Janë zbuluar detaje të reja për operacionin e kthimit në atdhe të Floresha Rashës me 4 fëmijët e saj nga kampi Al – Hol në Siri. Siç dihet ajo udhëtoi drejt Shtetit Islamik së bashku me bashkëshortin e saj Diamant Rasha në vitin 2013.
Ky i fundit u vra pak muaj më pas me një snajper dhe ajo mbeti me 2 fëmijët e saj, njëri prej të cilëve, vajza e madhe, iu vra në një tjetër ngjarje më pas në qytezën e Baguzit ku edhe vetë Floresha Rasha u plagos duke mbetur në karrocë me rrota.
Në emisionin “Opinion”, gazetarja Fatjona Mejdini zbuloi edhe disa detaje të tjera. Sipas saj Floresha Rasha pas humbjes së bashkëshortit u martua me Lavdërim Muhaxherin, komandantin famëkeq të ISIS të vrarë kohë më vonë në luftime.
Nga kjo martesë ajo ka 2 fëmijë të tjerë të cilët janë kthyer të gjithë në atdhe. Në foton lart është Lavdërim Muhaxheri dhe poshtë një letër e Floresha Rashës ku pranon emrat e fëmijëve që ka me Muhaxherin. Mësohet se fëmijët janë duke u trajnuar nga ekspertë socialë për t’i rintegruar ata në shoqëri. ©LAPSI.al
Shqiptarë të tjerë, në 17 kampe në Siri
Shqiptarët që kanë mbetur pas në Siri nëpër kampet e robërve janë më shumë se ata të identifikuar në Al-Hol. Gjatë emisionit Opinion, shefi i Antiterrorit Gledis Nano tha se janë edhe kampe të tjera të ngjashme në Al-Hol në Siri dhe la të kuptohet se në to ka edhe shqiptarë të tjerë që jetojnë në kushte çnjerëzore. Nuk janë aty vetëm ish luftëtarë të tjerë, por edhe gra dhe fëmijë të cilët kanë mbetur robër të forcave fituese ndaj ISIS.
Nano tha se janë gjithsej 17 kampe të tjera robërish dhe puna për identifikimin e shqiptarëve ende vazhdon.