Një deklaratë e çoroditur e Hoxhë Husamedin Abazi, e dhënë në Pressing të T7, ku tha se Nëna Terezë nuk është vlerë nacionale dhe se nëpër institucione më mirë është të vendoset fotografia e Mulla Idriz Gjilanit, ka ngjallur reagime. Kësaj deklarate të Abazit, i ka dhënë përgjigje Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës.
Don Lush Gjergji ka thënë se askush në botë s’mund të krahasohet me Nënën Terezë.
Sipas tij, Nëna Tereze është një “përjashtim” pozitiv jo vetëm për botën shqiptare, por edhe për mbarë njerëzimin.
“Çdo njeri dhe personalitet e ka vendin e vet. Nëna Tereze është një “përjashtim” pozitiv jo vetëm për botën shqiptare, por edhe për mbarë njerëzimin, si figurë karizmatike kushtuar Zotit – Dashuri dhe vëllait apo motrës – njeri, bile atyre që askush nuk kujdeset për ata. Shembulli dhe dëshmia e saj janë universale dhe unike jo vetëm në historinë e krishterimit, por edhe të njerëzimit.
Çdo nderim Mulla Idriz Gjilanit, si dhe figurat tjera tona të njohura dhe të nderuara, që janë të mëdhaja dhe të rëndësishme për ne, megjithatë askush në botë, e jo vetëm në botën shqiptare, nuk mund të krahasohet me Shën Nënën Tereze”, ka deklaruar Gjergji.
Duke iu përgjigjur deklaratës së Abazit, Don Lushi ka thënë se është mirë që të mësohemi t’i njohim, nderojmë, duam dhe mbi të gjitha t’i imitojmë figurat e ndritshme.
“Është mirë që edhe ne si shqiptarë të mësohemi t’i njohim, nderojmë, duam, mbi të gjitha t’i imitojmë figurat tona të ndritshme, sepse kur zemra është plotë, goja mbetet e zbrazët – memece, dhe anasjelltas, kur kur goja është plotë, mos po rrezikojmë që zemrën ta kemi të zbrazët. Le të garojmë për të mirë të gjithë!”, ka thënë ai.