Sherif Ramabaja
Ishin seanca krimi. Shekspiri padyshim, mbi ngjarjet e parlamentit, do të thurte tragjedi. Në lojë ishin të përfshira edhe shërbimet inteligjente të Serbisë dhe Rusisë, po shërbim inteligjent në vete kishte edhe ish ambasadori Grenell, me përfaqësuesit e tij shqiptar, diplomatik e jo diplomatik.
Për ditën e sotme, parlamentin dhe shqiptarët, do të ofshante thellë i ndrituri Faik Konica, do të vajtonte me lot e me vargje i madhi Gjergj Fishta, do ta ndante mendimin e mprehtë Kadareja, kurse Rugova do të shkëlqente me urtësi e do të gjykonte me pragmatizëm.
Po deputetët e rinj? Po i zbatojnë urdhrat e shefave të tyre dhe po përshëndeten me delegacione para hyrjes së parlamentit. Ata janë vetëm hija e vetvetes, kurse vendime për ta i marrin padronët e tyre. Detyrë tjetër nuk kanë. Deti u bëftë kos. Dita e nesërme, sërish do të gdhijë. Në trojet e shqiptarëve pushtuesit vetëm janë ndërruar. Kjo mund të ndodhë prapë nesër, pasnesër, pas një jave, pas një muaji, pas një viti…
Bota nuk do të zhduket, ne do jemi aty, pjesë e sajë. Do ti kemi udhëheqësit tanë, apo vasalët. Pa ta nuk do jemi. Kështu e kemi pasur me shekuj dhe mund ta kemi sërish. Dështimet nga parlamentarët, mund të trumbetohen si fitore. Kryesore punëdhënësit, do u duartrokasin. Nëse nuk mund të fitojnë vetë, bota u shkatërroftë. Ose unë, ose mbarofshin të gjithë. Unë, unë dhe vetëm unë. Ndarje, Asociacion, autonomi, Bashki të reja dhe çka do qoftë, për të gjitha jemi të gatshëm.
Këtë e kemi dëshmuar me përfundimin e luftës dhe do ta dëshmojmë sërish. Për këtë e kemi përkrahjen e EU, të bashkësisë ndërkombëtare, të ambasadorit Grenell, të SHBA etj. Kryesore do arrihet paqja. Për këtë do të marrim përkrahje dhe merita nga të gjithë.
Pra kush po punon për të ardhmen e Kosovës, ai i cili po e pengon të ardhmen e saj dhe paqen, ai i cili e ka izoluar vendin, ua ka kthyer shpinën miqve, na ka shpërblyer me sanksione, apo ne të zgjedhurit e popullit që po kërkojmë marrëveshje. Sot e kemi ditën tonë dhe sot do të vendosim për të ardhmen e atdheut.
Për meritat tona kishim edhe delegacione të kategorive të ndryshme, para parlamenti e brenda tij. Kjo ishte dëshmia më e mirë, për punën tonë atdhetare. Shpëtimi i atdheut do të ndodhë vetëm me ne dhe shefat tanë. Kështu na kanë përgatitur. Ne vetëm po i zbatojmë urdhrat e tyre. Ne jemi të zgjedhurit e këtij populli.
Të zgjedhurit e popullit vepruan edhe me 1989, në suspendimin e autonomisë. Po ashtu të zgjedhurit me 1991 e shpallën Republikën e Kosovës, kurse ne sot do ta shpallim paqen me Serbinë. Këtë po e kërkojnë të gjithë miqtë e Kosovës. Këtë po e kërkon edhe Serbia. Këtë po e kërkon EU e perëndimi. Vetëm njëri është kundër kësaj paqeje, e ai është Albin Kurti. Pra ne me qëndrimin tonë, po e shpëtojmë Kosovën.
Mars – Rover (Satirë).