Sherif Ramabaja
Ishte vit i mbrapshtë, do të thoshte Kadareja. Pothuaj një vit i humbur, duke e luftuar Kurtin. Ai nuk iku, se nuk iku. Po ta dorëzonte pushtetin, gjithçka do të merrte fund, sipas opozitaëve. Do të zgjidhej Kryeministri, do të zgjidhej kryetari, krye kuvendari dhe qeveria. Dhe kjo nuk ndodhi vetëm pse Kurti ngulte këmbë: Unë jam fituesi thoshte, dhe nuk qiste zë nga goja.
Po nëse je fituesi i thoshte Haradinaj, Lista Serbe, Memli Krasniqi, Dudija, Abdixhiku, Limaj, Lirim Mehmetaj, Buzhala, Milaim Zekaj, Sheholli, Baton Haxhiu, Naim Tërnava, Shefqet Krasniqi dhe kompanitë e tyre, formoje qeverinë.
Dhe si ta formonte Albini qeverinë, kur krerët opozitar nuk donin t´ia jepnin kokrrat. Pa disa kokrra të tyre ai vendnumëronte, e përsëriste telenovelën serike.
U emituan me dhjetëra e dhjetëra emisione televizive, u organizuan programe speciale (me paramendim ku villej vrerë kundër Kurtit), u shkruan qindra rreshta, artikuj gazetaresk, shkrime portale, u incizuan me dhjetëra e dhjetëra intervista, raporte ditore, javore e mujore, po gjendja mbetej e njejtë.
Abdixhiku deklaronte se na ka quajtur hajvanat. Haradinaj thoshte se ai është bashkëpunëtor i Serbisë, Dudija kërkonte shamia e ferexhe nëpër shkolla, Memli Krasniqi kërkonte bashkim me Listën Serbe e LDK që ta formonin qeverinë, kurse Limaj kërkonte postin e kryetarit të shtetit. Shkurt e shqip, rruga kishte humbur në mjegull.
Dhe mjegulla zgjati pothuaj një vit të tërë dhe gjatë kësaj kohe, çfarë nuk u tha, e çfarë nuk u bë, kundër njëri – tjetrit.
U bënë krahasime me Millosheviqin, tradhti kombëtare, spiun, bashkëpunëtor i Vuçiqit, antikombëtar, antikosovar, diktator, uzurpator, komunist, enverist, bllokues, përçarës, antiperendimor, antiamerikan, anti EU, e çka jo tjetër.
Në njërën anë ishin krerët e opozitës që sulmonin, në anën tjetër Serbia me luftë speciale po edhe me aksione terroriste, kurse në anën tjetër ishte edhe perëndimi i cili akuzonte se po veprohet pa koordinim. Pra ishte një luftë e pabarabartë, (Davidi kundër Goliatit) po dihet që në botë e gjetiu nuk ka drejtësi. Çështja ishte se dikush të gjitha këtyre të këqijave, duhej vënë gjoksin. Rugova mungonte. Koha tash nuk ishte të luftohej me armë, po me dije.
Kosova qëndronte në njërën anë: kundër i kishte, Stanon, Borrellin, Lajçakun, Hillin, Grenellin, Ambasadorët e Quintit, etj. pa përmendur krerët tanë opozitar, Serbinë e Rusinë.
Vetëm njëri i cili e kishte shumicën e popullit pas, e ngriste të vërtetën e Kosovës lartë me të dy duart. Ky ta kujtonte një personalitet, të cilin populli e njeh si arkitektin e pavarësisë, po jeta e tradhtoi që ta bënte shpalljen e këtij akti, të cilin askush tjetër se meritonte. Erërat sado të fuqishme që ishin, ky me të vërtetën e tij në dorë nuk u dorëzua.
U shpallën zgjedhjet e reja dhe tash përnjëherë, në perëndim po fryjnë erëra tjera sot. Sanksionet u pezulluan. Sulmi në Ibër – Lepenc u vërtetua se nuk ishte inskenim. Populli brenda bllokadës mësoi shumëçka nga e vërteta, mashtrimi e gënjeshtra. Të dielën do hapet mejdani sërish. Aty do të shihet se kush kishte të drejtë. Pritet që të fitoi Kosova dhe ta forcoi edhe më tutje shtetësinë. Përndryshe do të na dënoi koha.
Mars – Rover – (Satirë)


