Voa
Shefi i diplomacisë turke Hakan Fidan, ngriti të premten shqetësimin e vendit të tij për, siç tha, ekzistencën e grupit FETO në Kosovë, duke ju referuar organizatës së klerikut Fetullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për grushtin e shtetit të korrikut të vitit 2016.
Ministri Fidan i bëri këto komente gjatë një konference për shtypin me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, me të cilën siç tha, ka diskutuar edhe për luftën kundër terrorizmit.
“Folëm edhe për hapat që duhet të ndërmerren kundër organizatës terroriste FETO. Për fat të keq, prania e FETO-s në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese për ne. Dua te theksoj se FETO është kërcënim edhe për Kosovën. Ne duhet ta luftojmë bashkërisht këtë organizatë”, tha ministri Fidan, sipas një përkthimi nga ministria e Jashtme e Kosovës.
Ministrja Gërvalla nuk e komentoi këtë çështje.
Turqia vazhdimisht i ka kërkuar Kosovës veprime kundër organizatës FETO.
Më 29 mars të vitit 2018, autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë shtetas turq, punonjës të Institucioneve në pronësi të klerikut Gulen. Të gjashtët u dorëzuan tek autoritetet turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi, shumë kritika ndaj institucioneve dhe nxiti një përplasje deklaratash ndërmjet presidentit turk Recep Tayipp Erdogan dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në korrik të vitit 2018 u themelua një komision parlamentar për hetimin e operacionit i cili gjeti 31 shkelje ligjore gjatë operacionit. Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të komisionit, janë bërë Agjencia e Zbulimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Në korrik të vitit 2023 një gjykatë në Prishtinë dënoi me 4 vjet e tetë muaj heqje lirie ish shefin Agjencisë së Zbulimit të Kosovës, Driton Gashi nën akuzën për “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve të Turqisë, të cilët ndërkaq janë dënuar nga autoritetet turke me nga 7.5 deri në 15 vjet heqje lirie.
Turqia ka arrestuar dhjetëra mijëra veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të klerikut Fethullah Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara dhe i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETO drejton dhjetëra shkolla në Ballkanin perëndimor.