in

DIASPORË, MIRË SE VJEN (1)

.Pal Shtufi

E di, ka kohë që keni filluar përgatitjet për të ardhur në vendlindje. Ka kohë që keni përcaktuar kujt çka do t’i bëni dhuratë, sepse malli u ka marrë për njerëzit tuaj e tokën tuaj. E di si i përfytyroni të afërmit tuaj, shtëpitë që keni bërë, livadhet e buta dhe alpet shqiptare. E di që me padurim prisni ditën e nisjes. Por…

KUJDES RRUGËS

Është udhë e gjatë. Një paradoks thotë se shpejtësia nuk të sjell më shpejtë në atdhe! Mos ecni shpejt me ato makina aq të bukura e aq të shpejta që keni. Ju duhet të vini shëndosh e mirë në atdhe dhe shëndosh e mirë të ktheheni në atdheun tuaj të dytë, atje ku jeni rritur, shkolluar ose aftësuar për punë e jetë. Mos harroni, jeni me vlerë për veten tuaj dhe për Kosovën tuaj.

MË SHUMË RESPEKT PËR KOSOVËN

Në Kosovë pagat e një punëtori janë tejet të ulëta – mbase qesharake kur krahasohen me pagat tuaja. Mos ejani patjetër me Ferrari, Porsche ose makina tjera super të shtrenjta. E para, nuk ka rrugë për këto makina. E dyta, mos i tundoni moshatarët tuaj me ekstravagancë të kamjes, sepse aq sa shpenzon për një ditë Ferrari juaj, aq shpenzon për një muaj një familje në Kosovë. Është tundim i keq t’i shesësh kamje, skamjes së vëllezërve tuaj.

RRËFENI PËRVOJAT

E di që keni xhepat plotë dhe nuk kurseni për të afërmit tuaj, por ky vend ka nevojë më shumë të mësojë nga PËRVOJAT e mira që keni fituar në Europë:

– Bisedoni, këshilloni dhe rrëfeni për respektimin e ligjit në Europë.

– Tregoni për kulturën e punës dhe për kulturën në tërësi.

– Tregoni për barazinë gjinore dhe për fuqinë e grave në vendimmarrje.

– Rrëfeni për parashkollorët dhe shkollat fillore, atje ku fëmijët tuaj marrin brumin e parë edukativ. Tregoni si i trajtojnë fëmijët, pavarësisht nacionalitetit, racës apo religjionit.

– Tregoni njerëzve tuaj që në Europë VLERA NJERI është më e larta vlerë që ekziston në kodin e jetës së tyre shoqërore e politike.

Një fjalë e mirë ka shumë vlerë. Mos e kurseni.

Lini një Përgjigje

Poshtërimi i gjuhës shqipe nga agjencia turke “TRT Balkan”

NJE VETING PER TE ZHBERE "SHQIPERINE E SHITUR"!