Duke ndjekur fluturat – CHANSING AFTER BUTTERFLIES. Shtëpia botuese Lena Grafik, Prishtinë 2022, f. 133, dygjuhësore, shqip dhe anglishtPërktheu: Gresa SHAQIRI
Për mua autorja dhe shkrimtarja Mihane Hoxha është “Flutura” në hapësirat tona, aktive, kreative dhe frymëzuese, për ta njohur, takuar dhe dashur jetën, njerëzit dhe rrethanat, për t’u begatuar me përvojë jete dhe krijimtarie.
Ajo për mua është “Bleta” në kërkim të nektarit, për ta dhënë mjaltin, që janë veprat e saja, sidomos kjo e fundit “Duke ndjekur fluturat” – shqip dhe anglisht.
Ajo është “Shqiponja” që fluturon në qiellin e lartë, por edhe “Uri” që gjurmon rrënjët e lashta dhe aktuale, me shpirtin e saj të dëlirë dhe të mirë, me mendjen e saj të ndritur, me zemrën e saj të madhe me shumë frymëzim dhe plot dashuri.
Përshkrimet e saja në këtë botim janë poetike, filmike dhe idilike, si për shembull jeta në fshat, në familje, gjyshi, gjyshja, toka, jeta e sotme, policët shqiptarë: “Ata na ruajnë nga rreziku. Të udhëzojnë.” [1]
Ecja, shëtitja, vrapimi pas fluturave, e kishte nxjerrë atë prej familjes, rrethit, fshatit, deri te humbja, ishte në kërkim të risisë dhe të lumturisë: “Kisha humbur e nuk dija se si ku ishte shtegu i kthimit” [2]
Këtë gjendje e rëndonte edhe më shumë “grerëz” që e kishte kafshuar në gishtin e madh të dorës. Pas kësaj bie në hendek, vranë dhe lëndon edhe këmbën… Në një gjendje të tillë ajo shkruan: “pashë nga larg, si në një shkëlqim, një rrugë.” [3]
Mundi, lodhja, ankthi, frika, hutimi vazhdon, mirëpo edhe kërkimi, vetëbindja, si dhe njerëzit e mirë, policia, e cila ndërhyri për ta shpëtuar dhe orientuar kah kthimi në shtëpi. “M’u afrua, duke më thënë: “Mos u frikëso!… Ne të mbrojmë!” [4]
Papritmas cingëroi telefoni i policit… Vajza e humbur nuk kuptonte më asgjë. Vetëm një fjalë i mbeti e ngulitur në mendje dhe e ruajtur në zemër: “E gjetëm Hanën” [5] .
Gëzimi dhe droja gërshetoheshin. Ajo ishte tashmë e lumtur, por e mundonte një gjë e re: si me njohin dhe janë në kërkim tim, bile ma dinë edhe emrin tim? Gjyshi ishte “shpëtimtari” së bashku me policët… Pyetja e tyre ishte përse dhe si isha larguar prej shtëpisë, fshatit, rrethit tim…
“Pasi piva ujë dhe i lava sytë”, ndër të tjera thashë: “Xhaxhi policë, unë dua të bëhem police, kur të rritëm, që t’i mbroj fëmijët.” [6]
Pas pak kohe erdhe edhe gjyshi, që me përqafim të fortë dhe të përzemërt, shprehu tërë gëzimin e tij për gjetjen e mbesës së humbur dhe të rrezikuar..
Përpos policëve, gjyshit, ia edhe ambulanca.
Gjyshi im tallej me mua kështu: “Mos dëshiron të bëhesh mjeke? Unë ia ktheva: “Një herë dua të bëhem police.” [7]
Ky botim dhe përshkrim, gërshetim i bukur, me rreziqe, si humbja e rrugës, drejtimit, pickimi i grerëzës, lëndimi i këmbës në humnerë, frika, dyshimi, mes figurave shumë pozitive, dy policët, gjyshi, ambulanca, dhe përfundimi fatbardhë, përqafimi me gjyshin, falënderimi ndaj policëve dhe mjekësisë.
Përfundimi: Fluturat fluturojnë kudo dhe kah do, ndërsa ne nëpër tokë vështirë mund të ecim, t’i ndjekim ato apo rrugët e tyre, pa rreziqe. Jeta është kërkim, dalje prej vetvetes, shtëpisë, rrethit, në kërkim të risisë dhe të shtigjeve të reja, të panjohura, me shumë batica dhe zbatica…
Përshkrimet janë mjaft burimore, në stilin e fëmijëve, me ilustrime tejet të bukura dhe të qëlluara, përbëjnë një njësi artistike për çdo lëvdatë. Hana jonë e begaton letërsinë shqipe me këtë botim dhe krijimtari të bukur, me simbolika domethënëse për kohën dhe rrethin tonë, me porosi shumë aktuale. Urime dhe përgëzime!
Mihane Hoxha është shkrimtare dhe poete, sepse si e tillë jeton dhe krijon, apo krijon dhe jeton, për veten e saj, por edhe për të gjithë ne.
E lexova, u gëzova, e shijova dhe u frymëzova. Ky botim më ktheu në fëmijëri, që është vërtet një mrekulli!
Prishtinë, 29 mars 2023 Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” Don Lush Gjergji