in

Dy të vrarë dhe dy të plagosur pas të shtënave me armë zjarri në Gjilan

Një incident i rëndë ka ndodhur sot, më 10 gusht 2025, rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova” në qytetin e Gjilanit, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë janë plagosur.

Sipas informacioneve të para, dyshohet se ngjarja është shkaktuar nga një person i gjinisë mashkull, shtetas i Kosovës, i cili njihet nga Policia e Kosovës dhe aktualisht është në arrati.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar rastin për Telegrafin, duke bërë me dije se autoritetet janë angazhuar në kërkimin e të dyshuarit.

“Sot, më datë 10 gusht 2025, rreth orës 12:32, ka ndodhur një rast i rëndë i vrasjes dhe plagosjes me armë zjarri në rrugën ‘Ibrahim Rugova’ në Gjilan. Mjekët kanë konstatuar vdekjen e dy personave në vendngjarje, ndërsa dy të plagosur janë dërguar në Qendrën Emergjente të qytetit për trajtim,” ka deklaruar Hashani.

Ai ka shtuar se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve rajonale, sektori për krime të rënda dhe përfaqësuesi i Prokurorisë, të cilët kanë nisur hetimet për të zbuluar të gjitha rrethanat e ngjarjes.

“Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, po zhvillon hetime të thelluara me qëllim sqarimin e motiveve dhe detajeve të këtij akti të rëndë,” ka përfunduar zëdhënësi Hashani.

Lavdia e rrejshme mbi padrejtësinë dhe njëshmëria me Palestinën

Viktimat babë e bir, motivi dyshohet të jenë fajdet