Shkruan: Avokat Zanfir Kryeziu
Historiografia moniste e ndikuar nga ideologjia e luftës së klasave apriori kishte mohuar, neglizhuar, gjykuar apo dënuar personalitetet e shquara kombëtare të oxhaqeve të mëdha shqiptare siç janë: Mahmutbegollajtë e Pejës dhe Kryezinjët e Gjakovës. Me ngarkesa të tilla ideologjike e politike të deformuara dhe me pikëpamje të shtrembëruara të historiografisë marksiste, ishte bërë një padrejtësi ndaj trajtimit historik të këtyre familjeve e më ketë edhe të vetë historisë shqiptare. Në atë kohë qasja shkencore ndaj këtyre problemeve luftohej me mjete revolucionare që rezultonte me burgosje apo internime të intelektualëve në Shqipëri. Ndërkaq, në viset e okupuara shqiptare në kuadër të federatës jugosllave si në Kosovë e gjetiu mundohej të lartësohej ideja e patriotizmit jugosllav duke anashkaluar temat kombëtare. Në këto kushte veprimtaria e personaliteteve nga familjet aristokrate shqiptare u interpretuan në mënyrë qëllim keqe ku paraprakisht personalitetet visheshin me epitete denigruese si psh kulak e pastaj interpretoheshin ”argumentet” e konstruktuara më parë pa pasur asnjë mbështetje historike.
Përgjithësisht shikuar nga këndvështrimi historik familjet e mëdha aristokrate shqiptare në periudhën e pushtimit osman por edhe më herët ishin bartës të të gjitha proceseve politike shoqërore e ekonomike, sepse atë ia lejonte dhe ia impononte vetë përkatësia e tyre klasore, prandaj ata janë pjesë e pandarë e rrugëtimit historik të popullit shqiptar. Periudha e pushtimit Osman imponon procesin e islamizimit të shumicës së klasës së lartë shqiptare por jo edhe osmanizimin e tyre dhe zhdukjen e ndjenjës kombëtare. Mbështetur në këto parime themi lirisht se gati nuk kaloi asnjë ngjarje me rëndësi historike kombëtare pa pjesëmarrjen e Mahmutbegollajëve të Pejës dhe Kryezive të Gjakovës, qoftë drejtëpërsëdrejt ose tërthorazi, që nga formimi i Sanxhakut të Shkodrës, Dukagjinit, Prizrenit, Kuvendit të Arbërit, Lidhjes së Prizrenit, Lidhjës Besa-Besë të Pejës, Shpalljes së Pavarësisë, Formimit të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, e kështu me radhë, thekson prof.dr. Muhamet Mala-Shef i Departamentit të Historisë së Universitetit të Prishtinës në letrën e tij të nëntorit 2012, dërguar qeverisë shqiptare përkitazi me nismën e tyre të mirëpritur nga popullata që për nderë të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë për dekorimin e personaliteteve të shquara që kontribuon për pavarësinë e shtetit shqiptar në mesin e të cilëve ishin edhe Zenel bej Mahmutbegolli, Qerim bej Mahmutbegolli dhe Riza bej Kryeziu (Gjakova)etj.
Vlenë me këtë rast të potencohet fakti se në shtëpitë e Mahmutbegollajëve të Pejës për dallim nga familjet tjera të pashallarëve shqiptar gjatë tërë kohës së pushtimit Osman, u fol vetëm gjuha shqipe, përkundër faktit se e zotëronin edhe turqishten. Këtë e provojnë faktet historike.
Presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 2012 e dekoroi Qerim bej Mahmutbegollin për kontributin e tij të lartë për lirinë e Kosovës me ‘Urdhrin e Lirisë”[1].
Andaj, kjo dekoratë e presidentes së Kosovës duhet të jetë udhrëfyese për institucionet tjera arsimore dhe kulturore të Kosovës e në veçanti të Pejës, djepit të kësaj familje ëmblematike, ku LDK-ja në pushtet, e cila pretendon se është përfaqësuese e së djathtës shqiptare, ndërkaq nuk ndërmerr asnjë veprim për ndriçimin e kontributit të figurave të së djathtës shqiptare dhënë luftës për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar duke emërtuar ndonjë nga institucionet e saja me emrin e këtij tribuni.


