Sherif Ramabaja
Evropa më në fund po ndërgjegjësohet nga frika dhe po diskuton si ta ndaloi Rusinë, e cila duke e lënë anash të kaluarën vetë e kishte ndihmuar ngritjen dhe zhvillimin e saj.
Tash përfundimisht po binden për qëllimet e saj hegjemoniste: ngjalljen e ish Bashkimit Sovjetik, shpërbërjen e EU, dobësimin e rolit të SHBA, Rend të Ri Botëror sipas ideologjisë sovjetike etj. kanë filluar t´ia vejnë gishtin kokës. Më mirë vonë se kurrë, thotë populli
Problem më vete i EU dhe Evropës po ashtu do të jetë edhe kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, i cili qysh në mandatin e parë i kërcënonte evropianët duke iu imponuar kushte tregtare, por edhe strategji të mbrojtjes.
Tash evropianët po binden se nëse Putini e pushton Ukrainën 40 milionëshe, çfarë do të bëjë me fqinjët e tjerë, të cilët do t´i gëlltiste sa hap e mbyll sytë.
Për këtë problematikë tashmë po diskutojnë gjermanët, francezët, anglezët dhe po thuaj e tërë EU. Preokupimi është se si do të arrijnë vetë evropianët të krijojnë një ombrellë mbrojtës nga agresioni rus, i cili gjithnjë e më shumë po i kërcënon në stilin: më lejoni ta pushtoi Ukrainën, ose do të përballeni me sulm atomik.
Këtë preokupim më parë nuk e kishin evropianët, sepse e dinin se ishin edhe nën mbrojtjen amerikane, por populistët e tillë si Trump do të jenë të paparashikueshëm.
Pothuaj të njëjtin gabim sikurse evropianët e kanë bërë dhe po e bëjnë edhe Ballkani Perëndimor, duke shpresuar se janë nën mbrojtjen amerikane, NATO dhe të EU.
Evropianët të njëjtin gabim që e kishin bërë me Rusinë, duke investuar pa i llogaritur pasojat, po e bëjnë edhe me Serbinë. Pra ashtu siç është e rrezikuar Evropa nga Rusisë, po ashtu është edhe Ballkani i rrezikuar nga Serbia.
Pra kemi të bëjmë me një paralele të njëjtë, me një mentalitet të njëjtë, me një strategji të njëjtë dhe i jemi ekspozuar një rreziku të njëjtë.
Serbia po ashtu sikurse Rusia, ka dalë me idetë e tilla hegjemoniste me Botën Serbe. Ky është një sinjal i mjaftueshëm se ata po e presin vetëm momentin e volitshëm që ta sulmojnë Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë.
Të gjitha këto shtete janë në rrezik që të pushtohen nga Serbia, prandaj duhet të armatosen, të përgatiten dhe të zbatojnë një strategji të përbashkët mbrojtëse në rast të sulmit.
Në këtë strategji duhet të hyjnë edhe Kroacia dhe Shqipëria, të cilat po ashtu përfshihen në planin serb të pushtimit: Kroacia me arsyetim të Botës Serbe, kurse Shqipëria për dalje në Adriatik.
Derisa EU dhe Evropa i nënshtrohen rrezikut rus, nuk do të kenë kohë që të merren me Ballkanin, prandaj ballkanasit vetë duhet të preokupohen se si të mbrohen nga Serbia. Nëse nuk merren vesh me kohë, ekziston rreziku që të ngjallen aleancat e vjetra, ku më së keqi do të pësonin shqiptarët.
Serbia nuk po armatoset për tu mbrojtur, siç po deklaron Vuçiq, por po përgatitet për t´i pushtuar fqinjët, sidomos shqiptarët, ashtu siç kanë bërë në të kaluarën . Këtë duhet ta dinë shqiptarët. Bota është ajo e njëjta, nuk ka ndryshuar.


