I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha sot se SHBA do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës, edhe nëse serbët [Lista Serbe] do t’i bojkotojnë ato dhe u bëri thirrje serbëve që të kthehen në institucionet e Kosovës. Ai kërkoi që të ndalen djegiet e automjeteve, pasurisë së palujtshme dhe kërcënimet ndaj komunitetit serb në veri, që nuk vijnë nga shqiptarët.
I pyetur nëse zgjedhjet lokale në veri të Kosovës do të jenë legjitime nëse serbët i bojkotojnë ato, ai tha se fakti që disa parti politike bojkotojnë zgjedhjet nuk përcakton rezultatet e zgjedhjeve dhe tha se SHBA do të njohë rezultatet e zgjedhjeve.
“I kam bërë apel serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment”, tha Escobar për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, përcjell “Euronews.sr”.
Ai tha se SHBA-të po kërkojnë që serbët të kthehen në departamentet e policisë, sepse nuk mund të ketë një komunitet që nuk ka shërbime komunale dhe që nuk ka forcë policore.
“Kemi kërkuar që serbët të kthehen në institucione që të mos ketë arsye që shqiptarët etnikë të jenë të pranishëm atje . Kjo është një pyetje vërtet komplekse. Do të duhet një kompromis nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje”, tha Ekobar, transmeton Telegrafi.
Escobar theksoi se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen “nga të gjitha anët”, në mënyrë që këta njerëz të jetojnë në një “mënyrë paqësore dhe demokratike” në një shoqëri demokratike.
“Djegia e automjeteve, pasurisë së paluajtshme dhe kërcënimet ndaj njerëzve që duan të integrohen nuk vijnë nga shqiptarët etnikë, por nga serbët, kështu që mendoj se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen nga të gjitha anët”, tha Escobar.
Ai tha se SHBA pret që Beogradi dhe Prishtina të ofrojnë një kornizë kohore për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe propozimet fillestare për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ne presim propozime fillestare për formimin e Asociacionit, por presim gjithashtu një afat kohor për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo do të thotë se të gjitha palët duhet të vijnë të përgatitura”, tha Escobar.