in

Dëshmitarët tregojnë se si i kishin varrosur shqiptarët e vrarë gjatë luftës

Të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë dëgjuar dëshmitarët S.R., I.S. dhe G.R. në gjykimin ndaj të akuzuarve për krime lufte ndaj popullatës civile më vitin 1999 në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizajt, Z.K. dhe D.Sh.

Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb kishin kryer veprën penale krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari S.R. deklaroi se gjatë periudhës së luftës kishte jetuar në Ferizaj dhe se të akuzuarin D.Sh. e njeh moti dhe se të njëjtin nuk e kishte parë që nga viti 1986 deri në periudhën e luftës.

“D.Sh. para viteve të 80-ta nuk e kam njohur si njeri të dhunshëm”, tha dëshmitari duke shtuar se atë pas luftës e kishte parë tek varrezat e qytetit të Ferizajit.

“Në vend të ngjarjes ishte një kamion dhe një bager. Pak pa mbrri në vendin e ngjarjes unë, vjen në drejtim timin me nxitim D.Sh. jo i dhunshëm, por i shqetësuam mjaftë dhe i drejtohem, kam ardh të shoh mos e kam vëllain se po i shoh disa kufoma, ai nuk tha asgjë”, rrëfeu dëshmitari.

Ai deklaroi se D.Sh. kishte qenë në vendin e ngjarjes në rroba civile, me një pushkë gjysmë automatike apo automatike duke thënë që nuk i kujtohet.

“I kam pa pesë kufoma në mënyrë të tmerrshme, të rrahur, të masakruar, të gjymtuar, të gjakosur por edhe në fund të vrarë” tha ai.

Dëshmitari deklaroi se në vendin e ngjarjes kishte qenë një plak të cilin e kishte parë në gjendje të rëndë.

“Aty ka qenë një burrë i plotë, i vjetër i veshur me jelek të zi, kishte pantallona tirqe, nga kërthiza ishte i prerë me thikë, me pantallona të zhveshur, i rrahur e i gjakosur mos të flasim, aq sa e kam parë unë i ka pasur të prera organet gjenitale”, rrëfeu dëshmitari.

Ai deklaroi se D.Sh. i kishte urdhëruar që kufomat t’i radhisnin një nga një dhe të njëjtit i kishte fotografuar një fotograf.

“Unë u largova prej kufomave dhe kërkova nga D.Sh. që të tërhiqemi, bageri punojke, fotografisti fotografojke kufomat”, tha dëshmitari duke shtuar se më pas ishte nisur që të largohej me frikën se do të qëllohej me automatik nga i akuzuari D.Sh.

Dëshmitari deklaroi se të nesërmen kishte shkuar tek varri, toka ishte e rrafshuar dhe aty kishte lënë një shenjë me qëllim që më pas të bëhet identifikimi i këtyre varrezave.

Ai deklaroi se pas kësaj ngjarje kishte shkuar në Maqedoni me gjithë familjen e tij dhe pas 12 qershorit ishte kthyer sërish.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit D.Sh. avokatit Mentor Neziri se a kanë qenë të armatosur personat e tjerë, dëshmitari deklaroi se nuk ka parë që personat tjerë të kenë pasur armë.

“A të ka treguar D.Sh. ku i ka gjetur ato kufoma” ishte pyetja e avokatit në të cilën dëshmitari deklaroi se i duket t’i ketë thënë se në rrugë diku.

“Meqenëse ju thatë që keni marrë pjesë në zbritjen e kufomave nga kamioni, pse nuk qëndrove edhe me i varrosë” ishte pyetja e avokatit në të cilën dëshmitari deklaroi se kishte qenë i frikësuar.

Ndërkaq lidhur me pozitën e trupave dëshmitari deklaroi se në varrezë trupat e viktimave kishin qenë të “gjuajtën një mbi një”.

Në pyetjen e të akuzuarit D.Sh. se ku ishin takuar ditën kritike, dëshmitari deklaroi se ishin takuar brenda varrezave.

