Sherif Ramabaja
Ishte një lajm i madh. Në qytetin e afërt Gelsenkirchen, po vinte të shfaqte koncert ikona e pop muzikës, tash për tash numër një në botë, Taylor Swift.
Me të kuptuar kohën e ardhjes së saj, Bardha i kishte siguruar biletat për Donikën, Felixin dhe Florianin. E tëra kjo kishte ndodhur, disa muaj para se të vinte Taylor Swift.
Ditët ishin afruar dhe të mërkurën, javën e dytë të korrikut, pritej me entuziazëm të madh kjo ngjarje shumë e dëshiruar për Kikën. Tre katër ditë para koncertit ajo e kishte telefonuar babain e saj, duke i kërkuar se nëse Feliksi nuk arrin me kohë nga Frankfurti, të shkonte ai në vend të tij, pasi që biletën e kishte të rezervuar.
Erdhi edhe java e fundit dhe të mërkurën pritej pjesëmarrja në koncertin e shumë pritur, pasi ishte një ngjarje që do të mbetej përjetë në kujtimin e saj.
Të martën në mëngjes, Kika kishte marr një thirrje telefonike nga nëna. Kjo thirrje tashmë ndryshonte shumëçka në çastin shpirtëror të saj. Të sillte në kokë mijëra mendime, ngjarje, kujtime dhe një fund një pikëllim të pa përshkruar.
Nëna me drithërima të zërit i kishte thënë: Donika, daja Ali paska vdekur sonte natën. Donika ishte pikëlluar dhe ndjente dhimbje për dajën, po më tepër e kishte shqetësuar zëri i trishtuar i nënës.
Kishte lajmëruar se sot nuk mund të dilte në punë. Me motrën Bardhën, pasi ishin marr vesh mes vete, që të dyja ishin takuar te nëna, që në këto momente pikëllimi t´i ndodheshin pranë.
Nëna pasi kishte marr ca ditë pushim mjekësor i kishte lutur që t´ia siguronin biletën e aeroplanit, sepse donte të nisej sa më parë.
Donika dhe Bardha me këmbëngulje i kërkuar nënës, që edhe ato do ta shoqëronin gjithsesi.
Nëna nuk e kishte menduar se ato, që të dyja, do të kërkonin të shkonin me te. Mendonte si ta gjente një zgjidhje.
Në fund u mundua ta gjente një kompromis, sepse ishte kategorike që Bardhën mos ta merrte me vete. Mjaft e kishte dhimbjen e vëllait dhe nuk kishte fuqi që të kujdesej edhe për shëndetin e Bardhës, e cila ditët e fundit kishte qenë e sëmurë.
Në rregull u tha, Donikën po e marr me vete, kurse Bardha le të vjen me Yllin, së bashku të enjten, pasi edhe ai ka shfaqur dëshirën që patjetër të vij.
Në njërën anë jam mjaft e pikëlluar, po në anën tjetër po krenohem me fëmijët e mi: Yllin, Bardhën e Kikën, që aq fort e paskan dashur dajën e tyre dhe vëllain tim Ali Mahmetajn.
Donika për një moment e kujtoi kontrastin e jetës që iu paraqit përpara: në koncertin e pop ikonës Tayla Swift, që pritej të ishte edhe ajo prezent, do të këndohej e vallëzohej shfrenuar, kurse tash ku ndodhej, kishte vetëm dhimbje e pikëllim.
Si do qoftë, pasi bota në shumë raste është e pakuptueshme, ajo kishte zgjedhur që në këto momente të ishte pranë Albanës, Gencit, Kastriotit dhe Azizes.
Ditën e varrimit, në Dubovë të Pejës, Donika kishte mbetur e befasuar, kaq shumë veta paskan ardhur ta nderonin dajën Ali.
Djellza para varrit dhe të pranishmëve e mbante fotën e tij , kurse kurorën ia kishin caktuar ta mbante Donika.
Pikëllimi dhe dhimbja ishin të pa përshkruara, por krenaria dhe dashuria që kishte Donika për dajën Ali Mehmetaj, do të mbeten të përjetshme.