Mediat kanë publikuar emrin e ndërtuesit të fshatit turistik në Theth që u denoncuan nga kryeministri Edi Rama si ndërtim pa leje dhe që pasuan një përplasje me Prokurorinë e Shkodrës. Kabinat thuhet se janë në pronësi të Prek Kodrës, një personazh i njohur për drejtësinë.
Në vitin 2021 në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit të Kosovës, rezulton se ai kishte planifikuar vrasjen me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe 2 politikanë të tjerë të njohur në Prishtinë.
Ai është shpallur në kërkim për dy nga dosjet më të bujshme të SPAK, njëra si pjesëtar i organizatës kriminale të Suel Çelës në Elbasan që e përfshiu në atentatin ndaj Ardian Çapjas. Masa e dytë për Kodrën në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, në akuzë për disa ngjarje kriminale.
Pas denoncimit të Ramës, IMT zbriti menjëherë në terren dhe i shembi vilat. Pati edhe një reagim nga Prokuroria e Shkodrës që tha se vendimi i prokurores Elsa Gjeli për të mos nisur hetime është bazuar në ligj, pasi strukturat janë referuar nga policia si kontejnerë të përkohshëm pa themele, të vendosura jo mbi bazamente betoni por në rrasa guri të prera. Si të tilla – thekson prokuroria – nuk kërkohet pajisje me leje ndërtimi.