“Çka kom pas në dorë unë” ishte pyetja e Shabanaj, ku dëshmitari tha se kishte qenë armë automatike apo gjysmeautomatike. “Nuk o saktë” shtoi i akuzuari D.Sh.

“Ky nuk mund të jetë dëshmitarë valid meqenëse nuk po e thotë të vërtetën”, shtoi i akuzuari.

Dëshmitari iu përgjigj edhe pyetjeve të trupit gjykues, ku gjatë marrjes në pyetje dëshmitari deklaroi se nga shtëpia e tij ishin parë varrezat dhe aty kishte parë njerëz.

Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Valbona Musliu – Selimaj, “A ju nimove ti se dashte prej moralit tënd apo të tha dikush” dëshmitari deklaroi se nuk e ka detyruar askush, por e kishte ndjerë moralisht gatishmërinë që t’ju ndihmoj.

Seanca vazhdoi edhe me dëgjimin e dëshmitarit G.R. i cili u mor në pyetje nga prokurori, mbrojtësit dhe trupi gjykues.

Ai deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna gjatë fazave të tjera të procedurës penale në këtë rast.

Në pyetjen e prokurorit Valdet Gashi lidhur me luftën në Kosovë, dëshmitari deklaroi se gjatë asaj periudhe kishte qenë në shtëpinë e tij në Ferizaj dhe kishte punuar në kompaninë e pastrimit të qytetit.

“Gjatë kohës së luftës i kemi vorros edhe kufomat”, tha ai duke shtuar se Z. Gj. punëdhënësi i tyre i kishte urdhëruar që t’i varrosnin edhe kufomat përpos pastrimit të qytetit.

Dëshmitari deklaroi se kishte marr pjesë në varrosjen e kufomave në Ferizaj dhe në Koshare.

“Varrosjen e kufomave e kemi kry edhe në Ferizaj veç pesë i kemi vorros, në varrezat e qytetit në Ferizaj”, tha ai.

Dëshmitari G.R. rrëfeu se atë ditë, kishte shkuar me tre kolegë të tij të tjerë për t’i varrosur pesë kufoma.

“Kryesori ka qenë D.Sh”, shtoi ai teksa po rrëfente ngjarjen që kishte ndodhur ditën kur ishin varrosur pesë trupat e viktimave.

“Me kamion i kanë pru kufomat prej Prishtinës, na i kemi prit te vorret”, tha dëshmitari.

Prokurori Gashi me lejen e gjykatës ballafaqoi deklaratën e dëshmitarit të dhënë në prokurori ku kishte thënë se D.Sh. kishte dhënë urdhër për hapjen e gropës, por një deklaratë e tillë u mohua nga dëshmitari i cili tha se nuk kishte thënë ashtu.

I njëjti deklaroi paraprakisht se nuk di shkrim dhe lexim dhe se deklarata e tillë nuk i ishte lexuar në prokurori.

Dëshmitari tutje deklaroi se i akuzuari D.Sh. kishte qëndruar në vendin e ngjarjes deri pas varrosjes së kufomave.

“Kur i keni varros kufomat, a keni lan naj shenjë aty për me dit që ka varreza” ishte pyetja e prokurorit në të cilën dëshmitari tha se jo, nuk kishin lënë ndonjë shenjë.

Gjatë kësaj seance u dëgjua edhe dëshmitari I.S. i cili deklaroi se në ditën kritike kishte punuar si punëtor i kopanisë së pastrimit të qytetit.

Ai tha se përpos pastrimit në kohën e luftës kishte bërë edhe varrimin dhe bartjen e kufomave.

“Në Prishtinë kishin qenë pesë kufoma në një podrum, ata i kena marr i kena ngarku edhe i kena pru në Ferizaj”, ai shtoi se urdhrin e kishte marr nga shefi i tij i cili tha se quhej M.

Dëshmitari tregoi se pasi i kishin ngarkuar trupat i kishin dërguar në Ferizaj, i kishin shkarkuar dhe më pas dikush tjetër i kishte varrosur.

Dëshmitari deklaroi se njëri nga kufomat ka pasur pantallonat e zhveshur pak, kanë qenë pak të gjakosur dhe të përlyer.

