Pas fitores së shkëlqyeshme kundër tajlandezes, Thananya Somnuek, boksierja jonë Donjeta Sadiku në një intervistë ekskluzive për RTK-në ka folur për meçin, por edhe synimin e saj për të fituar medalje në Olimpiadë.
“Është një ndjenjë e mrekullueshme. Unë së bashku me trajneren time kemi punuar shumë gjatë për këto ditë. Shpresoj që të më prij fati edhe në meçet e tjera. Synimi im si gjithmonë qysh e kam thënë është medalja. Kam ardhur këtu për të luftuar vetëm për medalje”, ka theksuar Donjeta në intervistë për RTK-në menjëherë pas meçit me gazetarin Arben Berisha në Paris.
Ajo tutje ka folur edhe për meçin e sotëm. “Ka qenë një kundërshtarte shumë e vështirë. Jam ndeshur edhe më herët me të, por së bashku me trajneren e kemi analizuar dhe ashtu siç e kemi analizuar dhe kemi punuar ashtu na rezultoi me sukses”, ka thënë Donjeta.
Ajo tutje përsëriti vendosmërinë e saj për sukses në këtë Olimpiadë, pasi tri vjet më parë në Tokio ishte eliminuar në meçin e parë.
“Siç e thash, kam ardhur me synim shumë të qartë këtu. Normalisht se meçi i parë ka qenë më i komplikuar, mirëpo shpresoj se edhe meçet tjera t’i kaloj sikur ky”, shtoi ajo.
Pengesë të radhës drejt synimit të saj për medalje, Donjeta do ta ketë kolumbianen, Angie Paola Valdes Pana. Ky meç zhvillohet, të hënën, në orën 20:00 dhe transmetohet ekskluzivisht në RTK.