in

“Fshesarja e Republikës”, përplasja mes individit dhe sistemit – një roman nga Anisa Markarian!

Nga Anila AllkjaShkrimtarja dhe aktorja Anisa Markarian flet për romanin e saj të ri, “Fshesarja e Republikës”, një vepër që sjell një pasqyrë të ndërlikuar dhe të thellë të shoqërisë shqiptare dhe të përplasjes mes individëve dhe sistemit. Romani trajton tema të rëndësishme sociale, si dhuna ndaj grave, korrupsioni dhe përpjekjet për të sfiduar një regjim të shkatërruar, duke u fokusuar në jetën e Vezullores, një vajzë e re që është simbol i rebelimit dhe rezistencës ndaj padrejtësive. Me një stil unik, që kombinon realizmin magjik dhe humorin e zi, Markarian kërkon të shkaktojë një reflektim të thellë te lexuesi, duke e ftuar atë të ndërgjegjësohet për rreziqet që vijnë nga indiferenca sociale dhe politike.

Shkrimin e një libri, Anisa e krahason me një gatim festiv, recetën e të cilit ndonëse e ka përfytyruar dhe hedhur në letër që në krye të herës, nuk e respekton pothuajse kurrë. “Është aq joshës ai çasti magjik kur ndiej se si përbërësit e saj më tërheqin për dore e më udhëheqin, symbyllur, drejt zemrës së kuzhinës. Aty ku zihet brumi, tëhollen petët, mpikset yçi e karamelizohet sherbeti. ‘Pip-pip-pip!’ – sinjali se pjekja u krye. Nxitoj ta shijoj me ta nxjerrë nga furra, për të pikasur ndryshimet me recetën ‘origjinale’. Falë sugjerimeve të pëshpëritura nga vetë personazhet, gatesa letrare më ngjan më e shkrifët dhe e mëlmyer se ajo që kisha ndër mend kur lidha futën e përvesha llërët. Dhe ndihem fatlume, që vendosa të ndiqja këshillat e tyre. Librat që po vijnë e kanë zanafillën në dy e më shumë receta të hershme. Aq të hershme, saqë mrekullohem me durimin që patën në pritje të nxehej furra”, shkruan shkrimtarja, e cila prej vitesh jeton dhe punon si mjeke në Francë. Prej disa vitesh autore e disa librave, shkrimtarja është fokusuar te letërsia, shpesh duke e marrë pikënisjen edhe nga ngjarje të jetuara nga e shkuara e saj në Shqipëri.

Znj. Markarian, përse “Fshesarja e Republikës”, çfarë simbolizon në raport me tematikën e romanit dhe protagonisten e tij?

Mendoj se është romani, që zgjodhi titullin e tij. Kush do ta lexojë, do të më japë të drejtë në çfarë po them, besoj. Në tri fjalët e titullit është përmbledhur bota e protagonistes. Njëkohësisht, edhe absurditeti i regjimit nën të cilin jetojnë personazhet e librit.

Vezullore Bega është një personazh kompleks dhe rebel. Çfarë ju frymëzoi në krijimin e saj dhe cilat mesazhe synoni të përcillni përmes këtij personazhi?

Vezullorja është vashëza-sorkadhe e përfytyrimeve të mia fëmijërore e cila, me kalimin e viteve, m’u bë motër, shoqe, bijë dhe… betejë. Simbolizon përpjekjet tona dhe të të gjithë shoqërisë për të parandaluar, luftuar e dënuar çdo lloj dhune ndaj vajzave e grave dhe nëpërkëmbjen e dinjitetit femëror. E parë në këtë prizëm, Vezullorja është një personazh që i tejkalon kufijtë shqiptarë. Personifikon një kauzë aktuale edhe për shtetet apo shoqëritë më të zhvilluara.

Romani trajton tema sociale, përplasjet mes individit dhe sistemit. Si e shihni këtë marrëdhënie dhe cilat janë disa nga çështjet kryesore, që dëshironi të adresoni?

Ndonëse është një tematikë dytësore, përplasja e individit me sistemin ndihet në çdo faqe të librit. Për ta bërë sa më të natyrshëm gërshetimin me historitë personale të personazheve, rrethanat politiko-shoqërore në të cilat zhvillohen ngjarjet e romanit, i kam pikturuar me penelata humori të zi gjer në grotesk. Grotesku dhe absurdi janë dy elementet më shprehëse të stilit tim. Më ndihmojnë t’i përçoj mesazhet aty ku dëshiroj, me mprehtësinë që dëshiroj. Mesazhi më i fuqishëm i romanit, është ndërgjegjësimi ndaj rreziqeve të korruptimit. Personazhet e romanit tim përballen me një demokraci të korruptuar në të gjitha nivelet.

Si i përzgjidhni elementet e humorit dhe të satirës në trajtimin e temave serioze?

