin vetëm nga shkrimet për kinematografi, me analiza sociale e politike, me tregimet a fragmente romanesh të postuara në rrjete social (Facebook, Portale).

Letërsia që botohet në Kosovë  me vështirësi depërton në Shqipëri. Arsyet janë të shumta. Vështirë të shtrohen në një bisedë rasti.  E kundërta:  Letërsia që botohet në Tiranë depërton dhe shijohet mirë në Prishtinë. Ku janë arsyet? Nuk e di. Mbase botuesit nga Tirana janë më të shkathët? Mbase tradita më e gjatë letrare e bën të vetën? Apo shkruajnë më mirë. Pastaj nuk dua ta përjashtoj as faktin që lexuesit shqiptarë përtej Drinit kanë më pak interesim për atë që po ndodh  në Kosovë. Lexuesi i Dardanisë e më tutje, e thith pa rezervë atë që krijohet në Shqipëri, në baza emocionale, patriotike, dëshirës për t’u integruar etj. Integrimi brendashqiptar bëhet me vlera. Mua më shumë më intereson të ketë vlera, të kenë çfarë të ofrojnë dy qendrat kulturore, Tirana dhe Prishtina.

2- Mendoni se është rasti të themi se është zgjeruar shtegu i takimit të lexuesit shqiptar këtej dhe andej kufirit?

Njëra nga të mirat e këtij Çmimi është pikërisht se i “thyen” kufijtë, se i kërkon dhe i gjen vlerat edhe në Prishtinë, në Diasporë e kudo që shkruajnë letërsi të mirë. Dikur i kemi mjaftuar vetes. Sot bota është e vogël. Shtegu i takimit po zgjerohet. Ju në këtë rast jeni prijatarë me çmime dhe me botimin e veprave . Por do të zgjerohej edhe më, sikur edhe shtëpi të tjera botuese nga Tirana të botonin sa më shumë shkrimtarë nga Prishtina, shtëpitë e  librit nga Prishtina të botojnë  shkrimtarë nga Tirana. Jo vetëm klasikë të letërsisë, po edhe shkrimtarët bashkëkohorë.

 

2- Çfarë besoni se i sjell lexuesit shqiptar romani juaj?

Njohje të një periudhe të së shkuarës me pretendime artistike dhe me qasje të veçantë, ndryshe nga sa janë mësuar te lexojnë. Është mirë ta njohin periudhën më dramatike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Pak dihet për këtë kohë dhe pak është shkruar. Lexuesi shqiptar nuk e ka idenë çfarë ka ndodhur përtej traut të Morinës, para ta zëmë 50 vjetësh. Nuk e dinë as çunat e mi. Kanë lexuar, parë apo dëgjuar rrëfime emocionale nga lufta, vrasje, përdhunime, shpërngulje, por para kësaj pothuajse asgjë. Për shembull, dy herë më shumë janë vrarë shqiptarë në Kosovë  në kohën 1945-48, sesa në luftën e çmendur të Milosheviçit kundër popullatës së pambrojtur . Nuk ishte diktatura jonë më e mirë se diktatura juaj, nuk ishte as më e mëshirshmja. Ishte më e fshehtë, më e mbuluar, më dinake, por shtypja ishte e tmerrshme. Ishte diktaturë e dyfishtë: shtypje kombëtare dhe shtypje e të drejtave të njeriut. Kosova ishte koloni, ku koloni mund të bënte ç’të donte me vendësin dhe askush nuk e ndëshkonte.

Romani im “Zogjtë e qyqes” ka rëndësi njohjeje, edukimi. Sa herë më kanë thënë miqtë e mi kineastë të njohur, shkrimtarë e këngëtarë se socializmi juaj ishte më i mirë sesa ai i yni, apo se Tito ishte demokrat, pa me pyetur mua se ç’kishim hequr. Romani im do t’u ndihmojë edhe miqve të mi kineastë e shkrimtarë të na njohin më mirë dhe të na kuptojnë më drejtë, në mënyrë që të mos keqkuptohemi, a të mos më tregojnë se si ka qenë më mirë nën diktaturën e Titos.

Në romanin “Zogjtë e qyqes” jam përpjekur të shpaloj  një botë që kanë nis ta harrojnë edhe tek ne. “Zogjtë…” trajton marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe të serbëve, botën e tyre të brendshme, përpjekjet dhe luftën e heshtur, që kurrë nuk doli në sipërfaqe.

Romani im është rrëfim i një koloni serb. Ai tregon çka ndodhur, ai është protagonisti dhe fatkeqi, ai përpiqet të bëhet i paanshëm. Duke rrëfyer përmes tij, rrëfimi bëhet më i besueshëm . Natyrisht ai paraqet botën serbo-shqiptare, marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, dashurinë dhe urrejtjen, shpresat dhe zhgënjimet. Të gjithë ata kanë shpresa, ëndërrojnë,  por të gjithë zhgënjehen.

