in

CIA: Shqiptarët u mashtruan nga pansllavistët e maskuar si komunistë (1)

“Kosova u mposht nga mendja serbe, por instrumenti ishin partizanët shqiptarë”. Kështu thuhet në një raport sekret të CIA-s, të vitit 1953 dhe të de-klasifikuar pjesërisht në vitin 2011. Raporti shkruan për “sakrifica mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës për ta ruajtur lirinë e tyre”, derisa konstaton se u mposhtën nga pansllavistët që u mbështollën nën lëkurën e komunistëve. Rrëfehet, edhe pse italianët dhe gjermanët më të drejtë në Kosovë u panë si çlirimtarë. Flet sesi nuk ishin hakmarrë ndaj serbëve dhe malazezëve, kur e patën mundësinë dhe cili ishte roli i figurave të caktuara, si:Fadil Hoxha, Enver Hoxha e Xhafer Deva.

Vetëm gjashtë vjet pas themelimit, Agjencia Qendrore e Inteligjencës Amerikane, e njohur botërisht si CIA, kishte filluar fushatën për luftimin e përhapjes së ideologjisë komuniste nëpër botë.

Në kuadër të kësaj fushate, më datë 7 janar, të vitit 1953, CIA kishte përpiluar një raport të gjatë për situatën në Jugosllavi, me theks të veçantë për gjendjen dhe orientimin e shqiptarëve në Jugosllavi dhe në Shqipëri.

Raporti ishte top-sekret deri në janar të vitit 2011, kur u vendos të deklasifikohej pjesërisht.Albanian Post e ka siguruar këtë raport që, në faqen e parë të të cilit, thuhet se “ky dokument përmban informacione që afektojnë mbrojtjen kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Përcjellja e tij apo zbulimi i përmbajtjes së tij nga një person i paautorizuar është e ndaluar me ligj”, por edhe “riprodhimi po ashtu është i ndaluar”.Raporti shkruhej “vetëm për zyrtarët amerikanë”, derisa te pjesa e subjektit, thuhet se ka të bëjë me “minoritetin shqiptar në Jugosllavi”.

Para se të përshkruhej gjendja aktuale, në raport ishin dhënë në pika të shkurtra disa pjesë të historisë, duke filluar nga viti 1944, derisa Lufta e Dytë Botërore ende nuk ishte mbyllur zyrtarisht, përkundër se tashmë ishte kuptuar mjaft mirë se cila ishte ana finale e saj.

Raporte si ky i CIA-s i shërbenin politikës amerikane për t’u orientuar më pas në politikën e jashtme.

Me precizitet dhe konciz raporti përmend edhe liderët politikë shqiptarë të kohës, ndarjen e tyre mes komunistëve dhe përkrahësve të Boshtit dhe gjithashtu shpjegon përse italianët dhe gjermanët nënkuptoheshin krejtësisht ndryshe nga shqiptarët në Kosovë dhe shqiptarët në Shqipëri.</p>

“Në kohën kur kufijtë e Shqipërisë u vendosën me Konferencën e Londrës në vitin 1913, Kosova mbeti nën Serbi. Shumë kosovarë dhe shqiptarë të tjerë që jetonin në tokat e përvetësuara rishtazi nga Serbia, shkuan refugjatë në Shqipëri”, thuhet në raport.

“Ata u vendosën në Fushë -Krujë, Mamurras, Fushën e Mbretit (Elbasan), Myzeqe dhe lokalitete të tjera. Të tjerë u larguan nga serbët. Këtu përfshihen edhe një numër i madh i njerëzve të shquar, përfshirë edhe Familjen Bllaca dhe personalitete të shumta të Kishës Katolike”.

Në 33 faqe tekst me kodin “50X1-HUM”, që përdoret për dokumente që kanë informacione nga burime njerëzore konfidenciale dhe që deklasifikimi i emrave nuk guxon të ndodhë para 75 vitesh, flitet edhe për personalitete, si: Etërit, Shtjefan Kurti, Gjon Bicaku dhe Mikel Shala, për të cilët thuhet se “ia dolën disi të shpëtonin duke ikur në Shqipëri, në vitin 1929”.

Derisa, “në atë kohë qeveria shqiptare dërgoi një notë proteste te Liga e Kombeve për të ngritur shqetësimet rreth vrasjes së atit Shtjefan Gjecovi”.

“Autoritetet Jugosllave përfituan nga rasti i injorancës së shqiptarëve meqë një pjesë e madhe ishin analfabetë, dhe nën pretekstin se ishin turq, për shkak të fesë myslimane, u mohuan atyre të drejtën të flasin gjuhën e tyre dhe të promovojnë traditat e tyre dhe sentimentin e tyre patriotik e kombëtar. Serbët detyruan shqiptarët që të braktisnin shtëpitë e tyre dhe aty akomoduan serbë dhe malazezë”.