Mendoj se nuk është çështje përzgjedhjeje. Ose më saktë, përzgjedhja që bëj s’ka lidhje me humorin, por me personazhet që do t’i japin jetë librit. Situatat komike, dialogët shpotitës e sarkastikë m’i diktojnë ata vetë, kur ulem të shkruaj. Gjithashtu jam e mendimit se sa më serioze të jetë tema e një vepre artistike, aq më shumë nota humori e vet ironie duhet të përmbajë. U bën mirë të dyja palëve: veprës dhe lexuesve të saj.

Origjina dhe identiteti janë tema të romanit, si ndikon prejardhja e Vezullores në trajektoren e saj në roman?

Vezullorja si dhe shumica e personazheve të librit janë anëtarë të një komuniteti, që e vëzhgoj prej kohësh me shumë kënaqësi. Ushqej ndaj tyre jo vetëm interes, por edhe admirim. E kam fjalën për romët dhe egjiptianët. Në vitet kur jetoja në Shqipëri, i quanim arixhinj, ciganë. Kjo është arsyeja përse në libër kam përdorur termat e dikurshëm. Fakti që Vezullorja e ka origjinën nga ky komuniteti shpjegon karakterin e saj bohem, stilin e paimitueshëm në veshje e krehje dhe, sidomos, peripecitë e jetës dhe mënyrën se si u bën ballë.

Ky roman ngjall ndjenja dhe përvojë autentike të të rinjve, duke përfshirë edhe elemente të përditshme shqiptare. Çfarë roli luan ky realizëm në krijimtarinë tuaj?

Të jem e sinqertë, nuk merakosem më të zgjedh se në cilin “realitet” do t’i vendos personazhet e mi. Falë realizmit magjik, historitë e vërteta mund t’i tregoj me personazhe mbinatyrore ose personazhet reale mund t’i “katapultoj” në botë imagjinare. Ja pse përvoja e jetës në Shqipëri, që e mbart brenda vetes në formë kujtimesh, dhe përditshmëria e jetës në Francë shkrihen te njëra-tjetra në mënyrë të harmonishme e të pashmangshme. Po ta vëresh me kujdes, përshkrimet e rrethanave dhe të ambienteve ku ndodhin ngjarjet nuk janë kurrë njëqind për qind shqiptare. Por as njëqind për qind franceze. Disa prej tyre madje i referohen mitologjisë.

Çfarë mesazhi do të dëshironit të merrnin nga historia e Vezullores?

Do të dëshiroja që romani t’i ndërgjegjësojë lexuesit, në veçanti të rinjtë, mbi rreziqet që na kanosen po të qëndrojmë indiferentë ndaj dhunës, korrupsionit, nëpërkëmbjes së të drejtave tona dhe mohimit të së kaluarës së përbashkët historike e politike.

Çfarë risie sjell “Fshesarja e Republikës” në krahasim me veprat tuaja të mëparshme?

Për mua si autore, “Fshesarja e Republikës” është një hap më tej, qartësisht i përvijuar, në lëvrimin e realizmit magjik dhe konsolidimin e stilit tim.

Çfarë përshtypjesh morët nga Panairi i Librit në Tiranë?

Panairin e Librit e krahasoj me një “gosti” të bukur letrare. Lum kush i përgjigjet ftesës e vjen të shijojë, në prani të autorëve, “gatesat” e tyre të radhës. Me lexuesit e mi kam një raport sa të vyer, aq edhe të veçantë. Kur i takoj, jam unë ajo që bën pyetje. Më pëlqen të mësoj gjithçka nga jeta e tyre në mënyrë që, bashkë me falënderimin për besnikërinë artistike, t’u kushtoj dy fjalë që pasqyrojnë personalitetin dhe historinë e secilit.

Shumica e shqiptarëve ju kujtojnë si aktore të dashur filmash, ku në dy prej tyre keni qenë protagoniste dhe skenariste, a e mendoni “Fshesaren e Republikës” si një film në të ardhmen?

Uroj me gjithë zemër që “Fshesarja e Republikës” të gjejë edhe forma të tjera rrëfyese. Pse jo, një ekranizim apo një dramatizim, siç më ndodhi me romanin “15 ditë prilli”. Nisur nga njëra prej temave të tij, shkrova një dramë me 3 akte, që do të vihet në skenë nga regjisorja e talentuar dhe mike e dashur Driada Dervishi.

Aktore, shkrimtare, mjeke, grua, nënë, mike, si e menaxhon veten Znj. Markarian kaq dimensionale?

A më lejon t’ua ndryshoj paksa renditjen fjalëve të tua? Anisa është: nënë, grua, mjeke, mike, shkrimtare, aktore, skenariste, dramaturge…, me fatin e rrallë të një origjine të dyfishtë, armeno-shqiptare.

Hungaria humb zyrtarisht 1 mld euro nga fondet e BE-së për shkak të korrupsionit

Elon Musk fyen Presidentin gjerman, Steinmeier