Në pyetjen e të akuzuarit D.Sh. se a kishte marr pjesë në varrime para luftës, dëshmitari deklaroi se, jo nuk kishte pasur raste të tilla.

Prokurori Gashi propozoi që në pamundësi të sigurimit të dëshmitareve të tjerë të lexohen dëshmitë e dëshmitarëve H.K dhe I.S.

Por kjo u kundërshtua nga avokati Dejan Vasiq, i cili tha se kërkon që të ftohet dëshmitarja I.S.

Propozimi për tu lexuar dëshmia e dëshmitarit H.K. u përkrah nga mbrojtësi i të akuzuarit D.Sh. avokati Mentor Neziri, ndërkaq sa i përket dëshmitares I.S. tha se nuk ka të bëj me të mbrojturin e tij.

Seanca e radhës u caktua për 26 shkurt dhe 3 mars 2021, nga ora 9:30.

Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës gjykata kishte nisur shqyrtimin gjyqësor në korrik të vitit 2020, ndërkaq seanca fillestare ishte mbajtur në janar të vitit 2020 ku dy të pandehurit kishin mohuar fajësinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2019, i akuzuari Z. K., më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direktë në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes N. që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, i njëjti gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së O. N, e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me formë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.

Pastaj, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë të cilët u përkisnin forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, ka marrë pjesë në cenimin e rëndë të personalitetit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj familje, ngase me forcë nën kërcënimin e armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kanë nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë jo humane i kanë rreshtuar në oborr para shtëpisë duke i mbajtur nën frikë dhe presion për një kohë të gjatë.

Tutje, thuhet se në vazhdim derisa personat civil të familjes N., ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.

Pastaj, sipas akuzës, i pandehuri në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familje, të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr, ku në bashkëveprim edhe me kryerës tjetër, nën kërcënimin e armëve i kanë urdhëruar të shpërngulen nga vendbanimi i tyre duke i dëbuar me forcë në drejtim të panjohur.

Tutje, thuhet se i pandehuri ka marrë pjesë në marrjen peng të katër personave të kësaj familje, i cili duke vepruar në bashkëveprim me kryerës tjerë, fillimisht i ka ndarë nga pjesëtarë tjerë të familjes, personat O. N, B. N., A. N. dhe B. N., tani të ndjerë. Pas marrjes të tyre, thuhet se thelbësisht ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur për skaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.

Për këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventae të Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1 dhe 2 , nënpargrafi 2.1,2.2 dhe 2.3 të KPRK-së, ndërlidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Kurse, i pandehuri D. Sh., sipas aktakuzës, më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë, viktimave O. N., B. N., A. N. dhe I. R., ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

Sipas akuzës, në një njëjtën ditë, sipas urdhrit të të pandehurit dhe pjesëtarëve tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura si më larë, përmes personave H. K., I. A. dhe një personi tjetër i quajtur “Rada”, me kamionin e tipit “FAP”, me ngjyrë të verdhë janë tërhequr nga Morgu i Prishtinës, ende pa u bërë autopsia dhe janë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt të quajtura “varrezat myslimane”, ku aty ishte duke i pritur i akuzuari D. Sh., i cili menjëherë posa kanë arritur trupat e pajetë, ka urdhëruar personin e quajtur “Maksut”, që me ekskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së këtyre.

Ndërkaq, më pas, akuza thotë se pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri në 3 metra e gjerë dhe 70 deri në 80 cm të thellë, i pandehuri D. Sh., ka urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare janë hedhur në mënyrë të parregullt të gjithë në të njëjtën gropë masive.

Sipas akuzës, në përfundim, i pandehuri në kundërshtim me doket, zakonet dhe rregullat fetare të të vrarëve ka urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë masive të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 LP të RSFJ-së, aktualisht e dënueshme edhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës nga neni 146, paragrafi 2.2 “ Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës”./BetimipërDrejtësi

Lini një Përgjigje

Vazhdojnë tensionet mes Serbisë dhe Malit të Zi

Kush po ua sheh hairin fushatave