Reflektim për romanin “ZHVARRIMI” të Gani Mehmetaj. Botoi: TITANIC 2016
Shkruan : Vilson Culaj
Një roman historik për tu admiruar për fuqinë imagjinare dhe mjeshtërinë letrare e artistike . Aventurë intuitive e ideore mes fiksionit, reales dhe shkencores. Shëtitje në qiellin e shtatë për ta definuar Heroin Kombëtar përballë profetit dhe shenjtërorit. Fuqia imagjinare e letrare për ta definuar mitin nga lavdia konkrete, e mbijetesën para psikologjisë vetërobëruese.Një artikulim mjeshtëror i gjakimit sizifian për 600 vite histori, dilemma dhe enigma që mbajnë pezull një komb të tërë në dryrin e Parajsës së pa përjetuar…”
.*****************
Dikur psikologu Amerikan Terry Petti Johnes shpreshej se ,, natyra apo Zoti njeriun e ka pajisur me kujtesë në mënyrë qe atë margaritar ta vej në shërbim te se mirës universale dhe personale për dallim nga perceptimi i cili me shume është një element shqisor se sa frytdhënës. Ketë dhuratë shpirtërore e posedon edhe romancieri i njohur shqiptar Gani Mehmetaj, i cili me shtynë të konstatoj se : Krijuesi është fija e zgjatur shpirtërore e kujtesës se tij. E kesaj permase i serviret lexuesit ky libër – roman historik.
Për enigmën e varrit të Skënderbeut kanë shkruar si: Marin Barleti, Jacques de Lavardin, krijuesit shqiptarë të të gjitha periudhave edhe pas Barletit, si: Frang Bardhi, Jeronim de Rada, Naim Frashëri, deri te Sabri Godo, Fatos Arapi e Ismail Kadare, dhe studiuesit si: Fan Noli, Aleks Buda, Jup Kastrati, Selman Riza, Androkli Kostallari, Kristo Frashëri e të tjerë, kanë vazhduar ta përplotësojnë figurën e personalitetit të Skënderbeut në aspektin njerëzor, moral, strategjik e kombëtar në krijimtarinë artistike, si dhe ta hulumtojnë e studiojnë reflektimin e këtij personaliteti të madh në historiografinë botërore, por heroi i shekujve prapëseprapë mbeti tërësia që na tundon në shekuj, për varrin e tij të denjë dhe të pamerituar.
Thënë ndryshe, varri i tij do duhej të ishte vend peligrinashi, paqeje, harmonie e unifikimi kombëtar si varr konkret – real, ku historia flet jo përmes shenjave të kohës, por të përjetimit. Këtu qëndron si duket edhe gjakimi i ndërligjshëm letrar i romacierit të njohur shqiptar Gani Mehmetaj, i cili duke iu referuar burimeve historiografike dhe tundimit intuitiv letrar, lexuesit të afirmuar ia ka servirur një dilemë historike, e cila në një krah e madhështon kryeheroin, por në anën tjetër ngre dilemat e unit kombëtar për ta njohur madhështinë e tij dhe rinjohur vogëlsinë tonë të harresës kolektive.
Ky roman, në fakt, është një lloj tundimi sa historik, poaq letrar e etnopsikologjik për ta shprushur zjarrin e lavdisë se kryeheroit. Gani Mehmetaj përmes këtij romani flet me kodin tonë gjenetik, përjetimin historik dhe kultin e së vërtetës, e cila fshihet në zemrat e memorien e kombit, por jo në letër e testamente.
Nga leximi vertikal i këtij romani të shtyn të mendosh se: Ky format letrar është karakteristikë e njerëzve me njohje historike dhe tundim intuitiv letrar përndryshe ta përqafosh këtë mision tundues do përkthehej me fjalët magjike “I dua rrënjët e kombit tim, andaj gjakoj frymën e re dhe zbërthimin e enigmës”.
Një roman historik për tu admiruar për fuqinë imagjinare dhe mjeshtërinë letrare e artistike . Aventurë intuitive e ideore mes fiksionit, reales dhe shkencores. Shëtitje në qiellin e shtatë për ta definuar Heroin Kombëtar përballë profetit dhe shenjtërorit. Fuqia imagjinare e letrare për ta definuar mitin nga lavdia konkrete, e mbijetesën para psikologjisë vetërobëruese.
Një artikulim mjeshtëror i gjakimit sizifian për 600 vite histori, dilemma dhe enigma që mbajnë pezull një komb të tërë në dryrin e Parajsës së pa përjetuar…
Lufta me Kohën dhe ideali i së vertetës historike janë kodi letrar i tij, andaj ngjitja në histori enigma, dilema, dhe ylberin e së kaluarës e bënë këtë autor shumë autentik, serioz në platformën e tij letrare, këmbëngulës dhe mjeshtër të romanit historik, në nivel të admirueshëm dhe për t’ia pasur lakmi.
Autori Mehmetaj si një kronikan brezash flet për aktin e zhvarrimit të kryeheroit, krahason kronikat e shekujve, reflekton mjeshtërisht e letrarisht, pa abuzuar me dilemat dhe heroin, sepse e vërteta historike dhe racionalizmi kulturor e studimor i shkon për shtati.
Thënë thjeshtë, ky roman është një lloj atlasi historik i një mozaiku të bukur letrar që ngre levën e mundësisë për ta njohur e rinjohur lavdinë e kryeheroit në shekuj dhe humbjen tonë të madhe. Pra, është roman që ndez rrugën e misterit, por edhe të përjetimit historik …
E tëra nuk thuhet as përtej varrit, andaj na mbetet ne si popull ta kërkojmë lavdinë e kryeheroit derisa jemi të gjallë mbi tokë dhe nipërit e një epoke që krijoi identitetin tonë kombëtar.
Një copë guri në murin e madh të historisë e lavdisë kombëtare është edhe ky roman historik, i cili autorit i bënë nder, por më shumë na nderon e pasuron edhe ne si lexues, por më shumë letërsinë tonë kombëtare veshur me pelerinën e artë të historisë…
Gjergji jeton edhe pa varrin e eshtrat e tij, por jo pa lavdinë e tij dhe të një epoke që nuk përsëritet kurrë…
Fundi i fundit as Aleksandrit të Madh po as Krishtit nuk iu mbeti varri me eshtra mbi tokë, por lavdia e tyre përqafon mileniumet.
Edhe Gjergji ynë besojmë se do e arrijë këtë lavdi…sepse për gjashtë shekuj lavdi ende nuk e takuam një të tillë. P. Bogdani afër tij…
Është roman që ndez rrugën e misterit… dhe identitetit në kërkim…
Urime maestro për këtë ngacmim të bukur mjeshtëror e letrar!