Autorja Sarah Werner, Nga Gjermanishtja Sherif Ramabaja
Për shumë vëzhgues, lufta midis Rusisë dhe Ukrainës duket si një betejë midis Davidit dhe Goliathit. Historiani i njohur amerikan Timothy Snyder tani ka shqyrtuar konfliktin bazuar në shtatë faktorë – dhe ka arritur në një përfundim që Vladimir Putin kurrsesi nuk do t´i pëlqente.
Për Timothy Snyder, autor dhe profesor i historisë në Universitetin e famshëm Yale, Rusia është gati të humbasë luftën në Ukrainë. Pushtime e Putinit në Ukrainë nuk janë vetëm një krim, por edhe një gabim. Pranimi i këtij gabimi është i vështirë, veçanërisht për Putinin, fuqia e të cilit qëndron në imazhin e tij si një njeri i fortë: “Në këtë luftë, Rusia ka arritur fazën në të cilën po lufton, sepse do të ishte e turpshme të mos luftosh”, shkruan historiani amerikan.
Ai beson se ka të ngjarë që ukrainasit tani do të jenë në gjendje të marrin vrullin e nevojshëm në fushën e betejës, për t’u përballur me ushtrinë e Putinit. Ndërsa luftërat janë të paparashikueshme, Snyder beson se Ukraina ka shumë të ngjarë të fitojë. Si dëshmi për tezën e tij, eksperti amerikan analizon shtatë faktorë të luftës që janë vendimtarë për rrjedhën e konflikteve të armatosura.
1. Lufta e Putinit dhe faktori kohë
Koha është thelbësore për Rusinë, pasi Putini fillimisht llogariste në një fitore të shpejtë. “Nëse nuk ka fitore të shpejtë dhe armiku nuk poshtërohet, atëherë koha do të mbizotërojë për shkak të faktorëve të paparashikuar”, tha Snyder. Sepse sa më gjatë të zgjasë një luftë, aq më shumë zvogëlohen përfitimet, që një fuqi e madhe si Rusia ka.
2. Ekonomia ruse, sanksionet dhe pse Gjermania, mund të kthejë peshoren
Rusia është një ekonomi shumë më e madhe se Ukraina, prandaj sanksionet kundër Rusisë së shpejti do të kenë ndikim, parashikon Snyder. Sanksionet do të dëmtonin, veçanërisht nëse ushtria ukrainase do të fillonte të tregonte një epërsi teknologjike që Rusia nuk mund të mbante hapin, pa importe të sanksionuara. Në fund të fundit, Ukraina mbështetet nga fuqitë ekonomike amerikane dhe evropiane, të cilat dukshëm mund t´ia kalojnë Rusisë.
“Që ekonomia të bëjë ndryshimin, qeveritë (veçanërisht ato në Berlin) duhet të jenë të përgatitura, të përdorin fuqinë e tyre ekonomike në mënyrë krijuese dhe të shpejtë, që do të ishin të papërshtatshme në kohë paqeje,” shkruan historiani amerikan. Sipas Snyder, Gjermania në veçanti duhet të dëshmojë se mund të prodhojë dhe dërgojë artileri dhe predha në afat të duhur.
3. Logjistika: Ukraina po bën luftë në territorin e saj
Snyder shkruan se Ukraina ka një avantazh të qartë përsa i përket logjistikës: Ajo po e bën luftën në territorin e saj. Prandaj, ushtarët dhe municionet nuk do të duhej të transportoheshin në distanca të gjata. Në fillim të luftës, kur Rusia filloi pushtimin nga Bjellorusia, logjistika ruse ishte katastrofike, vëren Snyder. Në Donbas, situata për ushtrinë ruse aktualisht është më e mirë, pasi kufijtë e Ukrainës lindore me Rusinë dhe Ukrainën jugore mund të arrihen nga Krimea, e cila kontrollohet nga Rusia . “Por këto lidhje mund të sfidohen dhe madje të prishen me armët e duhura,” thotë Snyder.
4. Topografia: Rusia nuk është në gjendje të përfitojë nga terreni i favorshëm
Për Snyderin, kushtet topografike janë gjithashtu vendimtare për ecurinë e mëtejshme të luftës. “Nuk mund të mos vërej se në maj dhe qershor, kur Ukraina nuk arriti të vendoste një numër të madh armësh me rreze të gjatë të marra nga partnerët, Rusia mezi ishte në gjendje të përfitonte nga terreni relativisht i favorshëm i Ukrainës juglindore.” shkruan historiani amerikan.