Një nga pjesët më interesante të dokumentit të CIA-s është shpjegimi i raportit të shqiptarëve me italianët dhe gjermanët që asokohe, praktikisht, pushtuan Ballkanin.

“Më 7 prill të vitit 1939 Shqipëria u okupua nga Italia dhe më pas, shqiptarët që banonin në kufijtë e 1913-ës, të frymëzuar nga patriotizmi dhe dashuria për lirinë, luftuan kundër Italisë dhe Gjermanisë, që ua kishin mohuar këtë liri”.

Por, raporti vazhdon më tej duke sqaruar se përse e njëjta situatë nuk ndodhte me shqiptarët e Kosovës.

“Koha e luftës te shqiptarët e Kosovës ishte goxha më ndryshe. Ata ishin vënë në nënshtrim nga Jugosllavia dhe Italia e Gjermania i çliroi. Në vitin 1941, kur Kosova dukej se kishte arritur në fund të humnerës, ata u shpëtuan dhe u çliruan për t’u bashkuar me Shqipërinë”, thekson raporti.</p>

“Grupe të mësuesve dhe zyrtarë të tjerë u dërguan nga Ministria Shqiptare e Edukimit nga Tirana në Kosovë në vitin 1941 dhe 1942. Këta ‘misionarë të lirisë’ kuptuan statusin dhe sentimentin e kosovarëve”.

Një nga versionet e asaj kohe në histori, sidomos në atë të Serbisë, flet për një fushatë të shqiptarëve kundër serbëve, në kohën kur bashkëpunuan me gjermanët, por raporti i CIA-s flet krejt ndryshe.

“Ata ia arritën të qetësonin inatet e vjetra dhe dëshirat për hakmarrje, organizuan çështjet administrative në baza demokratike, dhe zgjidhën pozitën e minoritetit serb dhe malazez duke ua njohur barazinë në të drejta në raport me shqiptarët”.

“Kjo nënkupton se minoriteti sllav nuk dërrmohej me taksa dhe vështirësi të kësaj natyre. Nga viti 1941 deri në vitin 1944, sllavët lejoheshin të mbanin pozita si zyrtarë dhe gëzonin të drejta dhe liri individuale. Nuk i nënshtroheshin shërbimit ushtarak. Për shkak të krenarisë së tyre kombëtare megjithatë shumë serbë e malazezë refuzonin të pranonin pozita zyrtare, meqë as nuk kishin nevojë për të punuar pasi ishin bërë të pasur duke shfrytëzuar skllevërit e tyre shqiptarë. Megjithatë, shumë prej tyre mund të pranonin punë të ndryshme meqë e njihnin shumë mirë gjuhën shqipe”.

Për ta ilustruar situatën në raport jepet një shembull sesi kishte vepruar Xhafer Deva, në një rast të vrasjes së një serbi nga një shqiptar.

“Nën regjimin shqiptar në Kosovë, serbët dhe malazezët gëzonin mbrojtjen e gjykatave kundrejt shqiptarëve dhe, në raste të caktuar abuzimi, shteti ndërhynte direkt në favorin e tyre. Për shembull, në vitin 1944 një ushtar i divizionit ‘Skënderbeu’ e kishte vrarë një serb në Prizren për shkak të një gjakmarrjeje. Ishte vetë Xhafer Deva, i cili urdhëroi që vrasësi të qëllohej pikërisht në vendin ku ishte kryer krimi”.

Përkundër se amerikanët ishin vetë pjesë e forcave aleate, në raport komunistët paraqiten negativisht dhe flitet për një mashtrim që iu bë shqiptarëve duke ua shitur pan-sllavizmin si komunizëm.

“Komunistët filluan ngadalë të kishin sukses në mes të intelektualëve shqiptarë, duke i bërë për vete me slogane të tipit ‘pushtimi i huaj’ dhe apele për ‘të drejta të punëtorëve’. Përfundimisht, që shqiptarët të bashkoheshin me partinë komuniste në luftën për liri kombëtare kundër imperializmit nazi-fashist. Në anën tjetër, futën inate dhe urrejtje në mes të shqiptarëve dhe vëllezërve të tyre kosovarë”.

“Funksionarët që erdhën nga Shqipëria u mirëpritën nga kosovarët, megjithatë ata funksionarë nuk ftoheshin në shtëpi për shkak të dallimeve kryesisht fetare. Kjo u mundësoi serbëve dhe malazezëve që t’u ofronin këtyre funksionarëve akomodim dhe të fusnin te këta shqiptarë idenë se kosovarët ishin fetarë fanatikë. Në anën tjetër, komunistët po forconin propagandën e tyre se këta funksionarë ishin shërbëtorë të shitur tek okupatori dhe tradhtarë të të drejtave të punëtorëve”.

Nesër: Si e dogjën serbët Pejën me 1942?

Lini një Përgjigje

Gjyshi Berisha i fton shqiptarët në protestën e revolucionit të tij!

Provat për bazën e spiunazhit