Shkruan Prof. Blerim Latifi!
“Për pak ditë bëhen 19 vjet nga katastrofa politike dhe morale e trazirave të marsit të vitit 2004. Brenda pak orësh turma shqiptarësh, të drejtuar nga kush e di se kush, e hodhën në koshin e plehrave një traditë të gjatë fisnike të të parëve të tyre, traditë të cilën e kishte ruajtur me besnikëri edhe vetë UÇK-ja.
Kjo është tradita e moscenimit të kishave dhe tempujve fetarë, në përgjithësi.Sikur të mbinin nga dheu, sa çel e mshel sytë, turmat mblidheshin dhe niseshin për t’u vënë zjarrin kishave ortodokse. Bota, e cila sapo na kishte shpëtuar nga genocidi, po e kapte kokën me duar nga ajo që po shihte, ndërsa Serbia po korrte fitorën e parë kundër nesh pas vitit 1999.Sot ne po vajtojmë për statusin special që na kërkohet t’ia njohim Kishës Serbe në Kosovë, por e harrojmë se ky status u vendos me duart tona në marsin 2004. U vendos nga budallallëku ynë.
Ne, shpesh, kemi qejf të themi se kishat ortodokse kanë qenë tonat dhe se na janë grabitur nga serbët, por në marsin 2004 ne dëshmuam se këto ishin vetëm fjalë goje. Duke ua vënë zjarrin kishave ortodokse ne i treguam botës se ato janë serbe. Pse do t’i digjnim po t’i konsideronim tonat?Paralel me këtë budallaki historike dhe në kundërshtim me traditën e arkitekturës vendore, ne lejuam një fushatë masive të ndërtimit të xhamive saudite në katër anët e Kosovës, duke i dhënë një argument shtesë Serbisë në qëllimin e saj për ta kompremetuar orientimin perëndimor të Kosovës.
Dhe kuptohet: gjithmonë vjen një ditë kur duhet të paguash faturën e budallakive. Dhe nganjëherë ndodh që fatura është aq e madhe, sa të duhet të hysh në borxhe të reja për ta përballuar atë.”
Titulli është i redaksisë