3- Me përvojën e një intelektuali të angazhuar e të një shkrimtari të konfirmuar në disa vepra, si e shihni botën letrare bashkëkohore shqiptare? A ka veçansi tipizuese mes letërsisë që shkruhet në Kosovë dhe asaj në Shqipëri?

Shkrimtarët e të dy njësive të një tërësie letrare kanë veçanësitë në stil, në të shprehurin letrar-artistik dhe në pasurinë gjuhësore. Tek ne, kam përshtypjen s i japin më shumë vend përsiatjeve, vëzhgimeve, monologut. Përtej Drinit, përqendrohen më rrëfimin, dialogun, veprimin. Pa rrëfim s’ka letërsi. Temat dhe preokupimet tematike janë ato që i dallojnë, por nuk i shquajnë. Megjithatë unë mendoj se ka letërsi të mirë dhe letërsi në përpjekje, a si do ta quanin juristët, letërsi në tentativë.

 

4- Besoni se përvoja historike përkufizon trajtat e shprehjes e të kumtit artistik, qoftë edhe brenda një entiteti të përbashkët gjuhësor, siç jemi ne shqiptarët në Ballkan?

 Jetuam në rrethana të ndryshme gati 100 vjet, me disa ndërprerje kur u bëmë prapë bashkë (në Luftën e Parë dhe në Luftën e Dytë). Ndarja  ndikoi të krijojmë disa dallime stilesh e rrymash, por censura në thelb ishte e njëjtë. Mund të shkruanim në frymën e Niçes a të Sartrit, por nuk mund të shkruanim se janë bërë krime, se jemi të shtypur, se s’mund të ngopemi me ajër, se na mungon liria. Mbase kishim bukë, sepse  Kosova është e pasur, por s’kishim liri elementare.

 

5- Duke iu rikthyer romanit tuaj “Zogjtë e Qyqes”; Juria e  Çmimit “Kadare” e veçoi për mjeshtërinë letrare në rrekjen e një tematike me ndjeshmëri të lartë, kjo përtej stilit, gjuhës së zhdërvjellët dhe pasurisë së kumtit. Pse vendosët të sillni kronikën e një koloni serb?

Ku depërton letërsia, nuk depërton kamera. Marrëdhëniet që mund t’i krijojë letërsia nuk i krijon asnjë shprehje tjetër shkrimore. Pastaj kur ndërthuret fatura artistike me atë dokumentare del më bindëse, më e fuqishme, figurat janë më të gjalla. Derisa i trajtoja figurat, i kisha para sysh personazhet reale, shokët e miqtë e mi, antagonistët dhe figurat e rastit  që i kisha njohur. Ishte ndërthurje e kujtimeve të mia dhe imagjinares.

Është më e besueshme, më bindëse kur rrëfimtari dhe kronisti  është serb. Ai nuk ka ngarkesa emocionale, pra i ka parakushtet që të rrëfejë në mënyrë objektive, megjithëse nuk presim që ai t’i gjykojë bashkëkombësit e vet. Ai nuk i gjykon, as nuk i kritikon. Ai i paraqet. Por nuk pajtohet me veprimet e tyre, nuk pajtohet me gjyshin, babanë, nënën, edhe pse i do ata. Veçmas, nuk pajtohet që ata bëhen zogjtë e qyqes, që i hodhën në folenë e huaj. Nuk pajtohet që ata të luajnë rolin e xhandarit e të mujsharit, që duhet t’u rrinë mbi kokë shqiptarëve.

 

6- Ne ç’dritë e shihni ju formësimin e mendësisë së shqiptarëve në këtë kapërcyell të rëndësishëm historik, veçmas në lëmitë e artit?

Ka shumë bredhje, kërkim të vetes dhe të identitetit, por ka edhe aventura të rrezikshme. Shpresoj se dalëngadalë gjërat do të vijnë në vendin e vet, edhe pse me duket se po humbim shumë kohë, kur të tjerët po kapërcejnë me hapa gjigandë. Një kohë të gjatë ishim nën diktaturë; ju nën censurën ideologjike, ne në censurën shkombëtarizuese. Bota kishte ecur para. Të shpresojmë se do ta zëmë hapin me botën.

Prapë dola në rrafshin e moralizimit, ndërsa nuk doja. /Gazeta Liberale

Lini një Përgjigje

Glauk Konjufca: Do të jem kryetar i të gjithëve

Enver Hoxhaj: Vjosa Osmani është faktor përçarës