Dërgesat perëndimore të armëve tani do t’i jepnin Ukrainës një avantazh. Për më tepër, kodrat dhe pyjet tani do t’ua vështirësonin rusëve depërtimin në veri. Sipas Snyder, vështirë se ka ndonjë pengesë për ushtarët rusë në juglindje të vendit, por Rusia ka bërë përparim shumë të ngadaltë. Furnizimi me armë nga Perëndimi tani do të sillte dinamizëm shtesë në luftë.
5. Mënyra e luftës: Rusia mbështetet në sulmet me rreze të gjatë veprimi
Sipas Snyder, ushtarët rusë preferojnë të luftojnë nga një distancë: “Lufta ruse varet nga artileria, nga sulmi me rreze të gjatë veprimi”. Deri më tani, Rusia ka pasur një avantazh për shkak të artilerisë dhe predhave. Megjithatë, karakteri i luftës do të ndryshojë tani që Ukraina po merr armë më të sakta dhe me rreze më të gjatë, tha Snyder.
Nëse Ukraina vazhdon të marrë armët e duhura nga Perëndimi, së shpejti mund të jetë në gjendje të diktojë luftën, shkruan Snyder. Ai mendon se një tërheqje e ngadaltë ruse ka të ngjarë, pasi ata nuk janë luftëtarë të mirë në luftime nga afërsia.
6. Morali: “Ukrainasit e dinë se për çfarë po luftojnë”
Për ndryshim nga ukrainasit, rusët mund të tërhiqen në vendin e tyre në çdo kohë, vazhdon historiani amerikan. Ai ka përshtypjen se shumë ushtarë rusë nuk janë veçanërisht të motivuar dhe nuk e dinë vërtet, pse ndodhen në Ukrainë. Edhe nëse udhëheqja ruse duket se nuk kujdeset për ushtarët e rënë, vetë ushtarët e dislokuar në Ukrainë kanë interes të kthehen të gjallë, analizon Snyder.
Nga ana tjetër, ukrainasit nuk kanë ku të shkojnë tjetër kund, sepse Putin po e kërcënon hapur vendin me shfarosje, shkruan eksperti amerikan. “Ata e dinë saktësisht se për çfarë po luftojnë.” Ky është një tjetër avantazh moral për Ukrainën.
7. Strategjia: Pushtimi u bazua në të menduarit e gabuar të Putinit që në fillim
Që në fillim, pushtimi rus u bazua në nocionin e gabuar të Putinit se populli ukrainas do të përqafonte shkatërrimin e tij dhe do t’i përshëndeste ushtarët rusë si “vëllezër”, shkruan Snyder. Kombi dhe shteti ukrainas janë transformuar nga kjo luftë, por jo në një mënyrë që të përfitojë Rusia.
Sipas Snyder, plani aktual i Rusisë parashikon shkatërrimin e ekonomisë ukrainase, terrorizimin e popullatës civile me sulme me raketa dhe ndërprerjen e furnizimit me energji të Evropës.Duke bllokuar eksportet e ushqimit, Putini do të bënte që Afrika dhe Azia të vuanin. Ai përfundon: “Një pjesë e madhe e strategjisë ruse për luftën në Ukrainë është, të vendosë një bllokadë ndaj një vendi të botës.”
Nga ana tjetër, plani ukrainas duket se është të sigurojë ekzistencën fizike dhe sociale të vendit dhe të nisë kundërsulme për të rimarrë territoret e pushtuara. Ripushtimi mund të thyejë imazhin e mbetur të pathyeshmërisë ruse, shkruan Snyder. Në këtë moment në kohë, objektivat e Ukrainës janë shumë më bindëse për ekspertin amerikan.
Përfundimi i ekspertit: Rusia ka vetëm një shans për të fituar luftën
Për Snyderin, lufta ka treguar se Ukraina është shumë më elastike dhe më e qëndrueshme se sa supozohet. Sipas tij, vendi është i aftë ta fitojë këtë luftë. Rruga e vetme e Rusisë drejt fitores është të bindë Perëndimin se Ukraina nuk mund të fitojë. Lufta do të përfundonte vetëm kur Putini të kuptonte se situata e tij personale kërcënohej nga disfata, shkruan eksperti amerikan. “Gjithçka që duhet të bëjmë është t’i shohim gjërat ashtu siç janë, të tregojmë pak durim dhe të mbështesim demokracinë që i është nëntruar sulmit – me qëndrimin e duhur dhe armët e duhura,” tha Snyder.