in

ÇLIRIMI I VËRTETË I TROPOJËS (2)

Av. Agron Isa Gjedia

E ku ndodh një gjë si kjo, që të vijojë për t’u festuar një datë e rrejshme e çlirimit të Malësisë së Gjakovës / Tropojës nga të tjerët (kushdo qofshin ata), pikërisht atje ku ndër shekuj është gjeneruar luftë kundër çdo pushtuesi, bile këtë e kanë bërë jo vetëm në vendin e vet ku kanë lindur dhe janë rritur, por kanë shkuar deri në Shkup, Sanxhak, Plavë e Guci, Vlorë e Korçë, Preshevë e Bujanoc, e çdo cep tjetër të trojeve etnike shqiptare.

Mbajtja edhe me tutje e datës 16 Tetor 1944, si datë e Çlirimit të Tropojës, pikë së pari mohon luftën çlirimtare të popullit të Malësisë së Gjakovës gjatë Luftës II Botërore. E po ashtu, mohon luftën çlirimtare të formacioneve partizane atje, mohon luftën çlirimtare të formacioneve nacionaliste, mohon luftën e çetave territoriale e ato të vetë-organizimit mbarëpopullor të cilët u bashkërenduan në mes tyre, etj. Njëkohësisht, mbajtja në agjendën e përkujtimit të datës 16 Tetor 1944, vijon të ushqejë edhe më tej ish propagandën komuniste e cila së paku për këtë rast ishte plotësisht e gënjeshtërt. Me këtë akt, në të vërtetë, kamuflohet data e vërtetë të çlirimit me datën e festimit të datëlindjes së udhëheqësit komunist Enver Hoxha. E ku ndodh kjo? Pikërisht në Malësinë e Gjakovës, në Tropojë.

Pasojat e këtij shënimi të rrejshëm vijojnë të pengojnë shkruarjen e të vërtetës historike lidhur me këtë datë, por jo vetëm. Kjo pengon në vetvete shkruarjen e historisë së vërtetë të asaj treve heroike e patriotike. Po ashtu, pengon për t’u kthjelluar në të vërtetat historike në tërësi, dhe mban gjallë mashtrimet që janë bërë deri tani me historinë e Malësisë së Gjakovës / Tropojës, së paku për periudhën e luftës kundër okupatorit nazi-fashist. E mbi të gjitha, akoma sot e kësaj dite, mban në themel të propagandës, diskriminimin krahinor të Bytyçit, të Malësisë së Gjakovës / Tropojë, të cilës nga rrethanat e luftës (e jo se ishte ndryshe nga zonat e tjera të asaj malësie), i ra për hise të kthehej në një shesh betejash të përgjakshme, me pasojat më të rënda për të: me të vrarë, të plagosur, me djegie shtëpish e pasurish, me zhdukjen e pjesës më të mirë të trashëgimisë materialë dhe etno-kulturore, si: kulla e ndërtime të tjera në funksion të saj, orenditë shtëpiakë, kostumet popullore, etj. Ajo vlerë historike dhe ai heroizëm i shkrirë me mbarë heroizmin e popullit të Malësisë së Gjakovës, nuk ishte vlerë në vete, por pjesë integrale e vlerave të mbarë popullit të Malësisë së Gjakovës / Tropojë.

Po ashtu, mbajtja e kësaj date të rrejshme si datë për çlirimin e Malësisë së Gjakovës / Tropojë, është një diskriminim permanent për mbarë Veriun e Shqipërisë, duke aluduar se ai “nuk kishte qenë i zoti” të çlirohet vetë nga okupatori nazi-fashist pasi ishin të lidhur me “reaksionin”, ngase ishin “bashkëpunëtorë të pushtuesit”, në një kohë kur në fakt, Veriu i Shqipërisë, kur erdhën Brigadat partizane, ishte thuajse plotësisht i çliruar.Njëherit, kjo datë e rrejshme e çlirimit të Tropojës, e zeron faktin shumë domethënës dhe të vlerës unike në vend, por mbase edhe në Ballkan, lidhur me ngritjen e së parës çetë nacionaliste, konvertuar më pas në “komunistë”, sikurse ka qenë ajo e Malësisë së Gjakovës nën drejtimin e Ram Mujë Hoxhës.

Është fakt dhe nuk mund të mohohet se edhe 16 Tetori i vitit 1944, është datë historike, por jo e Çlirimit të Tropojës nga ana e okupatorit nazi-fashist, por është ajo e vendosjes së “Pushtetit Popullor”, sikurse është quajtur vendosja e “Pushtetit Komunist” edhe në këtë rreth. Nuk është turp, që edhe neokomunistët ta festojnë këtë datë si datën e vendosjes së Pushtetit Popullorë, sikurse është quajtur vendosja e Pushtetit Komunist edhe në këtë rreth, pasi që vetë PKSH, nuk e ka fshehur asnjëherë se krahas luftës për çlirimin nga okupatori nazi-fashist, ishte edhe ajo për marrjen dhe vendosjen e pushtetit, që në të vërtetë ishtë objektivi parësor i saj, për të mos e ndarë me askënd tjeter.

