in

Erdogan u apelon turqve për bojkotim të mallrave franceze

 

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, bëri thirrje të hënën që turqit të mos blejnë kurrë mallra franceze.

Ai u bëri thirrje gjithashtu udhëheqësve të Bashkimit Evropian të ndalin atë që ai e quajti agjendë “antiislamike” të presidentit francez, Emmanuel Macron.

Zoti Erdogan tha të shtunën se zoti Macron ka një problem me myslimanët dhe ka nevojë për kontrolle të shëndetit të tij mendor, një deklaratë që e bëri Francën të tërheqë ambasadorin e saj nga Ankaraja.

Ai bëri komente të ngjashme të nesërmen dhe përsëri të hënën.

“Ashtu siç thonë ata në Francë ‘mos blini mallra të markave turke’, unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mi që të mos i ndihmojnë kurrë markat franceze, të mos i blejnë ato,” tha  Erdogan.

Franca është burimi i 10-të më i madh i importeve të Turqisë dhe tregu i shtatë më i madh për eksportet turke, sipas Institutit Statistikor të Turqisë.

Automjetet franceze janë ndër më të shiturat në Turqi.

Presidenti Macron ka deklaruar se do të luftojë “separatizmin islamik”, i cili, sipas tij, po kërcënon të uzurpojë disa komunitete myslimane të Francës.

Vendi është tronditur nga ngjarja e këtij muaji, kur një militant islamik i preu kokën një mësuesi francez, si hakmarrje ndaj përdorimit prej tij të karikaturave të Profetit Muhamed gjatë një ore mësimi për lirinë e shprehjes.

Turqia dhe Franca janë të dyja anëtare të NATO-s, por kanë pasur mosmarrëveshje për çështje të tilla si Siria dhe Libia, juridiksioni detar në Mesdheun lindor dhe konflikti në Nagorno-Karabak. /Zëri i Amerikës

Lini një Përgjigje

U dorëzua në Polici Kadri Shala i dymilionëshit

Armiqtë e medieve të Ramës si armiq të medies