Shkruan: Gani Mehmetaj
Besnik Mustafajn e kam njohur shumë vjet para se të takoheshim e të bisedonim si miq të vjetër. Nisa të mësohesha me emrin e tij pas shkërmoqjes së diktaturës. “Vera pa kthim” ishte vepra e tij e parë që e lexova. Ishte i pazakonshme subjekti i romanit, me pëlqeu me mënyrën e qasjes, e njoha një shkrimtar për të cilin nuk kisha dëgjuar. E rilexova gati tridhjetë vjet më vonë, me të njëjtin pasion. Shkrimtarët e brezit të tij po sillnin risi. Nga Besniku nuk dija të veçoja romanet, secili i kishte veçantitë e veta. Kur mendoja se isha përcaktuar të shkruaja përshtypje për njërin nga ta, me dilte mëdyshja: po unë nuk isha kritikë letrarë, nuk kisha shkruar për letërsinë, merresha me kinematografi. Dalëngadalë nisa të mësohesha me stilin e tij, disi ndryshe nga shkrimtarët e tjerë, ndryshe nga ajo që shkruaja unë.
Nderthurja e imagjinares dhe dokumentares
U ndala të analizoja romanin e tij të fundit “Fati i marrë” jo pse e mori çmimin e parë në Tiranë, por sepse me provokoi tema që e trajtonte, me nxitën personazhet, personalitetet historike, secili më i veçantë se tjetri; përpiqesha të kuptoja qasjen e tij ndaj historisë; që gjithnjë me kishte provokuar: historia ashtu si e donim ne dhe asht si na kishte dëshpëruar. Ndërthurja e imagjinares dhe dokumentares, është formë e veçantë, që e bënë romanin më të larmishëm, më të pasur dhe me joshës. Që në fillim janë interesante raportet në mes të dy protagonistëve Hanës, një grua vendëse që ka një fat të keq të martohet me burrin që ka probleme dhe Benjamin Disraelit, një shkrimtar i ri, më vonë dy herë kryeministër i Anglisë.
Takimi me Hanën, ishte aventurë, ashtu si ishte aventurë dhe provokim adrenaline të vizitoje Shqipërinë dhe “Orientin” nw atw kohw. Marrëdhëniet e tyre kanë dendësi erotike provokuese, të imagjinuar dhe reale, kanë atmosferë mistike orienti e rreptësi shqiptare, ku ndërthuret joshja shpërthyese me vdekjen e ftohtë të krushqive kryeneç.
Varre tw krushqve gjatë hulumtimeve të mia për film dokumentari kam ndeshur aq shpesh në kodrinat e Malësisë së Gjakovës dhe të Prizrenit. Legjendat për këto varre të vetmuara të rrëqethin, ndërsa Besnik Mustafaj i ringjallë, në një kohë të vonë në fund të shekullit XIX, që t’i fus në një rrëfim interesant.
“Fati i marrë” nis me veprën-romanin e Benjamin Disraelit “Naltësimi i Iskanderi”, takimin misterioz dhe konspirativ i dy personalitetet historike Janosh Huniadit dhe Gjergj Kastriotin (Athua janë takuar ndonjëherë?). Në mes tyre qëndron si puhizë drithëruese e bija e Huniadit, e mrekulluar nga princi shqiptar. Ajo i ka tundimet e veta vajzërore, kurse mua me del pyetja hipotetike: athua do të zhvilloheshin ndryshe ngjarjet sikur të qenë marrë vesh mbreti i hungarezëve dhe princi i shqiptarëve; sikur princesha hungareze të bëhej princeshë a mbretëreshë shqiptare, sikur të kishte mbërritur me kohë princi Gjergji në fushëbetejë që t’i dilte në ndihmë hungarezit zulmëmadh?
Po aq del e natyrshme pyetja: athua do të ishte ndryshe sikur të ishim çliruar më herët, atëherë kur popujt e Gadishullit tonë, po e hiqnin zgjedhën okupuese duke na rënë në qafë neve. Besnik Mustafaj ëndërrimtar nuk e shtron këtë pyetje, ai në roman e bënë fakt dhe akt të kryer, e çliron Shqipërinë me 1878 me Kongresin e Berlinit, madje ai e shkëputë Shqipërinë nga sferat e interesit, kur supozohet se është gjetur një copë letër që dëshmon nga takimi Çerçil -Stalin.
Kryeministri anglez e shkëputë Shqipërinë nga pazaret e mëdha. Enigmw mbetet pse, nëse është e vërtete kjo. Është provokuese se si e shtron autori këtë enigmë, gjithnjë duke thirr në ndihmë historianët.
“Princesha orientale”
Po Hana tunduese, “princesha orientale” e Benjamin Disraelit sa pati ndikim edhe pas shumë vjetësh kur ishte harruar? Historia në mënyrë dokumentare, por e ndërthurur me imagjinaren që ta plotëson realitetin e munguar, është formë e rrëfimit me disa teknika, e ndërprerje në formë “sinkope”, për ta plotësuar informacionin e munguar, apo për ta shtuar adrenalinën e kureshtjen. Arkiva britanike bëhet po aq provokuese, mu si arkivat e Vatikanit, që tashmë janë bërë proverbiale për secilin shqiptar.
Në teorinë e filmit thuhet se kur shikues e ndjek një film të ri në kinema, ai në imagjinatë gjatë shfaqjes së filmit e bënë regjinë, sipas dëshirës së tij, edhe kur filmi është i përkryer. Historia jonë nuk ishte e përkryer, ishte tragjike, prandaj shkrimtari së bashku me lexuesin shkruajnë palipses, në margjina të historisë. Besnk Mustafaj bënë regjinë e historisë.
Natyrisht autori të dëshirueshmen e ndërthur me trillin artistik të Benjamin Disraelit, me ndërthurjen e fatit të tij dhe të Avdullah Drenit, një figure tragjike e kryeneçe. Ai ishte vetëm besa ajo që e dërgoi në theqafje, apo një lojalitet që nuk arsyetohet?
Pastaj dendësia e historisë me ngjarët tragjike bëhet edhe më gjëmëmadhe: vrasja e Maxhar Pashës, Avdullah Drenit dhe treqind shqiptarëve në Gjakovë për pashain turko -gjerman.
Është i vetmi “konak” ku Benjamin Disraeli e bënë natën e parë të dhëndrit, ku do të ngjizej një dashuri dhe një histori, ndërsa ne më shumë e njohim si arenë e ndeshjeve të marra në mes të shqiptarëve.
Janë shumë gjëra që të provokojnë në këtë roman, janë shumë gjëra që të ngushëllojnë, edhe kur e di që historia nuk ishte ashtu si na e krijon shkrimtari nga kulla e tij e fildishtë.
Është vështirë të thuhet se romani “Fati i marrë” është romani më i mirë i Besnik Mustafajt, por që është ndër romanët më interesant në letërsinë shqipe, s’ka fije dyshimi. Shpresojmë po ashtu se do të jetë romani më i lexueshëm sa nga kureshtja e shqiptarëve të marrin vesh nga historia ndryshe, aq edhe nga mënyra se si na e gatuan tekstin dhe narracionin.
Princi grek mbetët enigmë. Është rast i rrallë kur një shkrimtar anglez ka një qëndrim ndryshe ndaj grekëve. Princ grek del dinak dh i pabesë në romanin e Benjamin Disraelit.
Në letërsinë shqipe është romani më i pazakonshëm dhe më i veçantë, ndryshe nga sa jemi mësuar të lexojmë, ndryshe se si e trajton lëndën dokumentare, “faktet’ historike dhe gjërat e sajuara.