in

Dëshmitari i tretë në gjyqin kundër Pjetër Shalës: Babai ishte kidnapuar në Shqipëri

Dëshmitari i tretë i prokurorisë, në gjykimin kundër Pjetër Shalës, ka folur për babain e tij për të cilin pretendon se në pranverën e vitit 1999 është mbajtur në një fabrikë metali në Kukës. Atje, sipas tij, ai e kishte kuptuar se ishte Pjetër Shala personi që kishte qenë më herët shtëpinë e tyre.

Ai ka thënë se babai i tij ka punuar polic deri në vitin 1997.

Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se deri në verën e vitit 1998 ai dhe familja e tij kishin jetuar në fshat për t’u larguar pastaj në një vend të afërt, pjesë kjo e seancës që është transmetuar me përmbajtje të redaktuar.

Prej shtëpisë, sipas tij, janë larguar pasi aty kishin shkuar një grup personash të armatosur ku dy prej tyre ishin futur në oborr dhe u kishin kërkuar t’i dorëzonin armët.

Dëshmitari ka thënë se ata dy persona ishin Hamëz dhe Naser Ibrahimaj ndërsa të tjerët sipas tij ishin jashtë oborrit dhe me armët drejtuar shtëpisë.

Aty, ai ka thënë se u është kërkuar që të nesërmen të paraqiten në Jabllanicë.

“Dy personat kanë qenë në uniformë me emblemë UÇK, ata që kanë qenë të gardhi, disa ishin në uniforma por emblemën nuk e kam parë, se ishin diku 25 metra apo 30 metra nuk jam i sigurt, por gardhi që i themi ne ajo është pasuri e jona. Ata janë bërë rresht aty ,armët i kanë drejtuar nga ne dhe këta dy kanë ardhur në oborr kanë biseduar me ne, ne kemi qenë të sulmuar aty, të gjitha armët nga shtëpia jonë i kanë pasur, edhe minahedhësin, ai ka qenë ‘hazer’ për sulm, e këta dy që kanë qenë në oborr, me këta ka biseduar nana dhe vëllai, dhe u kanë thënë nesër vimë në Jabllanicë, po të mos u thoshin ashtu do të mund të ndodhte më keq aty”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se vëllai u kishte dhënë një armë e cila i takonte babait të tyre.

“Armët ia kanë marrë vëllait, ata kërkonin edhe armë të tjera që i kanë takuar babës zyrtarisht, një armë e vogël i është lutur motra dhe vëllai të ja jap, ia ka dhënë atë armë vëllai i vogël dhe i kanë thënë nesër në orën 10:00 me ardh në Jabllanicë të gjithë. Por ne nuk e kemi pritur të nesërmen, atë natë jemi larguar prej aty”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, më vonë, pasi familje kishte shkuar në Shqipëri, babai i tij ishte kidnapuar dhe mbajtur në një fabrikë metali në Kukës.

Këtë, dëshmitari ka thënë se e ka mësuar nga babai i tij.

“Babai ka treguar si e kanë kidnapuar në Shqipëri, si e kanë çuar në një fabrikë të metalit në Kukës, torturuar, rrahur, dhe personat disa i njeh dhe disa nuk i njeh. Aty e ka zbuluar se në sulmin e shtëpisë ka qenë edhe Pjetër Shala. Por ka edhe emra të tjerë për maltretimin dhe rrahjen që ia kanë bërë në Kukës. Atë ditë në Kukës kur e kanë rrahur dhe e kanë biseduar në burg aty, i kanë thënë pse, e kemi pasur ne një kafe të vogël kemi punuar, kafenë që ta kanë gjuajtur kam qenë unë pse e ke kërku tjetër kënd dhe pse nuk dole ti kur të erdha te shtëpia”, ka thënë dëshmitari.

Prokurorja e ka pyetur atë rreth periudhës kur familja e tij janë larguar për në Shqipëri.

Fillimisht dëshmitari ka thënë se nuk e di datën por ishte muaji shkurt apo mars, para bombardimeve të NATO-s.

Prokurorja: A ju kujtohet data kur është larguar familja?

Dëshmitari: Nuk e di.

Prokurorja: A ju kujtohet nëse ka lidhje me ndonjë ngjarje, a ju kujtohet muaji apo viti?

Dëshmitari: Nga fillimi i vitit, ashtu mendoj unë, fillim i vitit, shkurt apo mars.

Prokurorja: Cili vit?

Dëshmitari: 1998… 1999 më falni.

Prokuroja: A ju kujtohet nëse kjo ka ndodhur përpara apo pas bombardimeve të NATO-s?

