in

Calmy Rey, Don Marjani dhe “shpallja” e pavarësisë së Kosovës në Wil 17 vjet më parë

Blerim Shabani 

Një “shpallje paralele” e Pavarësisë së Kosovës qe bërë më 17 shkurt 2008 nga ministrja e jashtme e Zvicrës Micheline Calmy Rey, në një kishë katolike të qytetit të vogël zviceran, Wil (SG). 

10 vite nga “shpallja e pavarësisë” që u bë në kishën ku ai ishte protagonist, don Marjan Marku flet lidhur me këtë ngjarje të cilës i kishte dhënë vulë prania e Micheline Calmy Rey, përkrahëses më të zëshme të pavarësisë së Kosovës

Më 17 Shkurt të vitit 2008, ditën kur në Parlamentin e Kosovës, në Prishtinë, do të bëhej shpallja e Pavarësisë së Kosovës, në një qytet të vogël në lindje të Zvicrës, në Wil, shqiptarët kishin një “shpallje paralele” të kësaj pavarësie. Në një kishë katolike të Wilit, e ftuar nga Don Marjan Marku, asokohe famullitar dhe drejtues i Misionit Katolik Shqiptar, kishte ardhur mikja e dëshmuar zvicerane e shqiptarëve, Micheline Calmy Rey. Ajo njihej tashmë për “thyerjen e akullit” rreth pavarësisë së Kosovës. Së paku që nga viti 2005, kryediplomatja e Zvicrës nuk linte rast gjatë aktiviteteve të saj diplomatike pa përmendur domosdonë që Kosova të bëhet shtet i pavarur.

Më tutje Don Marjani flet për albinfo.ch lidhur me `parahistorinë` e ardhjes së Calmy Rey në meshën shqiptare, pikërisht më 17 shkurt 2008. “Është e vërtetë se më 12 dhjetor të vitit 2007 unë ia pata drejtuar zonjës Michelin Calmy Rey ftesën për të marrë pjesë në një meshë tonën. Ajo gjatë Krishtlindjes kishte vendosur  për të ardhur në Wil, ndërsa mua më ka lajmëruar  më 5 janar të vitit 2008.

“Ne, thjesht, donim t`i thoshim asaj dhe Zvicrës: `Faleminderit!`”

Qëllimi i vetëm i ftesës sime ka qenë për të falënderuar Hyjin, Zvicrën dhe personalisht zonjën Michelin Calmy Rey për të gjitha të mirat që populli shqiptar ka fituar dhepërjetuar këtu, në Zvicër. Po ashtu kam dashur të falënderoj edhe zonjën Michelin Calmy Rey personalisht, për guximin dhe angazhimin e saj rreth Kosovës, duke qenë se ajo ishte ndër politikanët e parë ndërkombëtarë që edhe në Beogradka folur për një “pavarësi formale” të Kosovës. Pra thjesht, që në emër të të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, t`i them asaj dhe gjithë zviceranëve: “Faleminderit”. Ishte një kënaqësi e madhe që atë ditë në të gjitha kanalet televizive të Zvicrës u trasmetua fjala ime falënderuese e shqiptuar në këtë ngjarje: `Faleminderit Zvicër!`, thotë prifti shqiptar, i cili tash udhëheq një famulli të madhe që mbulon një regjion të Zvicrës Lindore.

I pyetur rreth përgatitjeve të meshës që doli të mos ishte krejt e zakonshme, Don Marjani thotë, ajo ishte një meshë e zakonshme, ndërsa e jashtëzakonshme ishte simbolika e falënderimit, ku fëmijët e veshur me veshje kombëtare zvicerane dhe shqiptare-kosovare, kënduan këngën “Danke” (Faleminderit). Po ashtu ishte e jashtëzakonshme paraqitja e dhuratave, ku ishte një shportë e vogël me dhe (tokë) nga Kosova dhe nga Zvicra, simbolikë kjo që kufijtë të mos jenë vija që ndajnë por që bashkojnë njerëzit”. Ndërsa një rrëfim interesant ka Don Marjani rreth ardhjes së Calmy Rey në Wil gjegjësisht rreth modestisë e transparencës që e cilëson atë dhe shtetin ku jeton, sa i përket sigurisë.

Calmy-Rey erdhi pa “xhipa”, pa përcjellje, me tren, si gjithë populli

“Dihet se vetë Calmy Rey ka ardhur me tren deri në Wil SG. Unë e kam pritur në stacionin e trenit në Wil me një polic i cili ka qenë i veshur me rroba civile. Dhe gjatë rrugës, nga stacioni i trenit e deri tek kisha, ajo i ka thënë policit se nuk kishte dëshirë t`i qëndronte askush afër. `Sepse kjo është një ditë paqësore dhe nuk kam frikë nga askush`, ishte arsyetimi i saj. Pra, përveç atij polici civil nuk di që ka pasur truproje apo siguri tjetër. Askush nuk ka qenë i penguar për të hyrë në Kishë edhe pse Kisha ka qenë e stërmbushur me njerëz dhe kështu standartet e sigurisë kanë qenë të tejkaluara”, përfundon Don Marjani kapitullin e organizimit dhe sigurisë.

“Edhe pse kjo ditë ka qenë një meshë, një rit fetar, një meshë falenderuese, kjo ditë ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Më kujtohet, pas përfundimit të meshës, duhej që zonjën Michelin Calmy Rey ta përcillja deri në stacionin e trenit në Wil, por pasi që rrugët ishin të mbushura dhe të bllokuara me makina nga festimi i shqiptarëve për ditën e pavarësisë, më është dashur që atë ta përcjell në një stacion tjetër të trenit, deri në Uzwil. Pra ishte një gëzim i madh dhe i veçantë për të gjithë ne!

Nga ajo kohë ai thotë  që me zonjën Michelin Calmy Rey ka shkëmbyer disa herë postë në mes veti.“Po ashtu kam qenë i ftuar për vizitën e saj në vitin e kaluar në Komunën e Vitisë por për shkak të obligimeve nuk kam mundur rë marr pjesë”.

Lini një Përgjigje

Nisin telashet për Ishujt ku zbarkuan ushtarët e Kosovës

Nazmi Jakurti u rizgjodh kryetar i Federatës së Sindikatave në Oberargau