Një gjykatës në Nju Jork ka caktuar nisjen e gjykimit ndaj ish-presidentit Donald Trump, më 15 prill, lidhur me rastin që ka të bëjë me pagimin e parave në këmbim të heshtjes të një ylli të pornografisë.
Gjykatësi Juan M.Merchan mori këtë vendim të hënën, më 25 mars. Gjykatësi më herët qortoi avokatët e ish-presidentit, pasi u ricaktua data e gjykimit, pasi paraprakisht ishte shtyrë nisja e gjyqit. Merchan ka kundërshtuar atë që sugjeroi se ishin pretendime të pabaza të avokatëve të Trumpit për “sjellje të pahijshme të prokurorëve”, pasi ekipi mbrojtës i Trumpit kishte pretenduar se prokurorët deri vonë nuk bënë publike dhjetëra mijëra faqe të dhënash nga një hetim i mëhershëm federal. Prokurorët thanë se vetëm një pjesë e vogël e të dhënave të reja janë të rëndësishme për çështjen, ndërkaq avokatët mbrojtës pretenduan se mijëra faqe janë potencialisht të rëndësishme, të cilat duhet të rishikohen.