Dëshmitari: Përpara.

Trupi gjykues do të vazhdojë të dëgjojë dëshminë e këtij dëshmitari edhe në pjesën e fundit të seancës.

Ky është dëshmitari i tretë i mbrojtur i ZPS-së kundër Pjetër Shalës i cili po përballet me akuza me pretendime për krime lufte.

Shala: Në seancë ka shumë redaktime, nuk e di si do të më mbrojë avokati

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar dëshmia e dëshmitares së dytë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, e ka pyetur atë nëse burri i saj i kishte përmendur ndonjëherë diçka për trafikim organesh apo për një shtëpi të verdhë në Shqipëri dhe dëshmitarja e ka mohuar një gjë të tillë.

Dëshmitarja e mbrojtur e ZPS-së është përgjigjur rreth ngjarjeve të vitit 1999 kur sipas saj burri i saj ishte kidnapuar dhe dërguar në një fabrikë metali në Kukës.

Ajo ka thënë se atje, burri i saj ishte keqtrajtuar për gati dy javë nga Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi dhe persona të tjerë, ndër të cilët edhe Pjetër Shala i cili aktualisht është në bankën e të akuzuarit.

“Burri, a ua ka përmend ndonjëherë vet ju ose pjesëtarëve të familjes një shtëpi të verdhë në Shqipëri?”, ka pyetur mbrojtja e Shalës.

Dëshmitarja ka thënë se një gjë të tillë burri i saj nuk e kishte përmendur asnjëherë.

“Asnjëherë, as mua as pjesëtarëve të tjerë të familjes”, ka thënë ajo.

E për këto pyetje kanë reaguar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar duke thënë se të njëjtat nuk lidhen me pyetjet që i janë bërë paraprakisht dëshmitares.

“Nuk po e kuptojmë ku do të dalë me këto pyetje avokati sepse nuk duken relevante këto në raport me atë që u pyetën”, ka thënë prokurorja.

Ndërsa seanca është transmetuar me përmbajte të redaktuar derisa avokati i është përgjigjur kryetarës së trupit gjykues rreth qëllimit të këtyre pyetjeve.

Dëshmitarja ka thënë se Pjetër Shala ishte në mesin e personave që në maj të vitit 1998 kishin shkuar të shtëpia e saj me kërkesën për dorëzimin e armëve.

Këtë, ajo ka thënë se burri i saj e kishte kuptuar nga fqinjët dhe sipas saj Shala ishte personi që mbanë një minahedhës në dorë.

“E ka mësuar menjëherë pas kalimit të një kohe të kësaj ngjarje, një javë apo dy, ka kërkuar që ta dijë kush ka qenë, meqenëse nuk i kemi njohur të tjerët, vetëm ata dy pronat që kanë hyrë në oborr. Burrit i kanë thënë se ai ja qenë Pjetër Shala, por emrin nuk e dimë kush i ka thënë dhe këtë e ka vërtetuar kur Pjetër Shala e ka pranuar vet në burgun në Kukës, në fabrikën e metalit në Kukës. Atëherë e ka ditur më saktë”, ka thënë ajo.

Pas përfundimit të pyetjeve nga mbrojtja e Shalës, anëtarët e turpit gjykues e kanë pyetur dëshmitaren rreth deklaratave të saj për fabrikën e metalit në Kukës si dhe mënyrës se si ka mësuar për personat për të cilët pretendon se e kanë keqtrajtuar burrin e saj.

Dëshmitarja ka thënë se është njoftuar nga burri i saj se përveç tij, në fabrikën e metalit ka pasur edhe të ndaluar të tjerë.

Megjithatë, ajo nuk ka dhënë një numër rreth këtyre personave.

Nga burri, burri më ka treguar se ka pasur edhe shumë të burgosur të tjerë. Vetëm ka thënë se ishin edhe shumë të tjerë të burgosur, numrat e saktë nuk mi ka thënë. Kishte njerëz të ndaluar për kohë shumë të shkurtër, por edhe për kohë më të gjatë, nga një muaj, disa të burgosur është fjala, kush ishin ata nuk ka treguar”, ka thënë dëshmitarja.

Gjatë dëshmisë së djeshme, dëshmitarja kishte thënë se Sabit Geci, Xhemsht Krasniqi dhe persona të tjerë, në mesin e tyre edhe Pjetër Shala, ishin ata që e kishin torturuar burrin e saj në Kukës.

