Burrat mezi i heqin këmbët në rresht
1.
Kaluan 55 vjet, ndërsa ai nuk është më ndër ne. Mungon profesori im Dervish Kryeziu
Herën e parë u njohëm në vitin 1951 nëpër korridoret e Gjimnazit. Dhe po të njëjtin vit para
Rrojtores së qytetit. Atë ditë, unë kaloja me çantën dhe librat skaj këtij lokali. Mbeta i stepur
para pamjes tronditëse. Nga gjaku i hedhur nëpër muret e rrojtores. Më thane se e kishin vrarë Dervish Kryeziun- profesorin tim të dashur. Kishte rënë nga pesë plumba të ”parabellumit”.
Qyteti i Pejës, ishte ngritur në këmbë, i gatshëm për revoltë. Por Lumbardhi (Bistrica)
i heshti ulërimat. Dhe shpejtoj t’i mbulonte gjurmët e krimit në fundërrinë e baltë.
Në fund u orvat të njësohej me kataraktin, larg, larg në horizontin e jugut, ku fushat shkrumboheshin në zjarr…
Kolona nuk pushon ta zgjojë Bulevardin. Mbi kurrizin e tij – Dhimbja. Këtej ecim unë me miq. Ecën vaji. lotët. Heshtja !
O, trotuar i shurdhër! A i ndien thirrjet e mia plotë mall?
Të njihemi: Unë jam pjesëtar i kolonës së copëtuar në mija pjesë, prej rrufesë! E me sy të shpërngulur në bërryla, kërkoj mëshirë për hapin çfrenues të kohës.
I humbur! i humbur! i humbur!
Vallë, cili lot e shuan flakën e mallit të mbledhur amull,
në liqejtë e tharë të syve?
Cili.Cili.Cili.
O zemër e përvëluar nga unat! O,fat i pavuajtur deri në fund! Në asnjë këngë. Në asnjë lutje-tregomë se ç’uratë, kërkojnë ditët e vërbuara pa përdëllesë?!
I pikëlluar! I pikëlluar! I pikëlluar!
Dhe atje, ku takohen qiella me token, bredh edhe sot, një dashuri. Dhe me gjethe, me erëra, pëshpërit përrallën e vet të kuqe(pas plot 55 vitesh):
..…Burrat mezi i heqin këmbët në rresht. Me këngë të vrara në buzë. Pas tyre shkojnë gratë,
me fëmijë në gryk. Vajtojnë! I këpusin flokët, si pemët kur i shkundin gjethet. Mbesin të cunguara.
As fëmijët nuk bëzajnë. Strukën në gjinjtë e nënave. Dhe heshtin, siç heshtë rruga. Shtëpitë siç heshtojnë. Thuajse do të shafitet edhe kënga-e vetmja shenjë jete në Pejën tone. Por, batarja e shoqëruar me thyerjen e xhamave, i paloi njerëzit për tokë, si lisa të rrëzuar nga stuhia, atje, pas Tabjes krenare, ku hardhitë dënesen lot.
Atje
Dy dëshira ndeshen me mall, 55 vite, sa here bie muzgu…..
2.
Tash jam strukur, në vargun e mbramë të elegjisë sime. Rrekem ta këpus litarin e vuajtjeve,
që vërshëllen. Kot është. Kot. Koha plagët nuk i shëron. Ndaj nisem shtigjeve të Trimit, i bindur se të gjithë duhet të hapërojmë andej.
Krenar! Krenar! Krenar!
Andej nxeh dielli i ngrohtë…
Shkruar me nostalgji nga ish-nxënësi
i Gjimnazit “Bedri Pejani”- të Pejës,
Muhamet Kërnja, shkrimtar