Për të mos ia fshehur mëkatet dhe për të mos ia humbur meritat e ekzagjeruara deri më sot, duhet thënë dhe duhet marrë në considerate, se:Partia Komuniste Shqiptare, e instruktuar dhe urdhëruar gjatë Luftës II Botërore nga emisarët Jugosllavë të PKJ-së, e posaçërisht nga Josiv Broz Tito, vepronte kryekëput si një degë dhe filial i saj në Shqipëri, me pikësynimet e saj të qarta të urdhëruara nga ata që krahas luftës së kursyer kundër gjermanëve në ikje e sipër, të luftonte me përparësi të padiskutueshme nacionalistët shqiptarë në Shqipëri, e cila synohej të ishte Republika e VII-të e Federatës Jugosllave, e më së shumti në Kosovë ku pushtetin efektiv gjatë luftës e kishin nacionalistët shqiptarë, me qëllimin e qartë, marrjen e pushtetit dhe mbajtjen me xhelozi të theksuar në monizëm, për të mos e ndarë me askënd.

Sikurse dihet nga të gjithë, në tersin e vet PKSH, marrjen e pushtetit “përmes grykës së pushkës, e mbrojtjen përmes saj”, nuk ishte as më pak dhe as më shumë se sa një “vetlegjitimim”, që tregonte sesa të pakursyer do të tregoheshin ata nga ana e tyre për çdo shqiptar që do t’i pengonte në atë sipërmarrje.

Edhe ardhja e Brigadës së III-të S në Tropojën e çliruar në mënyrë të paparalajmëruar, ndodhi për ta pushtuar atë, për ta vendosur pushtetin komunist, e jo për ta çliruar, sepse ajo në atë kohë ishte e çliruar dhe me atë akt të sajin barbar, efektivisht as më pak dhe as më shumë, grabiti fitoren e forcave çlirimtare të Malësisë së Gjakovës / Tropojë.

Ardhja e forcave të Brigadës së III-të S në Tropojë, në mënyrë të panevojshme dhe të pamerituar, aq më tepër edhe të paparalajmëruar, as te forcat partizane e komuniste që vepronin në Tropojë, nuk ishte as më pak dhe as më shumë se sa një veprim kriminal, që nuk e kishin për gajle t’i përdornin si “mish për top” forcat partizane, ashtu sikurse ndodhi edhe në Kosovë, duke mos iu kursyer pushkës vëllavrasëse, një veprim direkt ky i nxitur haptazi apo në mënyrë të kamufluar nga sllavët.

Ishte ajo përplasje e padëshiruar në terren në mes shqiptarëve, e me pas si një meritë e padiskutueshme edhe e përplasjes verbale në mes partizanëve – komunistë të Tropojës, konkretisht të Idriz Mulosmanit, me killerin Shefqet Peçi, i cili kishte ekzekutuar ato ditë, pa bërë gjyq, një malësor nga Luzha.

Këto që ndodhën, fatkeqësisht, i vunë fre ambicjeve të Shefqet Peçit e të tjerëve ndihmaqar të tij, për ta përsëritur edhe në Malësinë e Gjakovës / Tropojë, në mënyrë të pajustifikueshme “Fushë – Alin” e Dibrës, Mirditën, Postribën, Buzë-Madhin e Kukësit etj. Pretendimi i pabazë se duhej të çlirohej Tropoja nga forcat reaksionare dhe kolaboracioniste, jo vetëm se i panevojshëm por ishte edhe i pabazë, sepse në Tropojë, në kulmin e forcës së pushtuesit, gjetën strehën e tyre të sigurtë Shtabi i Kos-Metit, çeta partizane “Perlat Rexhepi” e Shkodrës, aradha partizane “Bajram Curri” e Kosovës, si dhe u mbajt me sukses të plotë Konferenca e Bujanit.

Në të gdhirë të datës 16 tetor 1944, në qendrën e Tropojës – Astë, ajo që synohej për t’u çliruar si një akt konkret e imagjinar çlirimi nga forcat partizane të Brigadës së III-të S, kishte ardhur si urdhër që ai akt të ndodhte pikërisht më 16 tetor 1944. Në të vërtetë, aty e në atë vend nuk kishte forca të armatosura.

Lini një Përgjigje

Kryetari i degës së LDK-së në Gjermani: Duan të na paraqesin “Shtet Islamik”

20 celula xhihadiste që fshihen në Kosovë, Shqipëri e Serbi po përgatisin sulme terroriste