Gjykatësi Zhilber Biti e ka pyetur atë pse e ka bërë këtë radhitje, si dhe ka dashur të dijë nëse burri i saj ka pasur i formacion rreth rolit që kanë pasur këta persona në atë vend.

“Dje ju thatë që burri juaj ishte torturuar në Kukës, përmendet personat të cilët e kanë bërë një gjë të tillë dhe thatë si më poshtë: Këta persona ishin Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi, ka pasur edhe të tjerë në mes tyre edhe Pjetër shala, a ka ndonjë arsye pse i keni vendosur emrat në rendin që i keni vendosur”, ka pyetur gjykatësi Biti.

Ndërsa dëshmitarja ka thënë se di vetëm se këta ishin personat që e kanë keqtrajtuar.

“Jo, vetëm për të treguar se cilët persona e kanë torturuar… Ka treguar edhe për zotin Shala se gjatë torturimit ju ka paraqitur dhe ka thënë mos e etiketo asnjë njëri, sepse unë kam ardhur edhe të shtëpia me ta gjuajt edhe shtëpinë ku ishin duke banuar.”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka thënë se burri i saj nuk ka ditur rreth pozitave të këtyre personave dhe më pas seanca është transmetuar me përmbajtje të redaktuar.

Në fund të kësaj dëshmie, kryetarja e turpit gjykues e ka pyetur Pjetër shalës nëse ka arritur të ndjek gjithë seancën nga qendra e paraburgimit.

“Po, unë po por publiku jo sepse është shumë e redaktuar, e tërë pyetjet e avokatit tim kanë qenë të ndaluara, nuk e di si ka më mbrojë avokati mua kur nuk dëgjohet”, ka thënë Shala.

Para trupit gjykues tani ka filluar të dëgjohet dëshmitari i tretë i ZPS-së, gjithashtu i mbrojtur.

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës është i dyti në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me pretendimin për krime lufte.

Pjetër Shala kërkon që dëshmitarët të dëgjohen në seanca publike

Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, ka kërkuar që seancat në këtë proces gjyqësor të jenë sa më shumë publike. Sipas tij, një gjykim duhet të publik për të qenë i drejtë, por duke mos përjashtuar kujdesin e sigurisë për të dhënat identifikuese të dëshmitarëve.

Në fillim të seancës, Gilissen ka folur rreth vendimit të Shalës për të mos marrë pjesë fizikisht në gjykatore dhe sipas tij një gjë e tillë po ndodh për shkak se pjesa më e madhe e dëshmive po mbyllen për publikun.

Sipas tij, Pjetër Shala kishte kontaktuar të martën me disa të njohur në Belgjikë e të cilët kishin thënë se nuk po kuptojnë asgjë nga ajo çfarë po ndodh në sallën e gjyqit, për shkak të dëshmia po dëgjohet në seancë private.

“E takova dje në mbrëmje në objektin e paraburgimit, ishte shumë e vështirë të flisje me të, dhe dje humbëm, Shala nuk e ndoqi seancën, mund të them që sistemi gjyqësor po ashtu e humbi zotin Shala, është e dëshirë e zotit Shala të jetë i pranishëm, ai dëshiron të jetë i pranishëm gjatë seancave. Kur ai më shpjegoi, dhe unë jam shumë i ndjeshëm sepse është shumë delikate, më tha arsyen pse, ai e vlerëson që jemi të gjithë profesionistë dhe duhet ta mendojmë nga një pikëpamje më e gjerë, më tha se ajo që ndjeu ai, mbase për mirë apo për keq, ishte shumë e dhimbshme për të që po dëgjonte shumë nga gjërat që nuk po thuheshin në publik”, ka thënë avokati.

Ai ka thënë se Shala është i vetëdijshëm për çështjen e sigurisë së dëshmitarëve por sipas tij publiku duhet të dijë se çfarë po ndodh në sallën e gjyqit.

“Duhet të mbrojmë dëshmitarët por zoti Shala i cili ka probleme me zemrën, dhe ka pasur kriza kardiake, ishte vërtetë nervoz sepse pasi pati këtë kontakt me të njohurit, i krijoj njëfarë ndjesie të pakëndshme sepse e kuptoj që nuk po e ndiqte publiku, pra gjykimi nuk ishte publik…Besoj se Zoti Shala ka të drejtë, kemi një problem në këtë pikë, kur shohim si ka shkuar, po e respektoj, dua ta theksoj, e respektoj plotësisht vendimin por është për të ardhur keq që e humbëm zotin Shala sepse ai dëshiron të jetë pranishëm, ai nuk u tërhoq se kishte frikë nga dëshmitarët, nuk ndjehej fare mirë dhe kur e takuam ishte vështirë të komunikonim me të sepse kishte vërtetë probleme. Mendoj, me gjithë respektin, që ne duam ta keni parasysh këtë parashtrim”, ka thënë mbrojtja.

