in

Drejtësia s’e heton neglizhencën e saj që çoi në vrasjen e një gruaje

Fatmir Morina e priti me padurim vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës përmes të cilit më 22 mars të këtij viti u konstatua se shteti ‘ia shkeli të drejtën për jetë’ motrës së tij, Sebahate Morina, e cila u vra nga ish-bashkëshorti më 14 mars 2021 në Prishtinë.“Ne, këtij vendimi [të Gjykatës Kushtetuese], iu gëzuam pak sepse thamë se më në fund po del ajo që dihet. Është neglizhencë e Policisë, Gjykatave dhe e Prokurorisë”, thotë Fatmiri, vëllai i Sebahates.Por, sado që e gëzoi vendimi, Fatmirin e mërzit fakti se askush nuk është shkarkuar për neglizhencë në trajtimin e rastit.“Nuk është fare mirë kjo, nuk jemi të kënaqur që nuk hetohet askush”, thotë ai.Më 14 mars 2021, Sebahatja ishte rrugës për në vendin e saj të punës, por pak metra pa mbërritur, u vra nga ish-bashkëshorti i cili, sipas raporteve zyrtare, e kishte rrahur e keqtrajtuar më parë.

Në vitin 2020 ai ishte dënuar për dhunë në familje nga Gjykata Themelore në Gjilan.Që nga dita e vrasjes së Sebahates, nuk u bë publike asnjëherë nisja e ndonjë hetimi ndaj zyrtarëve që dyshohet se e neglizhuan trajtimin e rastit.Hetimet apo nisjen e procedurave nuk e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë as pas publikimit të vendimit të Kushtetueses, Prokuroria e Shtetit, Këshilli Prokurorial e as Policia e Kosovës.

Pavarësisht përpjekjeve, këto institucione nuk i janë përgjigjur interesimit të REL-it nga data 23 mars.Por, nisjen e një hetimi brenda policisë e ka konfirmuar Avokatit të Popullit, institucion ky që në vitin 2021 kishte hartuar një raport që kishte identifikuar shkelje nga ana e institucioneve në rastin e Sebahates.”Pas rekomandimeve tona, policia ka formuar një komision, i cili ka gjetur shkelje dhe kanë filluar procedurat kompetente ndaj zyrtarëve policorë”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.

Heshtja 10-ditëshe që përfundoi me vrasje

Dhjetë ditë para se Sebahatja të vritej, sipas raportit të Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me titull “Shteti me mosveprim, privon nga jeta Sebahate Sopin”, njëra nga vajzat e saj raportoi në polici dhunën që po ushtrohej ndaj nënës së saj. Ish-bashkëshorti e kishte sulmuar Sebahaten sërish fizikisht.Policia ndërmori masa hetimore. Intervistoi Sebahaten e cila konfirmoi se ishte viktimë e dhunës fizike. Ish-bashkëshorti i saj u intervistua po ashtu dhe mohoi sulmin. Sebahatja u ftua të intervistohej sërish një ditë pas, më 4 mars. Policia thotë se nuk u paraqit në stacion policor.E, për dhjetë ditë të tjera, as policia e as prokuroria nuk ndërmori asnjë masë.Në ditën e 11-të ajo u vra.

Lini një Përgjigje

Dom Gjergj Meta: “Sot qava, po ndërtojnë biznese mbi kufoma fshatrash të vdekur

Dëshmitari i tretë në gjyqin kundër Pjetër Shalës: Babai ishte kidnapuar në Shqipëri