“Të gjitha personazhet e librit i kam njohur në të shkuarën time”.
Kështu u shpreh shkrimtari Fatos Kongoli, kur promovoi romanin e tij “Gjemia e mbytur”, botuar nga “Toena”.
“Gjemia e mbytur” është një anije që sot na del në sipërfaqe, duke sjellë në vëmendje ngjarje dhe personazhe, që kush ka jetuar në atë periudhë, i kujton fare mirë. “Lexuesi do të gjejë ngjarje të bujshme të kohës, do të bëjë lidhjen me personazhe konkretë”, thotë Kongoli. Një nga këto ngjarje me shumë gjasë është edhe ajo e zhdukjes së basketbollistit arkitekt, djalit që shoqërohej me vajzën e “Të Madhit”, Enver Hoxhës. Djali VIP, që në roman vjen me emrin Roert Fusha, u mbyll në spitalin psikiatrik e më tej u degdis në burg, ku humbi jetën nga një masiv shkëmbor. Kur e pyet Kongolin për vërtetësinë e këtij episodi, ai të përgjigjet qetë: “Kushdo mund t’i bëjë leximin e tij librit”. “Gjemia e mbytur” tërhoqi menjëherë vë mendjen e lexuesit, jo vetëm sepse u fol se ai trajtonte deri diku çështjen e dosjeve apo se personazhet e tij janë ishsigurimsa, por edhe për shkak të titullit të tij. “Më kanë pyetur shumë veta për këtë, por unë preferoj të mos përgjigjem. Titulli është një metaforë dhe kush lexon librin, e zbulon atë”, thotë Kongoli, teksa shton se për një shkrimtar është shumë e vështirë që të rrëfejë për librin e tij. Kongoli e pranon se ashtu si do të shprehej edhe studiuesi Agim Baçi, ky roman e ka një lidhje me ata paraardhës, madje mund të quhet edhe një çelës leximi. “Ky është libër që e kam shkruar shpejt, që më ka mbetur pezull në mendje qysh se shkrova librin ‘Iluzione në sirtar’, i cili ngjalli shumë polemika në kohën kur u botua”, thotë Kongoli. “Unë u përkas shkrimtarëve të letërsisë së dhimbjes njerëzore. Çdo vepër e imja është një shprehje e drejtpërdrejtë e zhvillimeve dhe dhimbjeve të mia”, thotë Kongoli.
Në librin e Kongolit gjejmë viktima të komunizmit, jetë të vjedhura që nuk kthehen më, që enden si frymë pa gjetur paqe, sepse dikujt ende nuk i është gjetur trupi, tjetri sepse i mbetën pengje në jetë, sepse la pas një të dashur, një fëmijë që nuk e njohu kurrë, sepse shkaktarët e vdekjes së tyre nuk janë ndëshkuar ende… Po janë edhe ata persekutuesit, të cilët nuk mund të mbajnë për shumë gjatë rolin e të kapardisurit, të atij që ngjall tmerr edhe në një tjetër sistem. Edhe ata përndiqen nga e shkuara, nga fantazmat e njerëzve që kanë shkelur me këmbë, kanë vrarë, kanë torturuar. Luftojnë me hijet dhe emrat e atyre që ndonëse e dinë mirë që kanë vdekur, u dalin në gjumë dhe i kërcënojnë me vdekje. Por, pavarësisht se kemi të bëjmë me një roman, autori pranon se aty ka jo pak nga e vërteta. “Shumë nga personazhet janë të njohur të mitë të asaj epoke apo edhe më vonë. Lexuesi do të gjejë ndodhi shumë të bujshme të kohëve të ndryshme, do t’u shkojë mendja te persona konkretë. Por personazhet e librit dhe ata realë janë të ndryshëm nga njëritjetri. Gjithnjë më ka grishur ideja e krahasimit mes personazhit real dhe atij romanesk. Janë tërësisht të ndryshëm. Por unë, pa personazhin real dhe pa një histori për të treguar e kam të vështirë të ngre një libër. Sigurisht letërsia nuk është histori, madje letërsia fillon atje ku mbaron historia. Është një proces shumë metafizik”,- thotë Kongoli.
opozita.com