Lidhur me këtë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se janë përpjekur që dëshmitarët t’i marrin në pyetje sa më shumë në seanca publike por sipas tyre kjo nuk është e mundur gjatë gjithë kohës.

Ndërsa mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka thënë se prioritet duhet të jetë siguria e dëshmitarëve.

“Sigurisht që gjykata kërkon të gjejë një ekuilibër mes interesave për një gjykim të drejtë por në të njëjtën kohë të mbrojë dëshmitarët dhe kjo është diçka që do të jetë qind për qind e mundshme gjatë gjithë kohës. Prioriteti absolut është siguria dhe mbrojta e atyre që vinë për të dhënë dëshmi këtu dhe nëse kjo kërkon që duhet të kemi seanca private atëherë ashtu qoftë, dhe më vjen keq por ky është produkt i realitetit, ky është realiteti i Kosovës dhe kjo është një temë që është përmendur shumë herë nga gjykatës të ndryshëm dhe nga dëshmitarë në këtë gjykatë”, ka thënë ai.

Por sipas avokatit të Shalës, një gjyq duhet të jetë publik për të qenë i drejtë.

“Një gjyq, për të qenë i drejtë duhet të jetë publik, ju lutem, prioriteti është një proces publik, është një garanci, por sigurisht që duhet të jemi të kujdesshëm sa i takon aspektit të sigurisë, veçanërisht bazuar në informacionin lidhur me identifikimin, të dhënat identifikuese për dëshmitarët dhe për sigurinë e tyre. Përkundrazi, me gjithë respekt, parashtroj dhe e theksoj këtë, seancat publike janë një garanci për gjykimin dhe në kundërshtim me mbrojtësin e viktimave mund të them që jo, kjo është një gjë shumë e rëndësishme, këtu duhet të gjejmë ekuilibrin. E dimë që është delikate për ju të nderuar gjykatës, është e vështirë për palët por nuk duhet të harrojmë parimet, dhe parimi është seanca publike”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetarja e turpit gjykues, Mappie Veldt Foglia ka thënë se nëse trupi gjykues e kupton që një pjesë e transkriptit të seancave që është në privat mund të rikalsifikohet si publik, do ta bëjnë një gjë të tillë.

“Pyetja është a do ta zgjidhim kështu ne këtë ekuilibër, duke mos qenë i pranishëm e zgjidhim ne mungesën e këtij ekuilibri. Ne do të bëjmë të pamundurën që t’i kemi sa më shumë publike seancat dhe ne si trup gjykues do të përpiqemi të japim më shumë udhëzime në këtë drejtim për palët, mbrojtësin viktimave, është edhe përgjegjësia e juaj, ju ta vlerësoni nëse është e mundur apo jo, dhe jo vetëm për shkak të një procesi publik por të kemi parasysh edhe sigurinë e dëshmitarëve”, ka thënë ajo.

Këtë seancë Pjetër Shala po e ndjek nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Ish-pjesëtari i UÇK-së është larguar të martën nga salla e gjyqit dhe ka vendosur të marrë pjesë në gjykimin kundër tij vetëm përmes video-lidhjes. Mbrojtja e tij ka thënë se ai nuk është ndjerë mirë dhe ka qenë nervoz.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po dëgjohet dëshmitari i dytë i mbrojtur i prokurorisë dhe pjesa më e madhe e dëshmive nuk janë të hapura për publikun ose transmetohen me përmbajtje të redaktuar.

07:59 – Vazhdon seanca gjyqësore ndaj Pjetër Shalës

Edhe sot do të vazhdojë seanca gjyqësore e Gjykatës Speciale ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

Seanca pritet të fillojë nga ora 09:30 dhe do të vazhdojë deri në ora 16:00.

Në seancën e djeshme të Shalës ishte e ftuar dëshmitarja e dytë e mbrotur, e identifikuar me numrin gjashtë.

Derisa ajo ishte duke folur, ish-komandant “Ujku” i UÇK-së është larguar nga salla me arsyen se është nervozuar nga mënyra si po rrjedhë procesi dhe është në ankth.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Lini një Përgjigje

Drejtësia s’e heton neglizhencën e saj që çoi në vrasjen e një gruaje

MKRS stopoi privatizimin e ‘Kosova Filmit’